Unë që po shkruaj këtë histori për ju sot, jam një femër në moshën 40 vjeçare. Jam beqare dhe nuk kam fëmijë. Kur isha në moshë shumë të vogël, babai im zbuloi mamin tim me një të dashur. Ai po kthehej nga puna më herët se zakonisht dhe e gjeti mamin me një burrë në shtëpi. Atëhere, vrasjet ishin të pamundura, nuk mund të vrisje asnjë njeri kështu që ata u ndanë dhe unë iu besova nënës sime. Mbas shtatë muajsh, lindi vëllai im.

Babai im më thoshte gjithmonë kur e takoja se unë isha fëmija i tij i vetëm dhe se më donte më shumë se çdo gjë në botë. Pra, me vëllanë, kishim vetëm nënën të përbashkët. Shteti na dha një shtëpi të vogël dhe e rifilluam jetën qetësisht. Mami punonte në bibliotekë dhe unë vazhdoja shkollën, sepse isha e vogël. Vitet kaluan, vëllai u rrit dhe unë gjithashtu, por mamaja nuk u martua. Kur unë isha në klasë të tetë, në shtëpi filloi të vinte një burrë që punonte me mamin. Ai i shpeshtoi ardhjet. Vinte mbasdite pas punës, hante drekën me ne, rrinte gjithë mbasditen e në darkë largohej. Unë mbasdite mësoja dhe futesha në dhomën time që të studioja në qetësi. Kjo gjë zgjati goxha kohë. Ai njeri tashmë na ishte bërë si i shtëpisë dhe kushërinjtë e pakët që na vinin, ia shtronin muhabetit me të sikur ai të ishte babai ynë.

Unë isha gjithmonë e mërzitur dhe me të flisja shumë pak, ndërsa mamanë nuk e doja ashtu siç e kisha dashur më parë. Kur ajo kishte gabuar herën e parë isha shumë e vogël dhe nuk i kuptoja mirë gjërat, por tani isha rritur dhe e dija se ajo po vepronte gabim, prandaj kisha krijuar këtë “urrejtje” për të. Por dhe kjo gjë ndryshoi. Ai tashmë rrinte edhe për darkë dhe filloi të flinte te  ne. Mami na nxori mua e vëllain në kuzhinë dhe ai zuri vendin tonë. U mërzita shumë. Ai njeri na mori mamin dhe tashmë u kthye në pjesëtar të familjës sonë.

Por, a do të martoheshin vallë? Kjo pyetje më vinte vërdallë në kokë dhe më prishte gjumin e më shpërqendronte në mësime. A do të bënin dasëm? A do të vishej mamaja me të bardha? E, sa e vrisja mendjen dhe unë, nuk rrija rehat ashtu si vëllai, i cili kënaqej me dhuratat që i blinte ai. Por unë s`mund të bëja kështu.

Një ditë, mami erdhi nga puna dhe u shtri në divan duke qarë. E pyeta se ç`kishte, por ajo nuk m’u përgjigj. Pas pak erdhi tezja dhe ato të dyja filluan të pëshpërisnin siç e kishin zakon të tregonin “hallet” e tyre.

Më vonë mora vesh se i dashuri i mamit që vinte te ne ishte martuar me një vajzë të re, prandaj ajo ishte tronditur aq shumë. Ajo u trondit, por unë u gëzova pa masë. Ditët në vazhdim, mami ishte shumë e mërzitur. Unë e ndihmoja, sepse isha e lirshme dhe më vinte keq që ishte e mërzitur, por mendoja se mërzia do t’i kalonte dhe pastaj do të ishim të lumtur të tre, pa atë të dashurin e saj, që e urreja. Kaloi një kohë e gjatë dhe ajo e mori pak veten. Mundohej ta fshihte atë që e mundonte, por unë e kuptoja shumë mirë se ajo nuk e kishte harruar, sepse disa herë e gjeja duke qarë në dhomë. Ndërsa për mua dhe vëllanë, gjithçka ishte kthyer në normalitet. Jetonim në shtëpinë tonë vetëm ne që kishim të njëjtin gjak. Një ditë, kur çdo gjë shkonte si vaj, mbasdite, kur isha në dhomë e po studioja, dëgjova disa zëra nga kuzhina. Hapa derën. Jo, s`ka mundësi! Mami po bisedonte me atë. Ai ishte ulur te kolltuku ku ulej gjithmonë dhe ajo dukej sikur ishte mbi re. Kishte harruar gjithë atë hidhërim që kaloi nga ky njeri, që për mua vetëm njeri nuk ishte.

 –  Zemër  –  më tha mami  –  eja shiko kush ka ardhur. Eja zemër!

Nuk isha mësuar ta kundërshtoja asnjëherë mamanë, kështu që u afrova dhe shtriva dorën t’ia jepja. I shtriva dorën njeriut që urreja më shumë në botë.

 – Po pse, dorën do më japësh, moj zemër? – më tha ai – Më jep faqen, atë dua unë. Më ka marrë malli për faqen tënde.

Unë nuk lëviza nga vendi. “Po “zemër”, pse më thoshte?”. U ktheva nga mami, por ajo buzëqeshte dhe më shtyu tek ai.

Kur pashë se ç`mama të dobët kisha, mora guximin dhe i thashë:

 – Nuk jam zemra jote!

Në moment, në faqen time u përplas një shuplakë e fuqishme sa gati më dolën sytë nga vendi. Mami ishte tromaksur nga ajo që thashë unë. Ai u ngrit dhe i tha:

 – Mos kështu! Ajo është fëmijë…  – dhe u kthye nga unë e, duke më vënë dorën e tij të stërmadhe në faqen ku më kishte goditur mami, më pyeti: – Të dhemb? Unë po shqiptoja fjalët që të tha mami. Të thashë “zemër” se ashtu të thirri edhe ajo. Më fal, nuk do ta bëj më atë gabim.

Në atë çast, nuk e di se ç`më ndodhi. Nga mungesa e përhershme e dashurisë së babit apo nga ngrohtësia e fjalëve të tij, si me magji, m’u fanit urrejtja që kisha për atë njeri. Ai m’u duk aq i ëmbël dhe aq i dashur! Nuk fola, por ai ma bëri me shenjë që ta mbështesja kokën te kraharori i tij dhe unë nuk kundërshtova; kisha nevojë për atë përqafim. Hodha sytë nga mami dhe ajo ma bëri me kokë se mund ta bëja një gjest të tillë.

 – E shikon sa shumë të do? Ai na do të treve. Edhe ty, që sillesh aq keq.

Tani, kur i kujtoj këto fjalë, mendoj se sa grua e dobët ishte. Ajo nuk shihte rreth saj, ajo kishte sy vetëm për atë. Ai e kishte hipnotizuar, tamam ashtu siç më ndodhi mua.

Fillova ta pranoja se ai ishte fiks për familjen tonë. Ai, edhe pse ishte martuar, pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtëpinë tonë. Mamanë e donte njësoj siç e kishte dashur më parë, ndërsa ajo e donte dyfish, pa limit, shkurt, çmendej pas tij. Koha kaloi dhe unë tashmë isha bërë një vajzë e rritur. Ai ishte bërë i “yni” dhe historia ime e vërtetë fillon këtu. Mami kishte ikur te tezja, e cila ishte sëmurë me grip. Ra zilja dhe vrapova për ta hapur. E kisha këtë zakon; kur binte zilja, gjithmonë e përshkoja korridorin me vrap që të hapja derën. Kjo më ndodhte edhe kur në shtëpi ishim të gjithë dhe nuk mungonte askush. Si duket, në zemrën time mungonte gjithmonë ai, babai dhe çdo e hapur e derës më bënte të mendoja se mund të ishte ai e kishte ardhur të rrinte me ne përgjithmonë.

Kur hapa derën, pashë që ishte “zëvendësi” i babit. Ishte ai. U fut brenda si në shtëpinë e vet.

 – Mami nuk është – i thashë dhe nuk e di se ç`ndjeva kur e pashë në derë. Kisha kohë që e kisha pranuar dhe nuk i mbaja inat, madje për çdo gjë i kërkoja ndihmë dhe ai më gjendej gjithmonë pranë. Ai kujdesej shumë për mua, për vëllanë dhe posaçërisht, për mamanë.

 – E di – më tha – po sot nuk kam ardhur për mamin, por për ty.

 – Për mua? – u habita.

 – Po, për ty. Ti për mua je gjithçka!

 – E di që më do si vajzën tënde – nuk e lashë unë të fliste, sepse diç parandjeva.

 – Po, po, tamam, por baballarët e vërtetë nuk i duan vajzat e tyre aq shumë sa të dua unë ty. Unë të dua më shumë se babi yt. Ai të do si vajzë, ndërsa unë të dua si vajzë dhe si femër e magjishme, si femra më e bukur që kam parë ndonjëherë!

Ai filloi të më prekte, të më puthte dhe unë nuk i ktheja dot përgjigje dhe nuk e kundërshtova. Më pëlqyen fjalët dhe puthjet e tij. Ai na kishte “bërë magji” të gjithëve. Unë isha e virgjër dhe, si për herë të parë, u ndjeva për mrekulli. Ai ishte i paarritshëm!

Kur çdo gjë mbaroi, u kthjellova. Ç`kisha bërë? Ua, sa turp! Po atë e kisha si baba. Po mami, ç’do të thoshte?

 – Ç’bëmë kështu? Po sikur të vijë mami? – i thashë atij – Fol të lutem, ç`do të bëjmë tani?

