Unë që po ju shkruaj jam një personazh shumë i njohur për median shqiptare, jam një njeri që po bëj revolucion përsa u përket dëshirave seksuale.
Ju falënderoj juve si gazetë sepse na jepni mundësinë që të tregojmë brengat që mbajmë në zemër dhe në këtë mënyrë, të tregojmë se si është jeta jonë…
Vitet e fundit unë kam dalë shpesh nëpër televizione dhe e kam shprehur hapur dëshirën time të madhe për të jetuar si një femër. Kjo gjë dihet që nuk është pritur mirë nga shqiptarët. Kam përjetuar shumë dhunime, si psikologjike, ashtu edhe fizike, por kam vazhduar të eci me kokën lart sepse në fund të fundit, dëshirat e mia janë personale dhe nuk dëmtojnë asnjeri. Unë, qëkur u rrita dhe fillova të kuptoja, e vija re që nuk isha si të gjithë çunat e tjerë. Më tërhiqnin shumë fustanet e takat, më pëlqente të shikoja modën e femrave te Fashion TV dhe të dëgjoja muhabetet e gocave të klasës, ndërsa ato të djemve, më dukeshin pa lidhje. Kjo gjë për familjarët e mi ishte e papranueshme dhe ata më qortonin shpesh. Ata nuk e kishin kuptuar deri në ato momente, por nga fakti që vishesha me rroba me ngjyra dhe vija një labelo të lehtë te buzët, më bërtisnin shpesh. Unë shikoja në televizor femra shumë të bukura, të veshura bukur dhe të dëshiruara nga meshkujt e filloi të më pëlqente që edhe unë të isha aq i dëshiruar nga i njëjti seks. Sapo u bëra 17 vjeç, vendosa t’i tregoja hapur dëshirat dhe prirjet e mia sepse në këtë mënyrë, mund të kisha edhe eksperiencat e mia të para me meshkuj. Deri atë ditë, nuk i isha afruar asnjë vajze, ndërsa kur shikoja ndonjë djalë të bukur, ma tërhiqte shumë vëmendjen. Shokët filluan të më ofendonin nga mënyra se si ecja dhe si flisja. Shpesh, edhe në shkollë, mësueset që duhet të më qëndronin më afër, e hidhnin ndonjë batutë dhe kjo më mërziste shumë, ndërsa gocat e klasës më pyesnin me ironi nëse më duhej ndonjë send tualeti, se do të ma falnin. Vetëm ndonjë shoqe më qëndronte afër gjatë pushimit të gjatë sepse të tjerët nuk më flisnin fare. Familja ime ishte një familje e varfër. Nëna qante shumë për shkakun tim, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, nuk më flisnin fare. Mbaj mend që babai dhe vëllai më kanë rrahur një herë keq sepse po holloja zërin andej nga dhoma dhe ata erdhën e më bënë për vdekje. Jam ndjerë shumë herë keq për arsyen se familja s’më pranonte, por ky ishte një problem pa zgjidhje. Ata e injoronin praninë time dhe më impononin të ikja nga shtëpia. Shpesh, ikja në shtëpi nga shkolla dhe nuk gjeja asgjë për të ngrënë. Kur pyesja pse, më thonin:
“Meshkujt duhet të dalin të punojnë e jo të përdridhen trotuareve”.
Vetëm unë e di se sa e keqe ka qenë ajo periudhë për mua. Nuk isha i vendosur se çfarë të bëja. Herë mendoja t’i lija të gjitha ëndrrat e mia dhe të vazhdoja të vishesha e të sillesha si mashkull, gjë që nuk isha dhe nuk mund ta bëja. E mendova shumë herë që të mbyllesha në vetvete e në dukje të sillesha si gjithë të tjerët, por ajo s`ishte zgjidhje sepse sa më shumë i fshihja disa dëshira, aq më shumë ato dilnin në pah. E mendoja se si mund ta çoja jetën time i martuar me një vajzë e cila s`do të më kishte faj për gjërat që do të kalonte sepse unë s`do të isha kurrë bashkëshort për të dhe kështu, do të shkatërroja një njeri e një familje.
Që nga ai moment, vendosa të dilja kundra gjithë botës, ose më mirë të them, kundra gjithë realitetit shqiptar sepse në botë ka shumë njerëz të tillë dhe të gjithë i respektojnë. Vetëm te ne nuk respektohen liritë dhe të drejtat e njeriut! Unë doja të isha një femër e bukur dhe këtë po e realizoj dalëngadalë sepse kjo është dëshira ime. Pse duhet t’i kem të gjithë kundër? Unë ika dhe bleva shumë rroba femrash. Bleva këpucë me taka dhe çorape te tejdukshme bashkë me shumë rroba të brendshme femërore. Familja ime më nxori jashtë dhe vetëm nëna tani më flet fshehtas sepse i bërtasin po ta mësojnë. E kuptoj shumë mirë atë, se e di që po jeton një realitet shumë të ndryshëm nga ai me të cilin ishte mësuar. Unë vendosa të dal në rrugë për të siguruar jetesën, por edhe për të pasur eksperiencat e mia të para me meshkuj që i pëlqenin femrat si puna ime. Në fillim e kam pasur shumë të vështirë sepse vetëm përbuzje kisha, ndërsa tani as që dua t`i kujtoj më kohët e këqija.
Këtu në Tiranë, edhe pse neve na urrejnë, jua siguroj se ka shumë meshkuj që vijnë tek unë dhe më jepen pa asnjë lloj problemi. Përderisa është diçka që njerëzit e bëjnë, nuk e kuptoj se pse s`mund ta pranojnë?! Kjo më vret thellë në shpirt! Tani jam 25 vjeçe dhe them “vjeçe” sepse tashmë kam marrë plotësisht pamjen e një femre dhe po pres momentin e duhur që të bëj edhe operacionin. Jam e lumtur që kam dalë kundër të gjithëve dhe po jetoj e lirë. Tani unë kam eksperiencat e mia dhe ndihem e plotësur. Kam marrë një shtëpi me qira dhe jetoj me një shoqe. Ajo më kupton dhe s`ka asgjë kundra shijeve të mia. Dita ime është si e një vajze të thjeshtë. Dal, pi kafen dhe takoj ndonjë njeri interesant. Edhe pse shumë në rrugë më gjykojnë, mua nuk më bëhet aspak vonë sepse e njoh veten dhe e di që kjo është jeta që dua. Dua t`u drejtohem shumë lexuesve që të mos i ndrydhin fëmijët dhe t’i lënë të bëjnë atë çfarë duan. Unë e di që sot në Shqipëri edhe ata që bëjnë sikur janë më meshkuj, janë të fshehur dhe këtë e them nga eksperienca, kështu që mos gjykoni asnjeri për jetën që ka zgjedhur! Ju falënderoj për mundësinë që na jepni të shprehemi…