Asnjëherë nuk kam besuar në dashurinë me shikim të parë deri kur e përjetova vetë, në momentin që pashë Mozën. Sapo e pashë, pata një ndjesi të çuditshme, rrahje të shpeshta zemre dhe mbeta si i shastisur. Nuk e prisja që kjo të më ndodhte mua dhe pikërisht me Mozën sepse ajo ishte e dashura e shokut tim më të mirë, aq më tepër që unë prej kohësh, isha i lidhur me Besën.

Aldon e kisha shok prej kohësh dhe ai më kishte folur kohët e fundit për të dashurën e tij, por asnjëherë nuk ma kishte prezantuar atë. Në fakt, as Besën nuk e njihte. Ajo ishte dita e parë që u takuam të katërt dhe atë ditë, ndodhi ajo që më pas do të na e ndryshonte rrjedhën e jetës. Nuk e kisha menduar kurrë se do të dashuroja dikë tjetër përveç Besës, por takimi me Mozën m’i ndryshoi ndjenjat. Atë ditë e kishim lënë të takoheshim të katërt në një restorant për të drekuar dhe për të prezantuar të dashurat tona. Sapo u takuam, sytë më mbetën te Moza… Ishte bionde, me sy bojëqielli, shumë e ëmbël dhe, përveç kësaj, ishte edhe shumë e shoqërueshme. U mundova ta mbledh veten që të mos bija në sy me shpërqendrimin tim, por gjatë gjithë kohës mendjen e kisha te Moza. “Çfarë ka kaq të veçantë që më bëri për vete menjëherë?”, pyesja veten. Ndërkohë që unë po hahesha me veten, pashë që Besa dhe Aldoja po bisedonin me njëri-tjetrin, ndërsa Moza fliste në celular. Përfitova nga rasti dhe sapo mbaroi telefonatën, u mundova të futesha në bisedë me të. Doja të dija sa më shumë rreth saj dhe nuk mjaftohesha duke e parë e dëgjuar. Mënyra se si fliste, si qëndronte, si vishej apo si shikonte, më dukeshin perfekte tek ajo. “Po ti, ç’mund të më thuash për veten?”, më “riktheu” në realitet pyetja e saj. Për një moment nuk dija çfarë të thoja sepse pyetja që më bëri më erdhi shumë e papritur, por më pas fillova t’i tregoja disa gjëra për veten. Më pas m’u kujtua që nuk i kisha thënë asgjë për Besën e as ajo nuk më pyeti. Pas atij takimi, mendjen e kisha vetëm te Moza.

“Çift mjaft simpatik”; më tha Besa. Unë pohova me kokë, por nuk thashë asgjë. “Sa kohë kanë bashkë?”, vazhdoi ajo. Nuk po e kuptoja këtë interesim të saj! Vetëm me një takim dhe Besa po më “mbyste” me pyetje të tipit: “Ku janë njohur? Ku punon Aldo?”, etj.

“Besa, pse po më pyet kaq shumë për ta, nuk po e kuptoj?”, i thashë.

“Thjesht, jam kurioze”, më tha dhe vajti në dhomën tjetër.

Të nesërmen, takova Aldon rastësisht në rrugë. Më ftoi për një kafe dhe u ulëm në një lokal ku edhe filluam të bisedonim për takimin e djeshëm. Çuditërisht, të dy, në të njëjtën kohë, po komplimentonim të dashurat e njëri-tjetrit. Kur e kuptuam, u pamë në sy të çuditur dhe qeshëm. Nuk e keqkuptuam njëri-tjetrin ose thjesht nuk donim ta bënim këtë. Tashmë, sa herë takoheshim, bëhesha shumë nervoz në praninë e Mozës. Si pakuptuar, kisha filluar të ndjeja për të dhe i druhesha shumë kësaj ndjenje. Më pëlqente shumë të qëndroja në praninë e saj dhe nëse do të kisha mundësinë, do të qëndroja për orë të tëra duke biseduar me të. Madje, fillova edhe ta ëndërroja dhe kisha frikë se po më kthehej në një fiksim. Sado që mundohesha ta frenoja këtë ndjenjë, nuk mundesha dot. Tashmë, marrëdhënia me Besën kishte filluar të ftohej dhe jo vetëm nga ana ime. Edhe Besa kishte filluar të distancohej nga unë dhe mendova se unë isha shkaku i këtij reagimi nga ana e saj. Filluam të kishim më tepër zënka të cilat nisnin pa ndonjë shkak të caktuar. Tensioni mes nesh sa vinte e rritej dhe lidhja nuk ishte më ajo e para. Unë në të vërtetë ndihesha fajtor për atë që po ndodhte dhe u mundova ta përmirësoja marrëdhënien me Besën, edhe pse kisha akoma dyshime se kisha rënë në dashuri me Mozën, por nuk e dija nëse edhe ajo ndjente diçka për mua. Si nuk e kisha menduar ansjëherë këtë?! Isha mjaftuar me atë që ndjeja unë dhe kisha patur bindjen se edhe Moza më dashuronte. Di të them vetëm që isha bërë i varur prej saj dhe kjo varësi po më çorientonte tërësisht. Më dukej sikur nuk e komandoja më unë mendjen time. Tani, unë dhe Besa kalonim më pak kohë me njëri-tjetrin, madje një ditë e pashë nga larg në një lokal me Aldon; po bisedonin dhe qeshnin me njëri-tjetrin. Çuditërisht, nuk u bëra aspak xheloz, por vajta dhe i takova. U bashkova edhe unë me ta dhe ndërkohë që po bisedonim, e pyeta Aldon se si ishte Moza. Ai bisedonte për gjithçka me mua, por u çudita që foli kaq hapur edhe në praninë e Besës. “Në fakt, kohët e fundit kemi diskutuar dhe ajo më duket shumë e distancuar”, tha.

