Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Xhepzbrazuri

 Tregim nga Jakup B. GJOÇA

Sekretarja hyri për të tretën herazi në zyrë, por kësaj here, sa hapi derën dhe, u fut pakëz brenda, as u afrua pranë meje, as nuk foli. Qëndronte dhe priste reagimin tim.
– Fol, përse qëndron aty?
– Më fal, që ju shqetësoj, por ajo gruaja këmbëngul t’ju takojë patjetër. Thotë, “ I thoni Traqes, që jam Egla”.
Unë e pashë sekretaren në sy. Nuk i fola, por humba edhe shikimin, diku në një zbarazësi, ndërkaq që sillja ndërmend Eglën.
Të them të drejtën, e prisja. Eglën tjetër. Të vërtetën, që unë e takova vetëm disa minuta. Jo orë. 
Ja kështu, të vinte te zyra ime. Sa të mësonte, emërimin tim. E dija që do të vinte. Vetëm në kësi rastesh.
Ndërsa Egla, që njihja, Egla që dashuroja dhe dashurova, kishte humbur në thellësinë e memories time. Është si një tretësirë kohe,  e humbur në harresë. Vështirë, që ta rigjeja. 
– Do ta prisni? Është e njohura juaj. Nuk e besoj, se ka ardhë për punë zyrtare, – më pyeti sekretarja, me ton të dridhur. – Derisa nuk ju thërret “Petro”, por “Traqe”. 
Sërish, zëri i sekretares më solli në vete.
– Jo, tani. Të presë, si të gjithë qytetarët, nëse do.
Sekretarja, akoma qëndronte te dera.
– Nuk më dëgjuat?
– Po, por…
– Të lutem, mbylle derën, – i thashë sekretares dhe u ktheva nga kompjuteri, shpinëkthyer nga ajo, si për ti thënë më qartë, që të largohet.
Në fakt, edhe pse e prisja të vinte te unë, sërish, ardhja e saj, më shumë më lëndoi.
Edhe pse mendoja se e kisha groposur kaq thellë në humbëtirën e memories, sa nuk doja as të rikujtoja më asgjë te Egla, ja, sa sekretarja më përmendi emrin e saj, ajo dhimbje e asaj nate, më shtypi përbrenda, sa më dha dhimbje, madje, edhe më të madhe, sa ndjeva atë natë.

Orët e fluturimit të avionit, më dukeshin ditë, javë, sa më dukej se era e kishte mbërthyer avionin fort nga krahët, dhe nuk e linte as të lëvizte, por e mbante ashtu peng, pezull në ajër, teksa unë kisha përqëndruar sytë te krahët e avionit, që shtriheshin pikërisht përballë dritares time.
Ishte hera e parë, që mezi prisja që ora e fluturimit të mbaronte, aq kohë, sa zgjat ai çast, mbyllja dhe hapja e syve. 
Edhe pse kisha vetëm një javë, që kisha dalë nga spitali, kisha ende dhimbje dhe udhëtimi me avion, nuk do të më bënte mirë. E, megjithatë, u nisa drejt Eglës. Nuk mund të prisja më. Asnjë ditë më tepër, nga kohëgjatja e 25 vitete. 
Isha i ftuari i Eglës. Eglës time. I Eglës, që deri tani, në tërë këto vitndarje, ekzistonte vetëm në ëndrrën time. Edhe pse e kisha humbur shpresën, se një ditë, do të takohesha sërish me Eglën time…
Dhe, kur unë kisha bindur edhe vetveten, që Egla ekzistonte vetëm te ëndrra ime, ajo vetë e grisi ëndrrën time, kur më pyeti:
– Tani, çfarë jam unë për ty?
Eglën gjithmonë e ëndërroja, edhe pse kisha bindur vetveten, që e kisha humbur përgjithmonë, atë natën e fundit të universitetit tim.
Sa herë, që nuk ndihesha i lumtur në martesën time, Egla vinte dhe ulej në mendimin tim, në sytë e mi, (jo në ndjenja, çuditërisht, jo dhe nuk e dija përse vallë) dhe dukej sikur më thoshte:
– Sa unë, asnjëra nuk ka për të të dashur aq shumë. Unë do të të doja përherë, kështu siç je. 

Dhe ky zë I largët, i ardhur nga dëshira ime, më dërmonte… Ndihesha një varrezë ndjenjash, që endesha në vetveten time…
Nuk e dija nëse Egla në ëndrrën time, ishte ngushëllim, apo mallkimi i zgjedhjes time.
Më dukej, se vetëm me Eglën, unë do të kisha jetuar dashurinë që kisha ëndërruar. 
Egla më gjeti në rrjetin social. Më dërgoi ftesë, edhe pse fotua e saj ishte tjetërsuar kaq shumë nga ai imazh që ruante përherë memoria ime.
Hezitova ta pranoja. Nuk doja të prishja magjinë e imagjinatës time. Ndërkoha e deritanishme, kishte gdhendur si Egla, atë që dëshiroja unë, Eglën Ideale, Eglën që humba. Nëse, do të njihja Eglën e tanishme, u tremba se mos zhgënjehesha. Zhgënjehesha për gjithë ndërkohën, që kisha ushqyer ëndrrën time. 
– Tani, çfarë jam unë për ty?- Egla, më pyeti, sa shkëmbyem fjalët e para të rigjetjes tonë, në mesenger.
Unë nuk pata kohë të mendohesha.
Zëri i saj ishte jehonë e ëndrrës time dhe më dukej, sikur më erdhi nga ëndrra dhe unë iu përgjigja, siç i përgjigjesha gjithnjë në ëndrrën time.
– Ndjenja ime e Jetës.
Egla qeshi. 
– Të dua shumë, – më tha. 
Unë, duke e dëgjuar më qartë, u trondita. Nuk isha në ëndërr. Egla ishte para meje. E shikoja. Kisha ndjesinë se zëri i saj më erdhi jehonë e ëndrrës time, por, duke e parë, u binda se Egla ishte live, në kamera, përballë meje.
Edhe pse, tani flisnim me orë të tëra, ditën, natën, nguteshim, të flisnim të tanishmen, thua se donim të fshinim  të djeshmen e humbur, ndërkohën e ndarjes.
Unë, nuk i dëftova asgjë nga vetvetja e tanishme. As plagët, as vuajtjet, por mundohesha t’i jepja një imazh të tjetërsuar.
Nuk e di pse. Jo se doja ta gënjeja. Gjithsesi, jo.
Egla, gjithnjë, në mënyrë të përsëritur, më pyeste, nëse unë, do ta pëlqeja, kur ta shikoja nga afër. 
Sido që unë, i thosha, se nuk më intereson aspak bukuria fizike, unë e doja, pse ishte Egla e ëndrrës time. Egla e dashurisë time të parë. 
Në të vërtetë, Egla edhe tani ishte shumë e bukur. Një përjashtim i natyrës, ku vitet lënë gjurmë të tjetërsimit te bukuria e gruas, Egla, ishte i asaj veçantie të gruas, që sa më shumë i shtohen vitet në moshën e saj, kaq më shumë zbukurohet edhe nga pamja fizike. Veçse, unë e kisha të vështirë t’ia pohoja këtë Eglës. Dhe ajo e dinte. Kurrë në sy, nuk i bëja elozhe me fjalë  për bukurinë.  Por, nuk e di, pse nuk mundesha dot tani, si atëhere, që të vetpërmbahesha pa ia pohuar me fjalë. Atë që panë sytë e mi tek sytë e saj. Që tani, Egla ishte edhe më e bukur, sesa e imagjinoja unë në ëndrrën time. Edhe, pse, sa herë Egla më përsëriste që më donte kaq shumë, unë ndjeja në vetvete atë kënaqësi mashkullore, që tashmë, Egla, kjo grua kaq e bukur, tani më përkiste vetëm mua.
Egla, këmbëngulte, donte të më nxirrte nga thellësia e vetvetes time, pikërisht fjalët e mia, për bukurinë e saj. 
Dikur, midis tundimit dhe hezitimit, unë i pohova, që Egla e sotme, është edhe më e bukur nga Egla ime e ëndrrës së dikurshme.
– Vërtet ma thua? Mua askush tani nuk më ka thënë, që jam kaq e bukur, sa ma thua ty.
– Unë të them, atë që shikoj.- iu përgjigja. Në fakt, doja t’i thosha, që sa e kam dashur unë, nuk e besoj që do ta ketë dashur kush tjetër. Po, nuk guxova t’ja pohoja kurrë.
Egla, atë çast më dërgoi foton e saj. Studente. Ashtu, siç kishte mbetur në ëndrrën dhe imagjinatën time, në vitet tona studentore. Flokëzezë, flokëshkurtër, trupimët, me pantallonat e saj ngjyrë vishje, me sytë, që gjithnjë kishin atë melankoli dhe një dritë të fshehur të së qeshurës, sa herë që takoheshim. 
Unë shikoja foton, si për të rifreskuar imagjinatën time dhe e krahasoja me Eglën që shikoja live në kamera.
– Nuk mund të të imagjinoj dot, me flokët bionde.
– Pse, nuk më shkojnë?
– Jo, unë nuk mund të imagjinoj dot Eglën me flokë bionde.
– Nuk të pëlqej ty?
– Do të dukeshe edhe më e bukur, sikur ti ishe akoma flokëzezë dhe flokëshkurtër.
– Haaaaa! Po u rritëm tani. Ndryshuam.
– Ku, ndryshuam? Te ngjyra e flokëve?…

Advertisement


Pashë mesengerin. Një mesazh i ri. Ishte Egla.
Nga ajo natë, Egla e kishte bllokuar mesengerin e saj për mua. Nga zemërimi, natyrisht.
Unë, nga ajo natë, kurrë nuk u interesova më. Ndoshta edhe më mirë, për të mos fryrë era e interesimit të mos ishte kamikazi i plagëve, që të shumëzonte çdo kujtesë në pjesëza të copëtuara , që u vranë dhe t’i shpërndante nëpër çdo artierie të ndjenjave dhe memories, si copëza të kristalizuara në dhimbje. 
“Nuk do të më presësh? Ushtron forcën e pushtetit që ke. Bravo!”.

-Ke ardhur për mua? Apo për postin tim? – e pyeta në vetveten time. Sepse nuk doja t’i ktheja përgjigjen me messenger.

Sa dola nga dera e aeroportit, pashë Eglën, që priste disa metra më larg, pranë makinës së bardhë.
Kishte dalë dhe priste nga ana e portës së saj.

E veshur e tëra me të kuqe.

Sikur të ishte veshur në të bardhë? E bardha e vellos, që nuk munda t’ja hedh dashurisë time…

Një çast edhe unë ngriva…

Kisha grisur dhjetëra vite, për t’u gjendur përballë Eglës time. Udhëtova në imagjinatë, me ëndrrat e mia, në terrin e shpresës.. Dhe, ja tani… një dritëz përballë syve të mi. Ikona e Eglës… E tëra në të kuqe, sikurse rrezja e parë e diellit, që porsa agon….
E përshëndeta, duke ngritur dorën. Egla nuk lëvizi, por rrinte e mbështetur te porta e hapur e makinës.
Kur u afrova 3 metra parg saj, sërish, Egla, nuk reagoi.
Vetëm qeshi. 
Unë e përqafova, duke e shtrënguar nga beli dhe e afrova pranë vets, sa buzët tona u prekën.
Egla, sërish nuk reagoi, por as kundërshtoi.
I cika buzët. Ngaqë Egla nuk më puthi, edhe unë u tërhoqa mbrapsh.
– Nuk më puth? – e pyeta, ndërsa e largova pakëz nga vetvetja.
– Jam e ngrirë.
– Ngase?
– Po, ja, kaq papritur, gjendemi kaq pranë. Sa vite ndarjeje.
Egla, sikur u kristalizua në një copëz akulli dhe ftohtësia e saj u përcoll edhe te unë.
“ Kush do të jetë ai i pari, që do të puthë?”, – më pyeste Egla, kur ne imagjinonim atë çastin e parë, që do të takoheshim.
“ Unë. Unë, do të të shtrëngoj fort dhe do të të puth gjatë. Saqë të të merret edhe fryma, dhe të më lutësh”
“Domethënë, do që të më vdesësh me të puthura”.
“ Jo të të vdes, por të të jap frymën time, që të jetosh”.
“Do ta shikojmë. Unë do të të kacavitem nëpër trupin tënd, si ajo kulpra që pushton lisin”. 
“ Dhe…”
“Do të të marr edhe frymën, për të të dënuar, për atëhere, që nuk erdhe të më merrje…”
Egla, sërish më shikonte, por nuk bëri asgjë, të më përqafonte.
Unë ula krahët, dhe u largova nga ana tjetër e makinës. 
Si i zhgënjyer. Si i habitur. Me një tronditje të brendshme, që nuk doja ta shpjegoja vetvetes, arë çast.
Egla, vuri rripin e sigurisë dhe filloi të nisë makinën.
– Egla, sikur kishim ëndërruar ndryshe takimin e parë. Më kishe premtuar, që do të më merrje edhe frymën me të puthura.
Egla nuk e ktheu kokën nga unë, por nënqeshi lehtë.
– Lulet, nuk t’i lanë në aeroplan, të sillje?- tha më një zë të ulët, pa e kthyer kokën nga unë.
Siç isha me profil nga Egla, u struka paskësaj në sedilen e makinës. Mbylla një çast sytë. 
I pohova vetvetes, që në fakt, jo vetëm që nuk më kishte shkuar ndërmend, që të kisha blerë lule, por, e dija, që as eurotë që kisha në xhep, nuk do të më mjaftonin.
I tillë jam edhe unë. Asnjëherë, nuk kam blerë lule, t’ja dhuroj së dashurës. Cilado të ishte. As me vajzën që u martova. 
Sikur lulet më shkaktonin alergjinë e ndjenjave. Lulet më dukeshin më shumë si një copë hipokrizie, që detyrimisht ia jep së dashurës, pasi nuk i ke dhënë deri atë çast ndjenjën, për ta bindur sa shumë e do. Kur të dashurës i dhuron ndjenjën e dashurisë, me gjithë forcën e shpirtit, të gjitha të tjerat, qoftë edhe lulet, qoftë edhe fjalët e zjarrta të dashurisë, teprojnë. Të velin ndjenjat. Lulet dhe fjalët e zjarrta, janë gjithmonë dekori i skenareve nëpër libra dhe filma, pasi e ke të pamundur që të përshkruash dot, ato ndjenja të dashurisë, që ia përcjell së dashurës nga thellësia e vetvetes tënde. Fjala, sado e zjarrtë, e përshkruar edhe me mjeshtërinë e artit, nuk mund të mbartë, nuk mund të shprehë dot, atë që përcjell ndjenja, sytë, një përkëdhelje, një puthje.
Nuk mundesha dot, as t’i shpjegohesha. As t’i justifikohesha, përse nuk munda të bleja lule, për këtë pritjen e sotme. Deri tani, Eglës nuk i kisha dëftuar asgjë për aksidentin tim. As për kohështrimin në spital. 
Veçse ndjeva mornica nëpër gjithë trupin, si një rrymë e ftohtë, që më përshkroi të tërin, duke më dridhur, si një degë përballë erës së fortë.
Nuk fola.
Ndërkaq, ishim afruar pranë pikës së pagimit të autostradës, që lidhte aeroportin me qytetin.
Egla, qëndroi dhe rrëmoi gjatë në çantë. Nuk gjente dot, monedhat metalike, të shumës që duhet të paguante.
Unë i zgjata një kartmomedhë 20 euro. E vetmja që më kishte tepruar.
Egla, shpërfillshëm, as e mori mundimin që të shikonte, por vazhdonte të rrëmonte portofolin e saj, duke numëruar centët.
– Merre, këtë dhe paguaj, – i thashë.
– Mbaje, do të të duhet. Kam të holla, – më tha.
– Merre, – i thashë, duke ngritur tone qortimi në të folurën time.
Egla, ndërkaq i zgjati centët tjetrit, që priste pas dritares së vogël të kabinës.
Pritëm një ndërkohë, sa edhe tjetri numëroi centët metalike, që i dha Egla.
Kur, u nisëm, unë e lashë kartmonedhën mbi tablonë e makinës.
Egla, pa më parë në sy, e mori dhe ma zgjati mua, duke ma hedhur në prehër.
– Ty, më ke thënë, që sapo ke filluar punën aty. Mbase të duhen.
– Merre. – i thashë prerë.
– Jo, nuk e marr. 
Nuk e kundërshtova.
– Në fakt, e kisha imagjinuar, pakëz më romantike, takimin tonë.- foli Egla.
– Si, më romantike? Nuk të kuptova.
– Po, ja. Ti, do të vije me duar passhpine, ku të mbaje buqetën me lule. Sa më të bukura lulet, kaq më shumë do të më shprehje edhe ndjenjat që ke për mua. E unë, imagjinoja zambakët, të bardhën e vellos, që nuk e veshëm dot dashurinë tonë….
– Ashtu?
– Pse, ty nuk të pëlqen romantizmi?
Unë qesha pakëz me ironi. Nuk fola.
– Pastaj, prisja, që ti, të uleshe para meje dhe në gjunjë, të më propozoje….
– Vetë ardhja ime, nuk është romantizëm?
– Kështu e kisha fantazuar unë.
– Prandaj ti ngrive, sa as nuk më puthe?…
Egla, ktheu kokën majtas saj, si të më fshihte sytë. 
– Fillove punën?- më pyeti papritur.
– Të kisha thënë, që kam 3 javë që fillova.
– Edhe ti, rrugëve mbete. Nuk munde të bëje dot asgjë…
– Çfarë asgjë?…
– Ti ishe studenti më i hedhur. Më i miri. Si u katandise të mbetesh emigrimeve nëpër shtete të ndryshme. 
Një ngërç më bllokoi frymëmarrjen. Sa ndjeva mpirje në gjithë trupin.
– U zhgënjeve, që më pe kështu?…
– Jo, por…
– Mbaje,- bërtia pakëz me ton të lartë. 
Egla frenoi menjëherë.
– Përse?- më pyeti, duke u kthyer nga unë.
– Sikur dëgjova zërin e ishgruas. 
– Kë zë?
– Unë iki. Të më falësh. – i thashë, dhe hapa derën e makinës.
– Petro, çfarë bën?
– Erdha gabimisht. Sërish ngatërrova rrugën. 
– Petro, ku shkon?
U largova, pa kthyer më përgjigje. As pa e kthyer kohën mbrapsh.
Isha akoma në autostradën e mbyllur dhe, detyrimisht, ecja anës rrugës, deri te dalja më e afërt.
Pashë, që makina e Eglës, më parakaloi, duke qënë në korsinë e majtë. Më parë humbi makina e saj në terrin e errësirës, dhe paskëaj, doja që edhe Egla, të humbiste kështu, edhe në terrin e memories dhe të ndjenjave të mia…
Në xhep më kishin tepruar vetëm 20 euro dhe bileta e kthimit, të cilës mund t’i ndryshoja vetëm datën e kthimit. 

Siç u ndryshova edhe polin, shpresave që më kishin rilindur…
Edhe pse në qytet kisha familjen time, tashmë nuk mund të shkoja më aty. Unë dhe ajo ishim bërë të huaj për njëri- tjetrin, sa asnjëherë nuk u interesua për aksidentin tim. Dy fëmijët, gjithnjë mendonin se unë isha plagprishësi i familjes, që të ardhurat që fitova, ua dhashë të afërme të mi dhe nuk mendova për familjen time. 
Kohëzgjatja e papunësisë më bëri edhe më të huaj, saqë fëmijët ma kishin thënë disa herë, që familjen e mban dhe e ushqen mamaja. 
Sa një ditë, ika nga shtëpia, pa thënë, pa dhënë asnjë andresë.
Sërish, emigrant, në një shtet të largët.
Askush nuk u interesua më për mua. Ku isha. Çfarë bëja.
As kur u aksidentova dhe gjithë kohështrimin tim në spital, asnjë lajm nuk mbërriti te unë, nga askush.

Isha i harruari. Edhe, pse 30 ditë isha në koma, ku pakëkush nga mjekët, besoi se unë do të rikthehesha në jetë.
Rruga drejt qytetit m’u duk e largët.
U ktheva dhe mora drejtimin e aeroportit.
Në këtë qytet, askush më nuk më priste…
Kjo natë e errët, u bë nata e iluzionit dhe e zhgënjimit tim.


Zilja e telefonit, më shkundi nga hamendësimet.
Nuk e njihja numrin, por e hapa, ngaqë më morën në numrin tim personal, që e dinin pakëkush këtu.
– Babi, jam unë. Të pres këtu në hyrje.
Ishte vajza e madhe. 
– Ela në zyrë. T’i them portierit.
– Jo, babi. Eja ti këtu, – më kundërshtoi vajza.
Vajza punon në një shtet tjetër, dhe ka ardhur në Tiranë, të më takojë. Është hera e parë që vjen të më takojë, pasi jam emëruar këtu. Dhe, është e para e familjes, që vjen për mua.
Zbrita shkallët që të çojnë në hyrjen kryesore të institucionit. Diku, në një cep të sallonit, më zuri syri profilin e Eglës. Kishte mbështetur shpinën në mur, kishte kryqëzuar duart dhe më pa një çast. 
Nuk lëvizi. 
Më doli para vajza, e cila m’u hodh dhe më përqafoi.
– Babi, urime për punën. Ti e meriton.
E putha në ballë, ndërsa u mundova të mbaja pikën e lotit.
– Si erdhe kaq papritur? As më shkruajte që do vije.
– Doja të të bëja suprizë, babi.
– Dalim? – i thashë vajzës.
– Po, babi, nëse nuk ke më punë në zyrë.
Iu afrova portierit.
– Pritjen me qytetarët e kam në 15. – i thashë. Doja, që ta njoftonte Eglën, për orarin e pritjes. E dija, që ajo do të pyeste. Pa ardhur tani të më takojë.

Në zyrë u ktheva 5 minuta para orës 15. Me vajzën e lamë që drekën ta hanim në shtëpi. Do gatuante ajo. Nuk pranoi, të hanim jashtë.
“Dua të hamë në familje, babi”, më tha.
Thirra sekretaren dhe i thashë, të fut qytetarin e parë.
Sekretarja më tha, që vetëm ajo është. Nuk ka asnjë tjetër.
Tunda kokën, duke miratuar dhe ndërkaq unë u ktheva nga kompjuteri.
Egla kishte hyrë në zyrë, pa u ndjerë. Kur ngrita sytë, ajo qëndronte para meje.
U ktheva me profil drejt saj.
– Uluni. – e ftova në karriken përballë tavolinës timë.
– Më flet në shumës?- më foli Egla, me një ton të thatë.
– Ju dëgjoj. – i fola, pa i drejtuar sytë nga ajo, por duke u munduar të shkruaja diçka në një fletë të bardhë.
Doja të fshija emocionet e nervozizmit.
Në fakt, nuk do të dëshiroja që Egla të vinte në zyrën time. As, si qytetare për çfarëdo ankese.
Shumë-shumë mund të më takonte jashtë. Sa për të thënë, që, ja u takuam. Asgjë më shumë, nuk mund të ketë më midis nesh, sidomos, pas asaj nate të errët të asaj pritjeje. 

Nuk doja më nevojë për shpjegime…
– As në sy nuk më shikon dot më?- më foli Egla.
Unë ngrita sytë mekanikisht, duke e pare, ftohtë, siç shikoj një bar të tharë nga mungesa e ujit.
– Çfarë problemi të ka sjellë në zyrën time?
– Nuk mund të vija të të uroja?
Unë hodha sytë nga dritarja, si për t’i thënë, lëri këto komplimenta.  Po as urimi i saj nuk më vlen më.
– Kemi mbjellë ullinj dhe agrume, por nuk na kanë dhënë financime.
– Kush? Ti?- kur përmenda përemrin pronor, i dhashë tonit tim edhe nota sarkazme.
– Bashkë me vëllain e vogël. 
– Ku jeni ankuar deri tani?
– Kudo, po nuk na kanë dhënë zgjidhje.
– Pse erdhe ti këtu të ankohesh? Ti, sikur nuk interesoheshe për asgjë.
– Po, meqë ti je titullari.
– Dhe?….
– Shpresoj, që do ta zgjidhësh hallin.
– Ashtu?…- sërish nuk e fsheha tonin e ironisë.
– Vajza e madhe ishte ajo që erdhi e të takoi?- më pyeti Egla, me një ton të ngrohtë, intim.
Më ngacmoi pyetja e saj, dhe i mëshova fort stilolapsit mbi fletën e bardhë, sa më kërceu nga duart e nervozuara. Nuk doja t’i përgjigjesha.
Ngrita receptorin. Kërkova drejtorin përkatës. E ftova të vinte në zyrë.
– Keni dosjen me vete?- e pyeta Eglën, më shumë për t’iu shmangur pyetjes së saj për vajzën.
Egla më nxorri para një dosje të plotë.
Unë nuk e preka.
– Po më fsheh edhe sytë, – më tha Egla.
– Ke harruar që ke ardhur në një zyrë shteti.- i thashë prerë.
– Përse më sillesh kaq ftohtë. E meritoj?
Nuk iu përgjigja.
Nuk doja të hapja asnjë dialog. Çdo gjë midis nesh, përfundimisht e kisha varrosur në terrin e asaj nate. 
– Më kishe thënë, që Eglën e ëndërroje gjithë jetën tënde,- më foli Egla, me një ton të dridhur, lëngues.
– Atë natë, kuptova, që atë Eglë që ëndërroja unë,  e kam humbur përgjithmonë. Ajo Eglë që takova atë natë nuk ishte as Egla studente.
– Po cila Eglë? Ndonjë tjetër e dashur?- kësaj here toni i zërit të saj mbarti ironinë therrëse të saj.
–  Doja të takoja Eglën që unë fantazoja. Që ëndërroja. Doja të trupëzohej te ty, por…
– Por….
– Egla, ti ke dashuruar ndonjëherë? – ishte e vetmja pyetje, që mendoja tërë ndërkohën që ika larg saj, nga ajo errësirë e asaj natë, dhe që doja tja bëja, nëse ndonjëherë do ta takoja përballë.
Ja, rasti e solli, të jetë përballë meje, pavarësisht, se në zyrën time të punës.
– Ti ishe dashuria ime e parë. Ta kam pohuar kaq herë.
– Veçse tani nuk mund ta besoj që unë kam mbetur tek ti, akoma dashuria jote e parë.  Dhe as nuk mundem më  të të besoj kurrë.
– Pse? Pse nuk më beson tani. Kur u ritakuam, më besoje, sa herë ta thosha. Apo i ke harruar ato që më thoshe dhe më shkruaje.
– Asgjë nuk kam harruar. Asgjë. 
Ndërkohë në zyrë hyri drejtori që thirra.
E ftova të dëgjonte problemin e Eglës. 
Egla ia shpjegoi gjatë. Kur mbaroi, drejtori më pa në sy.
– Problemi që ngrë zonja, ne e kemi sqaruar zyrtarisht, dhe i kemi dhënë zgjedhjen, të cilën zonja nuk e pranon.
Unë dëgjoja në heshtje dialogun e tyre. Kuptova që drejtori kishte të drejtë. 
Egla, megjithëkëtë, kundërshtonte.
– Më falni, po unë nuk mund të bëj asgjë më shumë, nga përgjigja zyrtare që ju kemi dhënë, – tha drejtori dhe u bë gati të largohej.
Unë i bëra më shënjë që mund të largohej.
Kur mbetëm vetëm, pyeta Eglën.
– U binde dhe u sqarove për problemin që erdhët?
– Ty nuk mund të më ndihmosh?
– Si të të ndihmoj më shumë?
– Nëse ti e urdhëron drejtorin, ai mund të ndryshojë vendimin.
– Si mund ta urdhërojë unë drejtorin?
– E ke pushtetin mbi atë.
– Egla, vërtet, ma kërkon ta bëjë këtë?
– Prandaj, erdha te ty.
Atëhere, fillimisht sa filluam të flisnim, e pyeta Eglën përse ishte ndarë. Ajo më rrëfeu gjithë jetën e saj. Me një ton të butë, sa mua m’u duk se më hapi zemrën e saj. Dridhesha, kur më pohonte vuajtjet shpirtërore dhe fizike, që i kishte bërë bashkëshorti, sa më tha: 
– Kur nuk duroja dot më torturat e tij, mora fëmijët dhe u fsheha, të mos më gjente më kurrë. Kështu, shpëtova nga ai. 
– Po pastaj?
– Bashkëjetova me një 5 vite. 
– U martuat?
– Jo. Unë nuk pranova të martohesha, se kisha fëmijë. Bashkëjetonim në shtëpi të ndryshme. Ai më ndihmoi ekonomikisht, fillimisht.
– Pse u ndatë.
– Eh. Nuk bëhej më.
– Nuk munde të gjeje dikë të martoheshe?
– Jo, nuk doja martesë më. Bashkëjetova pastaj, me një 15 vite. Ai është nëpunës dhe ka të ardhura. Më ndihmoi për gjithçka.
– Ndenjët në një shtëpi?
– Jo, me asnjë nuk pranoj të rri në një shtëpi, derisa kam fëmijët. Unë shkoja te ai, ndërsa atë nuk e solla kurrë në shtëpi. As te njerëzit e mi nuk e çova.
– Po fëmijët?
– Ata nuk e donin.
– Përse?
– Thjesht nuk e donin.
– Po ty, si e mbaje lidhjen 15 vite, kur nuk ta donin fëmijët?
– Po ai më plotësonte çdo nevojë. Unë kisha nevojë për ndihmë. Si do ta përballoja jetën e vetme.
– E dashuroje?
– Jo, jo. Nuk ndjeja asgjë. Thjesht, bashkëjetonim. Ishte i mirë për krevat. Kjo më mjaftonte. 
– Po tani, pse u ndatë pas 15 vitesh?
– Unë e lashë. Këtë behar ai nuk ma vari fare. Nuk më çoi për pushime asgjëkundi. Iku me shokët e tij, dhe më harroi mua.
– Mbase ai ka ndonjë të dashur tjetër?
– Nuk e di. Nuk e besoj. Edhe mundet. Po, me mua ai sillej mirë, kur ishte. Humbiste, por sërish vinte te unë. 
– Po tani, nuk erdhi sërish te ty.
– Tani vjen përditë dhe më lutet. Edhe qan. Madje më tha, që ka marrë kredi të blejë dhe një shtëpi për ne.
– Po ty çfarë i the?
– Sa herë kemi bërë kështu. Shumë herë ia kam falur.
– Mbase ia fal edhe këtë herë.
– Jo. Këtë herë jo. Unë shkova dhe mora edhe gjërat e mia që kisha te shtëpia e tij. 
– Ku e di ti, se kësaj here nuk do t’ja falësh?
– Sepse tani gjeta ty. 
– Vërtet?
– Edhe sikur të të mos kisha gjetur ty, tek ai nuk shkoja më. Do gjeja një tjetër. Ai humbi përfundimisht për mua.
– Shumë plagë ke marrë në jetë.
– Unë mundohem t’i harroj ato. Të mos kujtoj asgjë. Sepse, po t’i kujtoj, do të çmendem. Ndaj, i harroj shpejt, që të jetoj sa më mirë, atë që zgjedh në çast. 
– Kështu, mund të gabosh shpeshherë dhe plagos edhe vetveten shpeshherë.
– E di, por sa herë, i harroj shpejt, që të mos ndjej dhimbje nga plagët. Nuk kam as kohë të pranoj gabimet. Mundohem të gjej diçka të re, që më shërben, që më ndihmon…
Ndoshta, edhe për atë natë, Egla e harroi kaq shpejt, sa pa u gdhirë mëngjezi.
Ndaj, nuk ndjeu dhimbje për humbjen tonë të dytë, siç nuk e ka ndjerë edhe humbjen tonë të parë. Nuk më tha asnjëherë, që më kishte kujtuar. Të paktën është e sinqertë. Nuk shtiret, sado e hidhur, sado plagë të shkaktojë.
Dhimbjen e atij zhgënjimi e përjetova unë. Humba vetbesimin te vetja ime. Nuk i besoja më vetvetes. 
– Egla, pak më parë të pyeta. A ke dashuruar ndonjëherë në jetën tënde?
– Po, por jam vrarë.
– Nuk ke dashuruar asnjëherë Egla. Ke ndjerë, por nuk ke dashuruar. Siç e the edhe vetë. Çdo gjë e fshije nga vetvetja jote, nga kujtesa jote, nga ndjenja jote, që të të mos shkaktonte dhimbje, sa të çmendeshe. Ti doje të jetoje. 
– Pse, është mëkat, të duash të jetosh?
– Jo. Nuk është mëkat. Është e drejta më e ligjshme, më madhore e çdo njeriu të jetojë. Por, varet se çfarë zgjedhje bën, për të jetuar.
– Çdo të thuash me atë, që “ çfarë zgjedhje bën, për të jetuar”?
– Egla, në jetën tënde, ke bërë zgjedhje, për të jetuar me sa më pak mundime dhe me një komoditet, që është përtej aftësive të tua. Je mbështetur te të tjerët, duke u dhënë. Më kuptove?
– Kështu mendon ti për mua?
– Të kujtohet çfarë më the? U ndave me ish-in e fundit, vetëm e vetëm, që këtë behar nuk të çoi nëpër ishuj, po mbete në qytet.
– Nuk ishte vetëm ajo arësyeja. Më ishte rënduar, më ishte mërzitur…
– Tani, erdhe te unë, që të më kërkosh, që domosdo unë të zgjidh problemin në favor tënd, edhe pse e kupton, që nuk ke të drejtë.
– Po edhe të tjerë, kanë përfituar, sepse kanë patur ndihmë. Është e keqe e madhe, nëse edhe unë përfitoj, si ata?
– Po ti erdhe te unë, si Egla, që unë dashuroja. Apo jo?
– Bëra gabim, që erdha tek ty si Egla që ti dashuron?

  • Dashuroja…
  • Pse, nuk më dashuron më?
    – E di ty, që atë natë, kur unë erdha tek ty, kisha në xhep vetëm atë 20 euro që ta dhashë ta merrje të paguaje autostradën?
    – Prandaj nuk ta mora, sepse e dija që kishe vetëm atë.
    – Po, pse kisha vetëm atë, e mësove dot?
    – Ty nuk më kishe thënë asgjë.
    – Isha në spital 6 muaj nga aksidenti. 30 ditë në koma. Kisha 1 javë që kisha dalë nga spitali, kur erdha te ty.
    – Vërtet? Tani m’i thua?
    – Ndërsa ty, atë natë, nuk më puthe, sepse unë nuk isha romantik, ashtu siç e mendove ti, ngaqë nuk të solla lule. 
    – Ishim të dashuruar dhe e dashura ëndërron buqetën e lules nga i dashuri. 
    – Ishim të dashuruar?…Nuk e besoj. 
    – Vërtet nuk e beson, se unë të doja?
    – Më doje sipas mënyrë tënde. Siç ke dashur edhe bashkëjetuesit e tjerë. 
    – Po më gjykon?
    – Jo. Doja të të thosha, që isha kaq i dashuruar me ty, besova kaq shumë te ndjenja jote, saqë u bëra kaq romantik, sa erdha te ty, edhe pse ende ndjeja dhimbje nga plagët, gjatë gjithë fluturimit. 
    – Nuk e dija, që ishe i plagosur. Po ta dija, do të kisha ardhur unë te ty.
    – Por, atë natë që erdha tek ty për ty, ty ngrive, sepse kuptove që unë isha xhepzbazur. Ty nuk të interesoi kaq shumë zemra ime, sa ishte e mbushur me ndjenja për ty.
    – Po më vret.
    – E di, që shumë shpejt, do ta fshish edhe këtë plagë, të fjalëve të mia. Që, siç më ke thënë, të mos vuash, të mos çmendesh nga dhimbja, sepse, do që të jetosh. Të jetosh sa më mirë.
    – Do të më thuash, që gabova që erdha dhe kërkova ndihmën tënde?
    – Ajo që kërkon nga unë tani, nuk quhet ndihmë. Është privilegj. Madje, privilegj i kundërligjshëm. Që unë, këtë privilegj nuk mund ta bëj për askënd. As për ty! Siç nuk bëra për ty, hipokrizi as në ndjenjë. 
    Shtrëngova stilolapsin aq fort në dorë, sa e thyeva. 
    Egla ndënji një çast me sytë nga dritarja.
    Pastaj, u ngrit, mori çantën dhe doli pa më përshëndetur. La derën hapur…
    Ndoshta, mirë bëri.

Në zyrë, duhej të hynte një erë e freskët.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

VLERA E RESPEKTIT

Next Post

Çfarë më bëri i dashuri i mamit...

Advertisement