Dy shokë nga Gjirokastra na shkruajnë se dëshirojnë të dijnë cilat janë shkaqet që e shtyjnë një grua në tradhëti bashkëshortore. Megjithëse vetë problemi është delikat dhe shkaqet janë të shumta e të natyrave nga më të ndryshmet, duke u mbështetur në mendimin e psikologëve dhe seksologëve më të njohur, po përpiqemi t’ua plotësojmë dëshirën, duke theksuar disa prej motiveve që i shtyjnë gratë drejt tradhtisë…

1. Pakënaqësia seksuale ndaj partnerit

Sipas specialistëve, shkaku kryesor që i shtyn gratë t’i tradhtojnë bashkëshortët e tyre, sado banal që të duket, është pakënaqësia e tyre nga marrëdhëniet seksuale bashkëshortore dhe, në radhë të parë, mungesa e orgazmave gjatë këtyre marrëdhënieve. Çdo femre, sado e “ftohtë” të duket, nuk i mungon aftësia për ta arritur orgazmën gjatë kontaktit seksual dhe, në qoftë se ajo nuk e arrin atë për një kohë pak a shumë të gjatë, atëhere, në kushtet e mospajtimit seksual të të dy partnerëve, do të fillojë ta kërkojë kënaqësinë gjetkë… Në këtë rast, në fakt, shumë gra nxitohen dhe zgjedhin rrugën më të shkurtër, sepse, sipas mendimit të shumë psikoterapeutëve, ky është një problem që zgjidhet pa shumë vështirësi. Për këtë, në radhë të parë, ato duhet të hyjnë në rrugën e dialogut me bashkëshortin e tyre dhe t’i paraqesin atij gjendjen reale. Si rregull, gratë kanë frikë të ngrenë para bashkëshortëve të tyre probleme të kësaj natyre, i kalojnë ato në heshtje dhe e lënë pakënaqësinë të shtohet… Ndërkaq, gruaja mund të takojë fare rastësisht një njeri me të cilin, edhe në mungesë të lidhjeve emocionale e të ndjenjave të dashurisë, të arrijë në orgazëm. Veç kësaj, po të flasim për anën fiziologjike të problemit, gruan e shtyn në këtë rrugë jo vetëm pakënaqësia për arritjen e orgazmave dhe cilësinë e seksit, por edhe për sasinë e kontakteve brenda një kohe të caktuar. Natyrisht, e kemi fjalën për gratë normale, të cilat mbeten të pakënaqura kur numri i kontakteve seksuale me bashkëshortin ulet “nën normë” për mungesë të iniciativës së burrit, kur ai fillon e justifikohet se i dhemb koka dhe s’e ndjen veten mirë, se është i lodhur, i mërzitur, etj.

Me këtë rast, psikologët dhe seksologët kanë porosi të veçantë për burrat: “Mendohuni mirë kur i ktheni kurrizin në shtrat bashkëshortes, pasi ajo ka nevojë për ju dhe afërsinë tuaj, jo vetëm kur t’ju teket juve, një herë në muaj, por edhe më dendur”, ndërsa grave ata u japin këtë këshillë: “O gra, mos druani, flisni hapur me bashkëshortët tuaj, pagëzojini gjërat me emrat që kanë, pa zbutur asgjë. Në fund të fundit, kush do t’ju shajë juve sepse doni ta gëzoni sa më shumë jetën me bashkëshortët tuaj? Bisedoni për këtë shtruar me burrat tuaj”. Natyrisht, këto biseda duhen bërë me kujdes, duke mbajtur parasysh masën e rrethanat konkrete dhe sidomos, anën etike, që të mos i fyejnë partnerët e tyre, sidomos të mos prekin sedrën prej mashkulli, e cila në këto raste, është shumë e ndjeshme…

2. Larja e “hesapeve”

E kemi fjalën për rastet kur gratë, me atë akt, sikur duan t’i thonë bashkëshortit: “Tani jemi jek e jek, s’i kemi asnjë borxh njëri-tjetrit!”.

Shkaku i dytë, që i shtyn gratë në tradhti bashkëshortore, jo më pak i përhapur se i pari, eshtë, sipas specialistëve, edhe ndjenja e hakmarrjes. Në këtë mes, rolin nxitës e luan vetë burri, shembulli i tij. Ka disa meshkuj, madje, që edhe krekosen para grave të tyre se ata janë “më të zotët”, edhe pas pesë vjetësh martese mund të martohen me një tetëmbëdhjetë vjeçare, se ata janë në gjendje të mbajnë “një harem të tërë”, etj. Gratë që janë shumë të ndjeshme në këtë drejtim, me të marrë vesh se bashkëshorti i tyre ka filluar të flirtojë me njërën ose me tjetrën, ia shpërblejnë atij këtë tradhti me “të njëjtën monedhë”. E bëjnë këtë veprim, së pari, për të treguar se edhe ato nuk janë më pak të zonjat dhe më pak të kërkuara se partnerët dhe e dyta, sepse në këtë mënyrë e kalojnë më lehtë dhe pa shumë dhimbje, situatën e krijuar… Por, koncepti i “hakmarrjes” përfshin një sferë të gjerë rrethanash që e shtyjnë gruan të zërë dashnor. Ky mund të jetë edhe synimi për të shpëtuar nga vartësia psikologjike, kur burri i privon gruas së tij të drejtën për të shfaqur prirjet dhe individualitetin e vet, kur përpiqet ta shndërrojë atë në një skllave, në një amvisë të thjeshtë, etj. Këtyre meshkujve është mirë t’u kujtohet fjala e urtë se “gruaja e skllavëruar t’i vë brirët më të gjatë se gruaja e lirë”. Gruaja e “skllavëruar” do të përpiqet ta gjejë afirmimin e saj në sytë e burrave të tjerë, në sytë e atyre që mund t’i japin asaj shpresë se me ta do ta ndjejë veten më shumë se një amvisë, do ta ndjejë veten një grua moderne, të emancipuar…

Është interesante, por e njëjta grua, me meshkuj të ndryshëm, mund të shfaqë anë të ndryshme të individualitetit të saj dhe kësisoj, mund të zërë edhe më shumë se një dashnor. Le të mos harrojmë se përqindja e ndarjes së çifteve, ku burri e mban gruan “të nënshtruar”, është shtuar shumë kohët e fundit edhe në vendin tonë…

3. Vdekja e dashurisë së vjetër dhe lindja e një dashurie të re

Edhe vdekja e dashurisë së vjetër dhe ndjenja e një dashurie të re mund të bëhet shkas për ta shtyrë gruan drejt tradhtisë bashkëshortore. Ndodh që marrëdhëniet intime familjare pas njëfarë kohe të kalojnë në rutinë, krevati bashkëshortor “ftohet”, e humbet magjinë tërheqëse, ndërsa bashkëshortët i “mbijnë në sy njëri-tjetrit”. Në këto e sipër, del në horizont “Ai”, mashkulli ideal i jetës tënde, të cilit ti nuk i njeh asnjë të metë e mangësi. Ai, para teje, del gjithmonë i veshur si dhëndërr, me kravatë, me këpucë të llustruara, ngaherë i buzëqeshur, me sytë që i shkëlqejnë nga potenca seksuale dhe gëzimi i jetës… Atij ti nuk i ke dëgjuar asnjë rënkim apo psherëtimë, ai s’di të kollitet… “Oh, thua ti me vete, ja, ky është burrë! Të kem gabuar vallë, kur rashë në krahët e atij të  humburit që kam në shtëpi? Me siguri që kam gabuar. E re kam qenë, pa përvojë kam qenë…”. Mirëpo, si thotë një fjalë e urtë popullore, “atje ku fillojnë krahasimet e burrit tënd me të tjerët, dashuria ka vdekur me kohë ose është në grahmat e fundit”. Disa gra, duke u ndodhur në një situatë të tillë, natyrisht, kanë frikë t’i hyjnë rrugës së ndryshimeve, kanë frikë t’i ndërpresin marrëdhëniet bashkëshortore dhe të fillojnë marrëdhënie të tjera nga e para sheshit, ligjërisht, pra, të ndahen… Atëhere? Atëhere e shohin më të arsyeshme të dyzohen; edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet. Ato vazhdojnë të flenë në shtratin bashkëshortor, vazhdojnë të hanë e të pinë me “katranin” dhe shkojnë ta bëjnë “qejfin” me “Katanin”, pra, zënë të dashur në ilegalitet të plotë… Mirë? Keq? Ndoshta do të ishte më mirë të shkëputeshin nga lidhjet e para, t’i jepnin mundësi edhe atij mjerani ta “rregullonte jetën” sipas mënyrës së vet. Natyrisht, secili e di vetë “se ku i pikon shtëpia”, e zgjedh vetë rrugën që duhet ndjekur, por edhe të rrish të vuash gjithë jetën për një gabim që e ke bërë në moshë të re, nuk është e drejtë. Nga ana tjetër, s’ka se si të mos mbash parasysh se të gjitha sekretet dalin në një ditë të bukur dhe ti mbetesh para syve të të tjerëve ashtu sikurse je: Gënjeshtare, hipokrite, e dyzuar.

4. Mospajtimet për probleme të rëndësishme të jetës së përbashkët

Ky është një shkak që ndikon edhe drejtpërdrejt, edhe indirekt te tradhtia. I rëndë, shumë i rëndë është fati i një gruaje që e ka bashkëshortin grindavec. Ndikon drejtpërdrejt sepse burri grindavec e mban gruan gjithë kohën në një tension të madh shpirtëror, i krijon strese, të cilat ajo përpiqet t’i shkarkojë, qoftë edhe duke u shoqëruar me një mashkull tjetër, për të zhvilluar një bisedë normale, për të dëgjuar një zë të qetë mashkulli. Ndikon tërthorazi se burri grindavec e mërzit aq shumë të shoqen gjatë gjithë ditës, saqë në mbrëmje ajo e ndjen veten të lodhur  për t’iu përgjigjur kërkesave të tij për seks…

Shkaqe të tjera

Këto janë, me pak fjalë, shkaqet kryesore që e shtyjnë një grua të kërkojë të dashur dhe të futet në rrugën e tradhtisë bashkëshortore, por këto përsëri nuk e shterojnë plotësisht pyetjen e shtruar në fillim të artikullit: Ka, natyrisht edhe shumë shkaqe të tjera të dorës së dytë dhe të tretë, të cilave është e vështirë t’ua gjesh rrënjët… Sidoqoftë, një gjë është e qartë; gratë duan të kompensojnë atë çka u mungon në jetën e tyre bashkëshortore dhe kjo, deri diku, është brenda natyrës njerëzore. Çdo njeri kërkon atë që i mungon, apo jo? Ndodh, ta zëmë, se bashkëshorti i X-it është tullac, i pakët në trup, ndërsa ajo mban ende shoqëri me shokun e universitetit, leshtor, truphedhur, një maço i vërtetë muskuloz… Mund të ndodhë edhe tjetra: Burri i Y-nit është paksa i kursyer në lëdhatime, puthjet e nxehta që i jep e shoqja, nuk i bëjnë asnjë përshtypje. Kësisoj, dashur padashur, në shpirtin e saj ndjehet mungesa e një mashkulli ledhatar, të ndjeshëm, romantik…

Me kë tradhtojnë?

Edhe dashnorët mund t’i ndash gjithashtu në tri kategori; Dashnor thjesht për seks, dashnor për afinitet shpirtëror dhe dashnorë virtualë…

Dashnorë për seks

Dashnorët për seks i zënë gratë e pikës së parë, që kanë pakënaqësi të theksuara nga marrëdhëniet seksuale me bashkëshortët e tyre, kryesisht ato, që nuk arrijnë orgazëm. Ato mund të jenë lidhur me një njeri të mrekullueshëm, të sjellshëm, pa shumë pretendime për gruan si amvisë, që përgatit vetë mëngjesin dhe nuk i imponohet kurrë asaj, një njeri i afruar dhe i dhimbshëm, që i fërkon së shoqes supet kur e sheh të lodhur, mirëpo në krevat është një zero me xhufkë, si i thonë fjalës, ose nuk ka qejf të puthë…

Burri s’do? Atëhere zë një të dashur. Nuk ka rëndësi nëse ai është beqar apo i martuar, mjafton të dijë të puthë mirë… Gruaja takohet me të periodikisht dhe pasi ngarkohet me emocione pozitive nga puthjet e tij virtuoze, shkon në shtëpi të saj dhe dashnori shkon në punë të vet… Të gjesh një dashnor të tillë për seks, nuk është vështirësi e madhe. Një të tillë e gjen kudo; në punë, në park, në oborrin para pallatit, por sidoqoftë, specialistët vënë në dukje se orgazmat e arrira në këtë rrugë, nuk jane orgazma të mirëfillta, janë si surrogati i krahasuar me kafenë…

Dashnorët, për afinitet shpirtëror

Dashnorë të tillë zënë ato gra që nuk e gjejnë afinitetin shpirtëror te bashkëshorti i tyre. Burri i një gruaje, fjala vjen, është gjigand, me potencë të madhe seksuale, mirëpo i heshtur si peshk dhe gjallërohet vetëm para ekranit, kur fiton skuadra e tij e zemrës. Ai njeh vetëm futbollin, mirëpo bashkëshortes së tij të varfër i shkon mendja nganjëherë edhe te teatri, dëshiron të lexojë dhe të ndajë përshtypjet për librin e ri me dikë, ka nevojë, në fund të fundit, edhe për një shëtitje të thjeshtë në park e të bisedojë me të shoqin. Po me kë të bisedojë? Atij i është bërë mendja “futboll”. Atëhere? Lind nevoja për të “biseduar” me dikë tjetër! Dhe ja, shfaqet në horizont ai, të cilin zakonisht e quajnë “shok”, mik shtëpie apo fqinjë dhe fillojnë bisedat për gjithçka. Seks, zakonisht, këtyre grave nuk u duhet; ato janë të ngopura me “demat” e tyre. Ato kanë nevojë vetëm të bisedojnë, të shkëmbejnë një mendim për një film, për një libër, për një artist të dëgjuar, për një lule dhe peizazh të bukur, ato kanë nevojë për shoqërinë e një mashkulli me horizont më të gjerë se ai i bashkëshortëve të tyre… Me një fjalë, atyre u duhet dhe kërkojnë vetëm “seks intelektual”. Natyrisht, fillimisht, kjo shoqëri dhe miqësi nuk ka asgjë të keqe, por si i thonë, dardha e ka bishtin prapa. Ç’do të ndodhë sikur nga afërsia shpirtërore, nga mendimet e përbashkëta, nga simpatia e thjeshtë për njëri-tjetrin, të lindë dashuria? Shoku, miku, do të shndërrohet në dashnor.

Dashnorët virtualë

Në grupin e tretë të dashnorëve mund të futim ata që duken më pak të rrezikshëm; që zihen rastësisht në telefon, nga një telefonatë në dukje rastësore apo në internet. Personat që bisedojnë nuk njihen dhe kjo, nuk është tradhti, mirëpo pasi trashet muhabeti, gruas i lind dëshira ta shikojë se me kë ka kuvenduar ose ka shkëmbyer mesazhe dhe pranon takimin. Zakonisht, gratë, në këto raste, mbeten të zhgënjyera sepse edhe gruaja me fantazinë më të zbehtë, përfytyron se në anën tjetër të telefonit është mishërimi i gjallë i burrit ideal, ndërsa burra idealë s’ka! Por, natyrisht, ndodh që edhe të mos pësojë zhgënjim ose të “tejkalohet” parashikimi…

Ja, kështu janë punët, shoqe dhe mikesha të dashura, prandaj, ashtu sikurse këshillojnë specialistët, para se të hedhësh një hap në rrugë, në telefon apo në internet, mendoni thellë. Natyrisht, mund të ndodhë që në një fazë të caktuar, familja juaj të jetë në krizë të rëndë, por është mirë që të gjitha përpjekjet të bëhen për të shpëtuar atë dhe jo për të shpëtuar prej saj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *