– Kam shumë frikë mos ngel shtatzënë sa herë që bëj seks, sepse nuk di si të veproj po të ngelem me të vërtetë. Si të veproj?

– Është shumë e thjeshtë. Nëse nuk dëshironi të ngeleni shtatzënë, sa herë që kryeni marrëdhënie seksuale përdorni prezervativ, për ta hequr kështu një herë e mirë frikën.

Një mënyrë tjetër janë kontraceptivët, por ata duhen marrë rregullisht. Edhe mashkulli mund të ruhet duke përdorur metodën e tërheqjes para ejakulimit, por kjo është më pak e sigurtë, pasi nuk janë të pakëta rastet që në këtë mënyrë të ketë pasur ndonjë shtatzanië për shkak të derdhjes së spermës në mënyrë të pandërgjegjshme. Prandaj, kini parasysh, përdorni prezervativ dhe shmangni ditët që janë më të rrezikshme sepse mund të ngelesh shtatzënë.

– U bënë dy vjet që nuk arrij të kem marrëdhënie të rregullta seksuale me gruan sepse e humbas ereksionin. Pas një periudhe depresioni, provuam marrëdhëniet anale me të cilat ndihem shumë i kënaqur dhe ime shoqe, ashtu shprehet. A janë të rrezikshme marrëdhënie të tilla?

– Kur një çift bie dakord dhe janë të kënaqur nga marrëdhënia e tyre seksuale anale, s’më ngelet shumë për të thënë nga kjo anë. Nga ana mjekësore, mund t’ju them se marrëdhëniet anale janë në njëfarë mënyre të rrezikshme dhe duhet një higjienë e dyfishtë në krahasim me ato vaginale. Nëpërmjet marrëdhënieve anale, sidomos femra mund të marrë infeksione shumë të rënda, prandaj unë do t’ju sugjeroja të bëni një vizitë tek andrologu, për mundësinë e kryerjes së marrëdhënieve seksuale normale joanale. Përderisa ju keni ereksion nëpërmjet marrëdhënieve anale, përse të mos keni dhe në mënyrën tjetër, që është më normale dhe më e shëndetshme?! Mendoj se problemi juaj ka origjinë psikologjike, gjë që duhet ta bisedoni me bashkëshorten në radhë të parë e pse jo, edhe me një psikolog klinik apo androlog.

– Kur bëj seks, penisi merr ngjyrë të kuqe mavi dhe koka më dhemb nëse e prek. Mezi arrij të bëj seks. Ku të drejtohem? Faleminderit.

– Duhet të keni parasysh që gjatë aktivitetit seksual kemi një shtim të vaskularizimit dhe mikrovaskularizimit të glanspenisit, pra, kemi daljen në pah të disa njollave që ngjajnë si puçrra të vogla të kuqe e që nuk janë gjë tjetër veçse mbaresat nervore që realizojnë sensibilizimin apo ndjeshmërinë. Sigurisht, ngjyra, nga rozë që është në fillim, bëhet e kuqe. Gjithsesi, këto fenomene janë normale, ndërsa në rastin kur ju keni djegie apo vështirësi gjatë aktit seksual, mendoj se kemi të bëjmë me inflamacion, për të cilin merret mjekim përkatës.

– Jam grindur shpesh me të dashurin dhe e kam ofenduar duke i thënë që nuk është i aftë seksualisht. Për këtë arsye, ka një muaj që nuk kryejmë marrëdhënie seksuale, edhe pse duhemi. Si ta rifitoj sërish?

Duke qenë se ju jeni e bindur se duheni, mendoj se nuk është shumë e vështirë të afroheni me të sërish seksualisht. Edhe pse e keni ofenduar në pikën më të dobët të mashkullit, nëse tregoheni e ngrohtë dhe e dashur me të në intimitet, gjithçka do të kthehet si më parë.

– Kam djalin e vogël 7 vjeç. Ai, shpesh, më pyet: “Nga dalin bebet e vogla?”, prandaj ju pyes juve si doktor: A duhet t’i themi të vërtetën? Një zonjë.

– E nderuar zonjë, ka plot libra tashmë edhe në libraritë tona që janë parashkollorë e që tregojnë për intimitetin në sytë e fëmijëve. Unë vetë mendoj se u duhet folur hapur fëmijëve, se u duhet thënë e vërteta, gjithnjë duke u bazuar te mosha e tij, te mënyra se si i përcepton ai në gjendjen e tij fizike dhe psikologjike. Nuk u duhen thënë përralla të tilla, si për shembull: “Fëmijën e sjell lejleku, del nga lulelakra” e të tjera të kësaj natyre. Këto do të ishin shumë të dëmshme për fëmijën, pasi ai, kur të rritet edhe pak, do ta kuptojë gënjeshtrën që i keni thënë dhe nuk do të ketë më besim te ju si prindër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *