Lodhje
– Përshëndetje! Kam parë në ëndërr sikur gjyshja më mori në telefon e më tha: “Dilni urgjent nga shtëpia të gjithë”. Të gjithë po dilnin për hesap të vet, kurse unë pashë babin si të përgjumur që nuk çohej dhe mezi e ngrita e fillova ta vishja. Ai më tha: “Do të ta shpërblej deri në palcë këtë që bëre për mua”. Këtu më doli gjumi. Ju lutem, ma shpjegoni sepse jam në merak…
– E dashur lexuese, nuk keni pse të bëheni merak, pasi babai juaj nuk ka dhe s’do të ketë asgjë, por ëndrra ka dy kuptime; e para, jeni person shumë i dashur në familjen tuaj dhe për këtë, ju respektojnë shumë. E dyta, keni bërë mirë diku, një pjesëtari të familjes ose edhe dikujt tjetër që e keni shumë për zemër. Shumë shpejt, në një të ardhme, do të shpërbleheni me mirësi ose edhe më shumë. Pra, kjo është një ëndërr pozitive. Gjithë të mirat!
Shtatzënë
– Kam parë në ëndërr sikur isha shtatzënë me djalin që dua. Shkuam që të vizitohesha dhe doktori më tha se isha 3 muajshe. Isha shumë e lumtur nga lajmi që më dha, por djali që dua, jo edhe aq shumë. Unë nuk jam e lidhur me këtë djalë realisht. Ju lutem, më tregoni, ç’domethënie ka kjo ëndërr? Pres përgjigje këtë javë. Faleminderit.
– E para, përveçse tregon ndjenjat tuaja karshi këtij djali, ajo parashikon plane për ju në të ardhmen. Ju po mendoni të gjeni të gjitha mënyrat se si të afroheni me këtë djalë, pasi jeni e dashuruar marrëzisht pas tij. Në një mënyrë apo në një tjetër, ju do të afroheni me të, por ai do të qëndrojë pak indiferent ndaj jush. Prandaj, kini kujdes, sigurohuni më parë nëse ai ushqen të njëjtën simpati për ju e pastaj bëni një tentativë drejt këtij personi. Ju uroj fat!
Kokë e prerë
– Në orët e para të mëngjesit kam parë në ëndërr veten të veshur me fustan të bardhë. Vendi ku po bëhej dasma, ishte shumë i bukur dhe kishte shumë njerëz. Me organizimin e dasmës merrej shoku im. Më vonë, bashkë me të, u ngjitëm te një dhomë tjetër e cila ishte në katin e dytë. Aty më doli para komshija që filloi të më shante e të më gjuante. Unë ia ktheva, ajo ra nga shkallët dhe iu pre koka, por nuk i doli gjak. Unë fillova të qaja dhe më vonë e pashë veten time në gjyq, ku do të më jepej dënimi. Unë po mbrohesha duke thënë se nuk ishte faji im dhe fillova të qaja me dënesë. Pas kësaj, më doli gjumi…
– E dashur lexuese, sado që në pamje të parë ëndrra duket e frikshme dhe e sikletshme, ajo nuk ka një shpjegim të tillë për të ardhmen, megjithëse për momentin duket që ju jeni në një gjendje jo të mirë shpirtërore. Kohët e fundit jeni shumë e çorientuar dhe shumë mendime ju vijnë nëpër kokë në lidhje me jetën tuaj private. Jeni në siklet nga ana psikologjike, gjë që mund të ndikojë pak edhe në shëndetin tuaj. Megjithatë, kjo s’do të thotë që duhet të mërziteni, sepse e ardhmja parashikohet ndryshe. Fakti që keni qarë në ëndërr do të thotë që do të ngushëlloheni shumë shpejt dhe do t’ju kalojë gjithë sikleti që keni, por realisht, nuk do t’ju ndodhë asgjë negative për të cilën mbase ju keni frikë. E gjithë ëndrra ka lidhje me gjendjen tuaj shpirtërore, e cila duket paksa e trazuar, por shumë shpejt do të gjeni mbështetjen dhe ngushëllimin e duhur. Gjithë të mirat!
Rrëzim
– Kam parë në ëndërr sikur isha në një avion, sado që herë-herë nuk më dukej si i tillë. Po lëviznim bashkë me një shokun tim dhe po bisedonim për shkollën që do të ndiqnim. Unë po i thoja: “Dua të bëhem mjeke, por e shoh të vështirë”. Ai më tha: “Ku do të bëhesh mjeke ti, kur prindërit i ke fshatarë dhe pa shkollë?”. Për një moment, e pashë veten sikur po rrëzohesha nga një lartësi shumë e madhe dhe aty, u zgjova nga gjumi. A mund të më thoni ju lutem se çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Arla
– E dashur Arla, zakonisht, ëndrra të tilla: Sikur rrëzohesh, sikur bie nga lartësi të mëdha, sikur bie në hapësira boshe apo e sheh veten duke fluturuar, i shohin adoleshentet. Kjo, për arsye se në këtë moshë, pasiguria, frika dhe komplekset e inferioritetit, dominojnë te këta persona. Ju keni shumë ëndrra për të ardhmen, por keni frikë të guxoni dhe të hidhni hapa përpara. Edhe djali që keni parë në ëndërr e që ju flet në atë mënyrë, flet për komplekset që shpeshherë ju pengojnë të ecni përpara. Përveç kësaj, ëndrra ju këshillon të lini mënjanë frikën dhe të guxoni sepse do të keni shumë sukses në karrierë dhe në jetën private. Nuk duhet të keni frikë, pasi fati është me ju.