– Frekuentoj prej një muaji tashmë një palestër ku bëhet vetëm aerobi, por shoh që instruktorja jonë na e bën aerobinë vetëm me step.
Mua më duket e lodhshme dhe shpesh, më ndodh të kem dhimbje kyçesh. Ajo çfarë dua ta di, është: A ma shkakton dhimbjen stepi dhe a është e mirë kjo lloj aerobie? Elvira
Diego Hoxha, fitness instruktor, Fitness&Box Sport Albania, Rr Bajram Curri, pranë maternitetit të ri, tel +35544534743:- – E nderuar Elvira, aerobia me step, stërvitje për të cilën përdoret një platformë e ngritur nga 10 gjer në 25 cm, është një nga mënyrat më të mira për t’u dobësuar dhe tonifikuar, për të nxjerrë në pah muskujt dhe linjat trupore. Përgjithësisht, çdo ushtrim me step zgjat tetë kohë sepse është i lidhur me muzikën. Rekomadohet një lloj ritmi i cili shtrihet nga 120 gjer në 140 lëvizje në minutë, gjithmonë në varësi të nivelit të aftësive të atyre që marrin pjesë. Kështu, në mënyrë që stepi të jetë sa më efikas, duhet që kjo lloj aerobie të bëhet sa më shpesh dhe të ruajë një nivel intensiteti të caktuar. Kjo është edhe arsyeja pse instruktorja jua bën shpesh këtë lloj stërvitjeje. Aerobia me step, qoftë edhe vetëm prej 20 minutash, i shkakton trupit më shumë djegien e yndyrnave sesa të karbohidrateve. Veç kësaj, metabolizmi i trupit rritet ndjeshëm dhe vazhdon të rrijë në po këto nivele edhe pas disa orëve, edhe pse stërvitja mund të ketë mbaruar prej orësh. Në lidhje me dhimbjen e kyçeve, duhet së pari të shikoni nëse problemi qëndron tek atletet tuaja. Duhet të merrni patjetër atlete që janë të përshtatshme për stërvitje, sepse ato kanë një rëndësi shumë të madhe. Nuk duhet të jenë të rrafshëta komplet, por duhet të kenë njëfarë lartësie dhe tabanin e butë. Mundësisht, të jenë atlete që kanë në përbërjen e tyre lëkurë dhe copë, pra, të jenë elastike. E dyta, nëse nuk qëndron problemi tek atletet, atëhere duhet ta ulni pak rimin e aerobisë dhe t’u lini pak kohë muskujve që të çlodhen. Bëni aerobi vetëm tre herë në javë. Gjithashtu, nëse nuk keni përmirësim, do t’ju rekomandoja të merrni pak magnez, i cili është shumë i mirë për kockat.