Nuk e di pse u ndjeva vërtet mirë sapo dëgjova ato fjalë, por si për ta çtensionuar situatën e pyeta Besën se si u takua me Aldon.

“Po kaloja rrugës dhe u pamë rastësisht”, tha ajo. Nuk e dija nëse Aldo ishte në dijeni që edhe mes meje dhe Besës situata ishte e njëjtë me atë që ai kishte me Mozën, megjithatë nuk doja që ai ta dinte dhe unë nuk thashë asgjë. Kur po ktheheshim, pasi u përshëndetëm me Aldon, më dukej sikur Besa ishte e interesuar për të parë reagimin tim pas asaj që na tha Aldo.

“M’u duk e çuditshme që edhe ata ishin në të njëjtën situatë si ne”, më tha.

“Çdo çift ka problemet e veta, kjo është normale!”, i thashë, duke u përpjekur të dukesha indiferent. Kishin kaluar dy ditë dhe kur po kthehesha në shtëpi, pashë Mozën duke pritur në stacionin e autobusit. Zemra më rrahu fort dhe nuk dija çfarë të bëja; të ikja apo ta takoja? Vendosa t’i flisja. Iu afrova dhe i buzëqesha.

Ajo buzëqeshi lehtë dhe sytë po i shkëlqenin. “Nuk kam patur kohë për të dalë sepse po merrem me disa provime”, më tha.

Pas kësaj, e ftova të pinim diçka dhe ajo pranoi me kënaqësi. Isha shumë i lumtur që po e takoja dhe ndenjëm shumë kohë bashkë duke biseduar. Një çast, Moza më tha se lidhja e saj nuk ishte më si më parë, pa ma treguar arsyen pse. E ndjeja që kishte akoma diçka për të më thënë, por ngurronte të shprehej. Mënyra si më shikonte më bënte të mendoja se i pëlqeja dhe shpresoja që edhe ajo të kishte të njëjtat ndjenja si unë. I fola hapur edhe për lidhjen time.

“Edhe unë me Besën po kalojmë një periudhë të vështirë dhe mendoj se për këtë situatë jam unë përgjegjësi i vetëm”.

“Pse mendon kështu?”

“Sepse kam rënë në dashuri me ty. Moza, që momentin e parë që të pashë, zemra më rrahu fort dhe që atë ditë nuk kam bërë gjë tjetër veçse kam menduar për ty. Aldo është shoku im dhe e di që nuk duhet t’ia bëj këtë, por të dua dhe nuk mund ta ndryshoj këtë”, përfundova.

Prisja se çfarë do të më thoshte, kisha frikë se ajo nuk do të donte t’ia dinte për atë që ndjeja unë, por ndodhi ajo që e kisha pritur prej kohësh; Moza u shpreh se kishte ndjenja për mua. Isha më i lumtur se kurrë dhe në ato momente, vetëm ajo më interesonte.

“Aldo më thotë se, që ditën që ne u takuam, unë kam ndryshuar dhe jam bërë tjetër njeri. Unë nuk mund t’i them që të dua ty sepse xhelozia e tij mund të shkojë deri në ekstrem dhe nuk dua që të ndodhë diçka e keqe mes jush”, më tha.

Aty mendova se edhe unë nuk mund t’i thoja Besës se dashuroja të dashurën e shokut tim. Nuk isha gati t’ia thoja këtë as Aldos sepse do të ishte një goditje tepër e rëndë për të dy. Menduam të gjenim momentin e duhur për t’ua thënë dhe deri atëhere duhet të shpresonim që plani të shkonte ashtu siç e kishim menduar dhe në fund të ishim bashkë, por ja që ky plan, fatkeqësisht, nuk funksionoi. Ndodhi që Besa më kërkoi ta fillonim çdo gjë nga fillimi dhe të riktheheshim siç kishim qenë. Propozimi i saj më gjeti shumë të papërgatitur dhe as vetë nuk e kuptova se si, por pranova. Pasi ia thashë Mozës, më tha që të njëjtën gjë ia kishte kërkuar edhe Aldoja, por ajo nuk kishte pranuar.

“Ndërsa unë pranova, i thashë me gjysëm zëri dhe me kokën ulur, por nuk do të vazhdoj me të”, nxitova të shtoja me shpresën se do të më besonte.

“Nuk po të kuptoj! Gjithçka që më ke thënë paska qenë gënjeshtër sepse i ke dhënë akoma shpresë asaj. Më mirë e lëmë me kaq dhe mos më kërko më”, më tha dhe iku.

Ikja e saj më lëndoi shumë, u ndjeva i braktisur dhe i lënë në mëshirë të fatit. U pendova shumë herë që i kisha dhënë shpresa Besës, por tashmë kjo kishte ndodhur dhe Moza ishte larguar prej meje, ndaj edhe pse shumë i lënduar, vendosa të mos i jepja fund lidhjes me Besën. Vazhdova të qëndroja me Besën dhe po mundohesha që lidhja të ishte sa më normale. Nuk e takoja më as Mozën, as Aldon sepse më shmangej. I druhesha idesë se mos ai kishte kuptuar diçka ose Moza i kishte thënë të vërtetën. Shpresoja ta harroja, por kujtimi i saj nuk harrohej aq lehtë. Ajo ishte bërë pjesë e mendimeve dhe zemrës sime. Më vinte shumë keq që isha ndarë në atë mënyrë me Mozën, por shpresoja ende ta shihja përsëri. Nuk kisha arritur ta kuptoja se ishte Besa ajo që kishte filluar të distancohej vetë nga unë dhe nuk e kisha patur unë fajin për ftohjen mes nesh.

Më vonë mësova të vërtetën e madhe e cila e kishte zanafillën ditën që u takuam të drekonim të katërt. Kishte ndodhur që edhe Aldo e Besa e kishin pëlqyer njëri-tjetrin që ditën që u panë për herë të parë dhe, ashtu si unë dhe Moza, e kishin mbajtur të fshehtë simpatinë e tyre. Dhe unë që isha ndjerë fajtor gjatë gjithë kohës që ndjeja për Mozën sepse mendoja se këto ndjenja do të lëndonin ata të dy! Besa kishte kërkuar të vazhdonte me mua pasi kishte parë Mozën duke u puthur me Aldon dhe ishte bërë xheloze. Si nuk kisha arritur që ta kuptoja se kishte patur diçka mes tyre? Më vonë mësova se Aldo dhe Moza ishin ndarë, por në atë kohë nuk e dija akoma që ai dashuronte Besën. Nëse do ta kisha ditur këtë, do ta kishim patur më të lehtë të dyja palët për t’i dhënë fund lidhjes dhe do të kishim qenë të lumtur me të dashurit tanë, por secili nga ne ishte munduar ta mbante të fshehtë këtë për të mos lënduar tjetrin. Miqësia që kisha me Aldon kishte ndikuar që gjithçka të bëhej në fshehtësi të plotë dhe, ashtu si ne, edhe ata kishim menduar të prisnin momentin e duhur për të thënë gjithçka. Ky moment erdhi atëherë kur nuk e prisnim pasi rastësisht dëgjova Besën tek fliste në telefon me Aldon. Në fillim nuk e kuptova se me kë po fliste, por pasi ajo përmendi emrin e tij kuptova që në anën tjetër të telefonit ishte Aldo. Nuk i ndërpreva, përkundrazi, vazhdova t’i dëgjoja sepse biseda që po bënin ishte shumë ndryshe me atë që mund të bëjnë dy miq. E kuptova që mes tyre kishte diçka më shumë dhe pasi Besa mbaroi telefonatën, i kërkova të bisedoja me të. Aty iu rrëfyem njëri-tjetrit dhe lotët nuk munguan.

“Pse duhej të na ndodhte kjo? Ne e kemi dashur shumë njëri-tjetrin!”, më tha Besa me lot në sy.

Por zemra nuk komandohet dhe për këtë nuk duhet të ndihemi në faj… Mësuam se që të katërt kishim vuajtur duke i fshehur ndjenjat tona. Nëse vetëm njëri nga ne do të kishte folur i pari, çdo gjë do të kishte qenë ndryshe tani, ndërkohë që me Mozën nuk flisja. Ajo i kishte dhënë fund me mua që në momentin kur i thashë se Besa më kishte kërkuar të provonim edhe një herë për t’i dhënë edhe një mundësi njëri-tjetrit. Dhe këtë Besa ma kishte kërkuar e shtyrë nga xhelozia, pasi nuk kishte patur asgjë serioze në mendje. Më tha se donte ta bënte xheloz Aldon dhe më kërkoi falje. Tani isha unë që insistoja të takoheshim përsëri të katërt dhe t’i jepnim fund kësaj situate, por ishte edhe më e vështirë sepse me Mozën nuk kisha më kontakte.

Fatmirësisht, fati e deshi që ta takoja rastësisht në rrugë. Arrita ta organizoja atë takim ku i sqaruam të gjitha dhe në fund përfunduam duke qeshur me atë që na kishte ndodhur sepse nuk është e zakonshme të të ndodhë diçka e tillë. Secili nga ne kishte në krah personin që dashuronte dhe fati ynë u vendos nga ai takim. Edhe tani, sa herë e sjellim ndërmend, ruajmë shumë kujtime nga ajo kohë dhe nuk e harrojmë kurrë kontaktin e parë që patëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *