I drejtohem redaksisë… Ju lutem, më ndihmoni me mendimin tuaj për sikletin e madh psikologjik e shpirtëror që po kaloj. Jam M. nga Tirana dhe kam 8 vjet që e dua një femër tmerrësisht, por ka ca kohë që më gënjen, pasi flet me një person në telefon dhe në sekondë e fshin. Sa herë e kam parë në telefon në befasi, numri i tij është aty dhe sms-të gjithashtu. Ajo më gënjen duke më thënë që e urren. Çfarë të bëj se jam drejt fundit?

Redaksia: – I nderuar M., në radhë të parë, faleminderit që na ke shkruar, por, të them të drejtën, letra jote më ka habitur. Të kujtoj se ti na ke shkruar edhe herë tjetër (në nr. 870 të gazetës) dhe ne të kemi kthyer një përgjigje. I bie të kenë kaluar minimalisht 8 muaj që nga koha që na ke shkruar për herë të parë. E dashura jote vazhdon me të njëjtën sjellje dhe ti vazhdon të vuash? Të më falësh, por mua më duket me të vërtetë e tepërt… Nuk arrij ta kuptoj se si mund të vazhdosh të dashurosh marrëzisht, siç thua ti, një femër që nuk tregon minimumin e respektit ndaj teje. Urrejtjen nga dashuria e ndan vetëm një fije peri (gjithmonë nëse është e vërtetë që ajo e urren personin të cilit i shkruan) dhe, në momentin që ti merresh me një njeri, qoftë edhe duke e sharë apo duke u treguar i ashpër ndaj tij, do të thotë se i jep rëndësi. Më shkurt; ai njeri ka rëndësi për vajzën që ti do! Nuk e përjashtoj mundësinë që të gjithë të gabojnë, por nëse kanë kaluar tashmë 8 muaj që nga momenti që ti ia ke bërë të qartë asaj të mos merret me këtë njeri dhe ajo vazhdon njësoj, madje edhe duke u justifikuar  njësoj (pra, sikur e urren personin tjetër!), më vjen keq të ta them, por lidhja juaj ka marrë fund. Përfundimisht, ajo nuk të respekton dhe, nëse nuk ekziston respekti mes dy njerëzish, çfarë lidhjeje është kjo? Nuk mund të vë në dyshim ndjenjat e saj… mbase ajo ju do të dyve, edhe ty, edhe atë, por nuk mund të vazhdosh përjetësisht kështu; gjërat duhen ndarë; ose me ty, ose me atë! Në momentin që një lidhje të shkakton stres dhe të mërzit, është më mirë t’i japësh fund sesa të vuash pafundësisht. Është në doren tënde të zgjedhësh nëse do të vazhdosh me të dhe ndërkohë të torturohesh psikologjikisht e shpirtërisht nga xhelozia e mosbesimi ndaj saj, apo të ndaheni një herë e mirë dhe të jesh i qetë me veten. E di që mund ta përjetosh jo mirë ndarjen, por mos harro që vuajtja e ndarjes është për pak kohë, ndërsa një lidhje e tillë me mungesë besimi dhe korrektësie, të fal dhimbje gjatë gjithë kohës. Duhet t’ia bësh të qartë vajzës që nuk ke besim tek ajo dhe ta lësh të lirë. Nëse e do me të vërtetë shumë, vëre para zgjedhjes ose qëndroni disa kohë larg njëri-tjetrit që edhe ajo të kuptojë se cilin do me të vërtetë. Me pak fjalë, ne të këshillojmë t’i japësh përparësi mirëqenies tënde shpirtërore e psikologjike; meriton të të duan dhe të të respektojnë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *