Jam një vajzë nga një qytet i vogël që, prej kohësh vuaj nga një hall i madh që më ka bërë të ndryshoj shumë plane të jetës sime.
Jam e fejuar dhe pres të martohem, madje kam caktuar edhe datën e dasmës, por diçka e rëndë më përmbysi të gjitha planet që kisha bërë me të fejuarin tim.
Altinin e kam njohur që në bangat e gjimnazit. Pasi mbaroi viti i dytë, ai u nis për në Itali, si emigrant. Unë qëndrova në qytetin tonë të lindjes, ndërsa ai për vite të tëra nuk erdhi më. Nuk e pashë dhe pothuajse e kisha harruar fare. Unë vazhdoja jetën time dhe ai të tijën.
Në atë kohë unë kisha një të dashur me të cilin kisha vendosur të ndahesha. Një ditë ai po më ngacmonte në rrugë. I thoja që nuk kishte më punë me mua, që të më linte rehat, por as që donte t’ia dinte. Nisa të trembesha se mos më bënte ndonjë gjë, kur dëgjova një zë të trashë, që i bërtiti të dashurit tim.
– Lëre kushërirën time se do të pendohesh pastaj!
U kapën për pak me fjalë, pastaj ai iku. U ktheva nga i panjohuri që më kishte shpëtuar dhe e falenderova.
– Zot, sa frikë që kisha! – i thashë. – Faleminderit! Si quheni? Këtu banoni?
Ai qeshi.
– Pse qesh? – e pyeta.
Në atë moment ai më tërhoqi dhe më përqafoi fort.
– Po si moj djallushkë, nuk e njeh më Altinin ti?
Kur e pashë mirë, dallova tek ai njeri shikimin tipik të ëmbël të Altinit. Iu hodha në qafë. Ishte pikërisht shoku im i gjimnazit. Nuk më besohej. U ulëm në një kafene dhe nisëm të flisnim. Kishim aq kohë pa u parë!
Ai më tregoi për Italinë. Më tha se kishte punuar mjaft atje dhe se tani kishte vendosur të vinte përfundimisht në Shqipëri. Më tha se deri tani kishte menduar vetëm për familjen, por e ndjente se kishte ardhur koha të gjente një vajzë të mirë dhe të martohej. Unë i tregova të rejat e mia, megjithëse nuk ishin shumë.
– Mos m’u ngatërro me tipa si ky, more vesh? – më tha gjysëm me shaka e gjysëm seriozisht.
U ndamë për momentin, por e lamë të takoheshim prapë. Dhe kështu bëmë. U takuam shumë shpesh. Ishte sikur të rizbulonim njëri-tjetrin. Po kuptonim ngadalë që na pëlqente të rrinim bashkë. Kështu, takimet tona shoqërore shumë shpejt u kthyen në diçka më shumë. Patëm puthjen e parë, marrëdhënien e parë dhe dashurinë e parë për të dy. Mua më dukej e pabesueshme që kisha gjetur një njeri aq të ndershëm, punëtor dhe të mirë sa ai.
Pas një viti së bashku, u fejuam. Familjet tona ishin shumë të kënaqura me këtë bashkim.
Altini shkonte e vinte në Itali, për të mbyllur edhe gjërat e fundit që i kishin mbetur. Ai po ndërtonte edhe një vilë, ku do të jetonim të dy pas martese. Gjithçka ishte perfekte, aq sa më dukej si ëndërr, por me sa duket, ishte e thënë të mos mbetej ashtu.
Ndërsa unë qëndroja shpesh në shtëpinë e Tinit dhe merresha me punët e përgatitjes së dasmës, më erdhi një telefonatë e çuditshme. Një zë gruaje në italisht më pyeste për Altinin. Unë mbeta si e habitur. Nuk dija kush ishte dhe çfarë donte. Kur e pyeta, më tha se ishte mamaja e fëmijës të tij dhe më la porosi t’i thoja se djali nuk ishte mirë. Unë aq mbaj mend. Më pas, nga tronditja, humba ndjenjat.
Kur u zgjova, pashë mamanë dhe Altinin mbi kokën time. Ishte shumë e shqetësuar. Në fillim, nuk më kujtohej se çfarë kisha.
– Çfarë të ndodhi zemër? – po më pyeste Altini.
– Mori ish-gruaja jote në telefon dhe më tha se djalin e ke sëmurë… – i thashë.
Mamaja e tij lëshoi një piskamë të madhe.
– Çfarë thua moj nënë? – më tha, – Po flet përçart! Altini nuk ka nuse e fëmijë, vetëm ty të ka! Qetësohu bijë e nënës!
Vetëm ajo fliste, ndërsa Altini heshtte. Më pas, u kthye nga ne dhe na tha:
– Është e vërtetë! Është e vërtetë që kam një fëmijë në Itali, megjithëse ajo grua nuk është nusja ime! Ajo mbeti shtatzënë pa dashjen tonë, por vendosi ta mbante fëmijën. Tani Alesio rri me të ëmën dhe unë shkoj t’i takoj herë pas here. Unë e dua, sepse ai është fëmija im, por me gjithë shpirt dua edhe të krijoj familje me ty!
Mamaja e tij nisi të qante, të bërtiste…
– Ç’ishte kjo që na bëre more bir? – i thoshte.
Më kot ai përpiqej që ta qetësonte, ta bindte. Ajo nuk arrinte dot ta konceptonte që Altini kishte bërë një fëmijë jashtë martese.
Të nesërmen, pasi gjurulldia ishte sheshuar paksa, unë dhe Altini folëm vetëm për vetëm. Ai më kërkoi që ta kuptoja dhe ta pranoja këtë situatë. Më përsëriti që ai vetëm me mua donte të rrinte dhe të krijonte familje, por ai fëmijë ishte i tiji dhe nuk mund ta hidhte poshtë.
Unë të gjitha këto i dija. E dija shumë mirë që më donte dhe që e doja. Vendosa të mos e prishja fejesën, por edhe tani kur nuk kanë mbetur edhe shumë ditë nga dasma jonë, unë jam e turbullt dhe gjithë dyshime. Kam frikë se mos ai fëmijë, megjithëse nuk ka asnjë faj për këtë, do të jetë gjithnjë një pengesë për familjen time. Kam frikë se Altini do të mbetet gjithnjë midis Shqipërisë dhe Italisë dhe do të ndihet keq. Të gjitha këto pyetje më vijnë ndërmend ndërsa zgjedh fustanin e bardhë apo vendos për vendin e ceremonisë. E gjithë situata më bën shumë keq, më bën të mendoj se ndoshta po hedh një hap të gabuar. Ende nuk di diçka të sigurtë, përveç faktit që unë e dua Altinin…