Parukieri e grimieri Mario Roci, i larguar prej kohësh nga Shqipëria, e feston ditëlindjen në privatësi me një person të veçantë.

– Mario, në radhë të parë, gëzuar ditëlindjen! Besoj se është momenti i duhur për të folur pak së bashku…
– Të falënderoj shumë. Po, po, është vërtet momenti i duhur, pasi kam shumë gjëra për të thënë… Shumë gjëra të bukura kanë ndodhur në jetën time.
– Do të na e tregosh sa vjeç mbushe, apo është sekret?
– (Buzëqesh) Jo, jo, nuk është sekret. Sigurisht që mund ta them se këtë vit, mbusha 29 vjeç.
– Sa ishte vlera e dhuratës më të shtrenjtë që more?
– Dhurata më e bukur dhe më e shtrenjtë e kishte vlerën 1200 euro.
– Para se të ikje nga Shqipëria, ti e kishe bërë emrin tënd, në parukeri dhe estetikë…
– Po, është e vërtetë. Unë kam lindur e jam rritur në Tiranë dhe e kam nisur profesionin e parukier-grimierit që 15 vjeç. Jam i dashuruar pas këtij profesioni. Mbaj mend që për herë të parë jam punësuar në moshën 18 vjeçare dhe nuk kam reshtur së ushtruari profesionin tim që nga ajo kohë. Pastaj, jeta dhe profesioni morën rrugën e vet. Ky është zanati më i bukur, që e kam zgjedhur vetë dhe që e dua shumë…
– Një ditë të bukur të pamë në Gjermani, ndërsa prej dy vjetësh, ti jeton në Itali… Pse ike nga Shqipëria dhe sa të vështirë e pate të ambientoheshe në një vend tjetër?
– E bëj me shumë dashuri zanatin tim dhe falë tij kam arritur të punoj përtej kufijve. Ika nga Shqipëria duke synuar të eci përpara në jetë dhe në profesion. Falë punës sime arrita këtu ku jam sot, të kaloj kufijtë për ta bërë punën time këtu. Për një kohë të shkurtër kam jetuar në Gjermani e pastaj shkova në Romë, derisa u vendosa këtu ku jam, në Milano, ku po punoj në profesionin tim të bukur dhe aq të dashur. Nuk e pata aspak të vështirë të përshtatesha, sepse mendoj se nëse bën punën që do, njeriu mund të përshtatet kudo. Them se kjo është edhe arsyeja se pse ndihem shumë mirë këtu ku jam.
– E mban mend se çfarë të ka shtyrë fillimisht të merresh me këtë profesion dhe jo me një tjetër?
– Ka qenë Endrit Mërtiri, fotografi i njohur ai me të cilin e kam nisur këtë ëndërr dhe këtë pasion. Para pak muajsh ishte eventi i madh në Milano, Fashion TV, ku ai erdhi me mikeshën e tij Aurelën dhe një tjetër mikeshë shqiptare dhe u takuam edhe së bashku, për arsye pune. Endriti është një mik i mirë, por edhe një emër i madh i modelingut shqiptar. Jam shumë i kënaqur që kam bashkëpunuar me të.
– Ke ndonjë person të veçantë të cilin dëshiron ta përmendësh në këtë intervistë?
– Pa dyshim, do të përmend mikun tim Sali Alushi. Përveçse shumë i talentuar në punën e tij, ai është një mik shumë i mirë për mua. Miqësia ime me Saliçen është shumë e bukur dhe unë jam shumë i lumtur që kam një mik si ai. Megjithëse tashmë është i famshëm, ai është një njeri i thjeshtë e pozitiv dhe unë e konsideroj veten shumë me fat që e kam njohur. Mendoni, ai erdhi posaçërisht në Milano për ditëlindjen time, duke më bërë kështu një nderim të madh…
– Mario, unë të falënderoj shumë që u bëre pjesë e gazetës sonë dhe të uroj suksese të mëtejshme në pasionin tënd…
– Edhe unë ju falënderoj shumë që biseduat me mua në këtë periudhë vërtet pozitive dhe të suksesshme dhe ju siguroj se më tej do të dëgjoni edhe më shumë për mua. Kam synime dhe plane të shumta që jam i bindur se do të bëhen realitet, pasi besoj se nëse ke pasionin dhe dëshirën për të punuar, asgjë nuk është e pamundur.
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista” të kësaj jave. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *