Pika gjaku
– Përshëndetje. Kam parë në ëndërr sikur isha në udhëtim për te gjyshja. Në autobus ishte një vajzë e një djalë, emigrantë dukeshin. Ajo vajza hidhte fjalë nëse ai donte bionde si unë dhe ai pohonte, sikur i vinte inat që unë isha në mes tyre. Isha e veshur me të zeza. Mami më thoshte të shkoja te xhamia, kurse unë nuk pranoja; doja të shkoja te gjyshja. Kur u ktheva, takova babain në rrugë dhe më tha: “Shikoje veten si je bërë!”. Shkova te pasqyra dhe isha bërë me pika gjaku gjithandej në fytyrë…
– Ëndrra juaj tregon që nuk kujdeseni aq sa duhet për veten në çdo lloj drejtimi. Keni ca kohë që e keni lënë veten pas dore dhe kjo ka ndikuar ose do të ndikojë edhe në shëndetin tuaj. Kijeni parasysh këtë gjë. Babai ju është shfaqur si një lloj paralajmërimi, sepse ai shqetësohet për ju. Udhëtimi për te gjyshja, vajza dhe djali janë mendimet tuaja rreth çështjeve private që i mendoni gjatë ditës. Së dyti, do t’ju thoja të shkoni te një vend tek i cili besoni përsa i përket anës fetare dhe të ndizni një qiri për mbarësinë e qetësinë tuaj.
Flokë që bien
– Kam parë në ëndërr sikur mami po krihte flokët dhe një pjesë i binte. Ajo erdhi dhe më tha: “Moj bijë, jam me kancer”. Unë fillova të qaja dhe i thashë: “Hajde të t’i kreh unë flokët”, por prapë i binin. Pres përgjigjen tuaj. Faleminderit. Aleksia.
– Një ëndërr e tillë tregon për një lloj sikleti që përfshin si nënën tuaj, ashtu edhe ju vetë personalisht. Duhet të keni kujdes për shëndetin tuaj dhe të nënës suaj. Nuk do të thotë që ka ndonjë gjë që ju të frikësoheni, por nëse kujdeseni më shumë, bëni një vizitë apo bisedoni me nënën tuaj hapur për çfarë e shqetëson, kjo do t’ju ndihmonte si juve, ashtu edhe atë. Sëmundja që ka përmendur, është shqetësimi që e gërryen atë brenda në shpirt, ndaj është detyra juaj që të flisni me të.
Merimanga
– Kam ëndërr sikur isha në dhomën e burrit tim dhe papritmas, pas krevatit tonë, doli një merimangë e madhe e cila kishte qëndruar e fshehur dhe filloi të vraponte duke ikur drejt derës. Dera ishte e mbyllur me çelës, unë fillova të ecja që t’ia hapja, por sa më shumë afrohesha, aq më shumë vëreja se ishte një mashkull me këmbë merimange e trup njeriu. Ia hapa derën dhe dëgjova një zë që vajtonte e që sa vinte e bëhej më i lartë. Më pas, hapa derën dhe kur doli nga dhoma, e dëgjoja më pak. Më dukej sikur ishte merimanga që vajtonte. Si ma shpjegoni?
– Ëndërr shumë e çuditshme! Në të vërtetë, ajo ka një kuptim të thellë dhe duhet t’i kushtoni rëndësi asaj çfarë do t’ju them. Merimanga në vetvete përfaqëson çështje të pazgjidhura, probleme që duhet t’i përballoni. Personi që keni parë me këmbë merimange dhe trup njeriu, është një person i cili ju vëzhgon, mund të jetë brenda ose jashtë familjes, miq apo edhe fis; këtë mund ta zbuloni vetëm ju. Duhet të keni kujdes nga njerëzit që ju vijnë në shtëpi dhe çfarëdo të diskutohet apo të flitet e për çfarëdolloj çështjeje, nuk duhet t’i lejoni ata të ndikojnë në jetën tuaj private. Zëri vajtues tregon vështirësinë tuaj për të komunikuar apo thënë hapur atë çfarë mendoni, por në të njëjtën kohë tregon që duhet të keni kujdes nga armiq të padukshëm. Gjithsesi, ëndrra në fund tregon që e gjitha kjo e ka një rrugëdalje, sepse merimanga ka dalë jashtë, që do të thotë se edhe problemi është kalimtar. Nëse nuk e gjeni veten brenda kësaj situate që përshkruam, atëherë përpiquni ta ruheni nga personat dashakeqës. Ju dhe bashkëshorti duhet të jeni më të hapur me njëri-tjetrin dhe të flisni më pak me të tjerët që ju rrethojnë.