Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Lidhja jonë u shkatërrua nga xhelozia

Dashuria është një ndjenjë që zbut gjithçka, por sado e fortë të jetë, ajo shkatërrohet shumë lehtë nga xhelozia. Nuk them se njeriu nuk duhet të jetë xheloz, sepse detyrimisht, në qoftë se e do një njeri, atëhere mund të bësh veprime xhelozie që ta mbash për vete. Unë e kam fjalën për xhelozinë e sëmurë, e cila kërkon ta mbajë njeriun nën kthetra. Këtë të fundit po përjetoj unë dhe bashkëshorti im.

Bashkëshorti im është mesoburrë dhe ka një paraqitje të rregullt, por jo të thuash ndonjë bukuri e rrallë, ndërsa unë jam një grua 35 vjeçe dhe mbahem shumë që të mos kuptohet se vitet kanë bërë punën e tyre. Ai ka bërë gjithmonë punë të mira, në zyrë e punë me përgjegjësi, ndërsa unë nuk kam bërë shkollë të lartë dhe nuk kam një profesion, kështu që kam punuar si sanitare dhe vetëm për pak kohë si recepsioniste. Ai është një tip që nuk merret me familjen dhe nuk lë asnjë rast kur është fjala për t’u argëtuar dhe për të bërë qejf, ndërsa unë mund të quhem me të gjithë gojën shtëpiake e denjë dhe e fiksuar mbas shtëpisë e punëve të saj. Jua tregova në fillim të gjitha këto, që ju të bëni dallimin midis ne të dyve dhe të nxirrni konkluzione mbi jetën tonë dhe nëse mund të arsyetohet pak gjithë ajo xhelozi.

Kur u martuam në fillim, unë nuk isha fare xheloze, madje as më shkonte mendja se mund të ketë një njeri që të shikojë apo të shkojë me një burrë të martuar. Unë kisha vetë këtë mendim dhe kështu mendoja se janë të gjithë. Kisha një shoqe dhe e doja si motër. Ajo një ditë më tha se e kishte pare burrin tim duke pirë kafe me një kolege. Në moment nuk e besova, por më vonë fillova të mendoja për këtë gjë. Kur erdhi në shtëpi e pyeta se çfarë kishte bërë atë ditë, si ia kishte kaluar në punë, por ai nuk më dha shpjegime, vetëm më tha: “Mirë!”. Në mendjen time po endej mendimi se pse më gënjeu dhe pasi u mundova ta kapërdija disa herë këtë pyetje më në fund e pyeta:

Advertisement

– A ke pirë kafe me ndonjë grua sot? – ia formulova aq keq pyetjen dhe nuk e përdora atë shprehjen franceze: “Duhet ta rrotullosh 7 herë gjuhën në gojë e pastaj të flasësh”.

Ai u nevrikos dhe më tha:

– Jo, ç’janë këto iluzione?

– Më tha Miranda, se të kishte parë duke pirë kafe me një kolegen tënde. Pse po më gënjen? Mos po më fsheh ndonjë gjë?

– Ehu, do të merrem me ty! – më tha.

Nuk më zuri gjumi atë natë dhe shumë netë të tjera, por ai gjithmonë nuk më kthenete përgjigje dhe nuk shqetësohej aspak për mendimet e mia. Unë çdo ditë ia shfaqja xhelozinë time dhe ai nuk e kishte fare problem.

Më dhimbte koka aq shumë sa mora ilaçe për migrenë, por ai nuk ndryshoi as pikë as presje në sjelljen e tij. Ai me atë kolege piu kafe dhe nuk e prishi fare miqësinë madje aq shumë shokë ishin sa në një mesazh ajo i shkruante: “Sot të pres se s’bën të më sjellësh dokumentet që na mbetën dje pa plotësuar, në 7 te lokali i djeshëm”. Ai, në këto raste thoshte: “Janë për punë. Si thua ti, ta lë punën?”. Kjo gjë më mbyllte gojën.

Nuk vonoi shumë dhe reforma e hoqi nga puna. Ai ishte i arsimuar dhe gjeti punë shumë lehtë. Puna e parë kishte qenë lule. Ai tani duhet të dilte me makinë të bënte kontrolle orar pa orar dhe të çonte punëtorët nëpër shtëpia, pra, as nuk i thoje dot pse ishe me këtë në makinë, pse dole në këtë orar të vonë të natës, pse nuk erdhe në orar kur të bëhem tetë orë punë? Pra, asnjë pyetje sepse të gjitha e kishin një përgjigje: “Ishte puna e tillë!”. Unë isha mjaft xheloze, por kjo gjë atë nuk e prekte aspak, vetëm po më shkatërronte mua. Edhe ai, po të ishte njeri me pak sedër, do të gjendej në një situatë mjaft të vështirë, sepse unë e shprehja shumë xhelozinë me fjalë duke i thënë “nuk kam besim te ti, dyshoj se mos ke një tjetër” e lloj-lloj fjalësh që ta lëndoja, por atij s’ia ndjente fare. Këtë punë e la për të shkuar në një punë më të mirë për të, por për mua kjo punë e tij do të thoshte një krizë tjetër xhelozie. E keqja ime ishte se këtë xhelozi ia shprehja vetëm atij. Nuk vërtetoja asgjë dhe nuk shkoja të ballafaqohesha me asnjë nga ato gra që unë dyshoja. Prandaj dhe ai e kishte të lehtë, se e dinte se këto ishin fjalë që ishin thënë e stërthënë, pra, siç thoshte si: “Të lutem ndërroje ndonjëherë kasetën, se këtë e kam mësuar përmendësh”.

Dhe kishte të drejtë. Unë duhet të vërtetoja ato që thoshja, por nuk isha aq e guximshme dhe siduket, këtë ai e kishte kuptuar, prandaj ishte aq i qetë.

Në punën e re, ai  ishte menaxher në një resort dhe këtu nuk ka nevojë për koment. Unë tashmë isha e xhindosur. Kur bëheshin festa, ai duhet të qëndronte atje deri kur të mbaronte dhe më pas, merrej me pastrimet, rregullimet, shoqërimet e stafit nëpër shtëpi. Pra, nuk i dilte dita e as nata, por i duheshin dy-tre ditë e disa net. Unë në shtëpi po çmendesha. Ai ishte i lirë dhe telefonin herë e kapte e herë jo, me justifikimin se ishte i zënë e nuk kishte kohë të merrej me mua. Ishte një tmerr! Ai po shijonte jetën, kurse unë po i ngrysja ditët duke menduar se me kë ishte ai e ç`po bënte. Eh, ç`jetë! Nuk durova më dhe një ditë i thashë se nuk jetoja dot më me të dhe doja të ndahesha. Atë ditë rastisi për fat të mirë apo të keq dhe pasdite erdhi babai im të rrinte. Ai i tha:

– Vajza jote do të ndahet nga unë!

– Po pse? – tha babi im i habitur.

– Është shumë xheloze. Unë shkoj në punë e ajo nuk më lë të punoj duke më marrë në telefon çdo minutë e më thotë: “Me kë je tani?”, “Kë ke afër tani?”, “Eja se u bë vonë”. Kështu, unë po lë punën, të na mbajë kjo e po mbyllem në shtëpi, se qëkur jemi martuar ma ka nxirë jetën me këtë xhelozi.

Babi filloi të më kritikonte e të më thoshte se ai e kishte punën e tillë dhe unë nuk duhet ta mendoja këtë sepse kisha një burrë për t’u admiruar. Jo vetëm babit, por ai u tha të gjithëve për skenat e mia të xhelozisë. Pra, nxori çdo gjë në shesh.

U mërzita shumë, por tashmë asgjë nuk kthehej pas. Xhelozisë iu shtua edhe urrejtja për të. Ai më demaskoi, por të them të drejtën, s`më vjen turp që e pranoj se mirë ma bëri. Unë duhet ta kisha zënë në flagrancë dhe të mos flisja kot, pa asnjë bazë, por kur të djeg qumështi, i fryn kosit. Mendova ta provoja këtë variantin e zënies keq, por nuk kisha fuqi. Të gjitha fuqitë i kisha harxhuar për vite me radhë. Kishte ardhur koha e përshtatshme të ndahesha prej tij përfundimisht. Xhelozia e shkatërroi lidhjen time, por ai e ndihmoi këtë xhelozi me sjelljet e tij.

Nga divorci nuk i erdhi keq. Justifikimi ishte: “Më kishte lodhur me xhelozinë e saj të sëmurë, shpëtova nga kjo e tani jam i lirë të punoj e të ngrihem në karrierë se ajo nuk më ka lënë të punoj duke e mbajtur mendjen se ç’bëja unë”. Po t’i rendis të gjitha ato që ka thënë ai për mua nuk do të kishte gazetë t`i përmblidhte, kështu që po e le me kaq, besoj ju mjaftojnë.

Kjo lidhje nuk kishte fund tjetër. Për të mbajtur një lidhje të gjatë, për mendimin tim dhe nga kjo eksperiencë e hidhur duhet një çift që nuk e kanë problem se si e kalon kohën partneri kur nuk janë me të. U intereson vetëm ta kalojnë sa më mirë kur janë bashkë dhe ta keni një këshillë nga unë, kështu duhet ta mendojnë të gjithë. Këtë e thotë dhe shprehja e famshme tashmë: “Duhen dy vetë për tango”.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon...!

Next Post

U pendova që s’i dhashë një mundësi!

Advertisement