 – Të lutem, më lër ta shijoj këtë që kam kohë që po e pres! – tha ai gjakftohtë.

 – Nuk mund të rrish ashtu, mami do të vijë nga çasti në çast. Jemi të vdekur. Ajo do të çmendet. Ngrihu!

Ai u ngrit dhe unë, pas tij. Rregulluam gjithçka. Asnjë shenjë e mëkatit nuk kishte mbetur. Po në ndërgjegjen time dhe të atij, ç’kishte ngelur?

Ai dukej shumë i qetë. Ai këtë e paskësh planifikuar prej kohësh, po edhe mua më pëlqeu. Tani kishte filluar një epokë e re, një tradhti brenda familjes. Turpi s`ka fund! Njeriu është si kafsha. Ndërgjegjja nuk vepron gjithnjë. E keqja është se unë duhet të ndihesha fajtore, por në fund të fundit, mami s’e kishte as burrë. Ai u largua dhe koha që kaloi derisa erdhi mami, m’u duk një shekull. Po sikur ajo të nuhaste ndonjë gjë? Lëre mua ç’do më bënte, po ç’nuk pritej, as që mund ta imagjinoj.

Ajo erdhi. Ishte lodhur shumë në punë. Unë i solla drekën dhe më pas, i thashë që të shtrihej se do t`i bëja unë punët.

 – Nuk ke mësime për nesër? – më tha ajo duke më parë me sy dyshues – Ç’ke sot ti? Mos ke marrë ndonjë notë të keqe?

 – Jo, jo – ula sytë për të mos e parë – i kam bërë sot, erdha herët nga shkolla.

Ajo nuk kuptoi asgjë. Në darkë erdhi ai. Kur ra dera, mendoja se si do të sillej tani ai, por ai si gjithmonë nuk kishte ndryshuar asgjë. Nuk binte në sy asnjë gjest i tepruar. Edhe unë luajta të njëjtin rol, por për pak kohë se nuk duroja dhe u mbylla në dhomë. Sa i qetë që ishte ai! Kështu vazhdoi jeta jonë. Ai, herë shkonte me mua, herë me mamin. Si kafshët! E mua nuk më bënte përshtypje aspak kjo tradhti ndaj mamasë. Po ai, si ia dilte? Nuk e mora vesh asnjëherë. Po mamaja, kishte nuhatur gjë? Kjo zgjati tre vjet. Tre vitet e pisëta të jetës sime. Ne u larguam për në kryeqytet dhe ai na vizitonte më rrallë. Pasi nuk na eci mirë gjendja ekonomike në Shqipëri, emigruam për në Itali. Atje unë njoha të dashurin tim të parë. Them “i parë” sepse kjo ishte dashuri e vërtetë e jo ajo e imponuar dhe ndoshta imitim i asaj që bënte mamaja. Më vonë, ai u bë burri im dhe jetuam e jemi përsëri bashkë, vetëm se nuk kemi patur fatin të kemi fëmijë. Këtë histori nuk ia kam treguar as burrit tim dhe asnjeriu tjetër, sepse më vjen shumë turp dhe është e natyrshme që duhet të më vijë turp. Ndoshta është vonë, por mendoj se e kam marrë ndëshkimin; nuk do të bëhem kurrë nënë. Ndoshta nuk isha e denjë për një mision të tillë. Të jesh nënë është një privilegj dhe, si duket, unë nuk e meritoj këtë.

Mami im tashmë ka goxha moshë dhe jeta e ka mësuar se më mirë është të jesh vetëm sesa me një njeri që nuk të meriton, veçse edhe ajo, këtë mësim duhet ta kishte marrë në kohë e jo tani që nuk ka më efekt. Nganjëherë shoh se do të më thotë diçka, por nuk ka guxim dhe ndoshta ndonjë ditë do ta gjejë guximin, por unë si do t`i përgjigjem? S’e di. T’ia lëmë kohës. Më e keqja ka kaluar, tani mbetet vetëm ballafaqimi, që mendoj se është shumë i vështirë, por nuk krahasohet me ato që kemi kaluar. Njeriu vetëm gabon dhe kur i kupton gabimet, është tepër vonë. Nga anët tona, thuhet: “Çdo gjë lahet në këtë botë”.

Nga kjo histori, vëllai doli më mirë se ne të gjithë, ndoshta pse ishte mashkull. Fati i tij! Atë njeri nuk e kam parë qëkur kemi emigruar, por mendoj se edhe po ta shihja, nuk besoj se do ta shaja. Edhe unë kisha pjesën time të fajit. Ai nuk më bëri asgjë me zor. Unë ndjeva kënaqësi dhe e përjetova shumë mirë. Ndoshta s`ishte faji i askujt dhe kjo gjë ishte për t’u bërë. Tani më nuk ka asgjë rëndësi, vetëm brerja e ndërgjegjjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *