Numri i beqarëve është shtuar shumë kohët e fundit.

Për disa, kjo është zgjedhja e tyre, për të tjerë, jo.

Sot, beqarët tregojnë se mund të jesh i/e lumtur edhe jashtë rrethit të shenjtë të martesës.

Megjithatë, atyre u duhet të luftojnë kundër një presioni shoqëror dhe familjar për të jetuar në çift, pa llogaritur presionin që i bëjnë vetes…

“Jeta ime prej beqareje është e plotë. Kam dëshirë të rilidhem me dikë, por jo me çfarëdolloj çmimi», shpjegon Kristina, 35 vjeçe, nënë e divorcuar që prej dy vjetësh. “Përfitoj nga variantet e dashurisë: Ngrohtësia që gjej pranë familjes dhe vajzës sime, mirëkuptimi që gjej te shoqëria…”. 

Në kohën tonë, kur martesa nuk është më një kalim i detyrueshëm, kur jeta në çift i ngjan më shumë një kontrate me kohëzgjatje të përcaktuar sesa të papërcaktuar dhe ku shoqëria prodhon gjithnjë e më shumë individualistë, të gjithë jemi të detyruar të njohim periudha beqarie. Ka ikur ajo kohë kur vajzat e pamartuara deri në njëfarë moshe, quheshin lënesha dhe kur talleshim me burrat beqarë. Sot, beqarët e pranojnë zgjidhjen e tyre dhe nuk hezitojnë të mburrin përparësitë e jetës vetëm (pa e kthyer atë në një projekt jete).

Beqarë të lumtur

Ndërmjet beqarëve janë të shumtë ata që e pranojnë se mund të jesh i lumtur edhe pa qenë në çift, pasi jeta në çift nuk është një lumë që rrjedh i qetë. Kështu, ka njerëz që preferojnë të jetojnë herë pas here edhe vetëm. Për Lindën, 41 vjeçe, jeta në çift është një zgjedhje. “Unë nuk dua të martohem, kam parë shumë fatkeqësi rreth e rrotull. Kjo nuk do të thotë se nuk lidhem me burra. Të kesh një shok rruge është mirë, por jo përgjithmonë”. Tani, femrat që kanë fituar pavarësinë e tyre financiare, kanë mundësi të bëjnë një zgjedhje të tillë, që më parë dukej e pamendueshme. Pra, ka marrë fund imazhi i beqarit fatkeq, që është në pritje të shpirtit binjak. Tani, të jesh beqar mund të jetë burim kënaqësie. Si t’ia arrish kësaj? “Duke i kushtuar vëmendje vetes dhe kërkesave të tua, përgjigjet një specialist; duke pyetur veten se çfarë të sjell kënaqësi te personat që mund të takosh”. Gjithashtu, të gjesh fusha të gjera të realizimit të vetes jashtë çiftit: Profesionale, artistike, shoqërore, sportive…

Çifti mbetet normë

Megjithëse beqarët thonë e stërthonë se mund të jetosh edhe vetëm, jo vetëm në çift dhe të jesh i/e lumtur, ata vazhdojnë të shqetësojnë shoqërinë. Izabela është 37 vjeçe, jeton vetëm dhe nuk ka fëmijë. “Gjatë mbledhjeve të familjes, u shkaktoj të tjerëve bezdi apo indiferencë. Në punë më bëjnë lloj-lloj vërejtjesh. Më parë, kjo më bënte të kërceja përpjetë, tani përpiqem të shkëputem nga ky pasqyrim që ata bëjnë tek unë dhe që nuk ka lidhje me mua”. Edhe në kohën tonë pritet prej beqarëve të gjejnë një ditë shpirtin e tyre binjak, nëse është e mundur para moshës 30 vjeçare, që është dhjetëvjeçari kyç apo “shansi i fundit”, për ata që nuk janë “rregulluar”. Përsa i përket 40 apo 50 vjeçarëve të ndarë, ata bëjnë mirë të kthejnë faqe dhe të gjejnë dikë pa vonesë. “Presioni në fakt është bërë më këmbëngulës, thotë specialisti. Në rritemi në një idelogji të lirë, të drejtuar nga kulti i individualizmit. Nuk jemi më të detyruar të formojmë një familje tradicionale, por nxitja për të qenë në çift është ende shumë e fortë”.

Janë mediat, reklamat, sitet e takimit… Kudo është kulti i çiftit, që, në shoqërinë tonë, të ashtuquajtur pa komplekse, mbetet rregull. Është një mënyrë që, duhet pranuar, e bën ekzistencën tonë më të rehatshme: Për të përballuar jetën dhe sprovat e saj, për të blerë një shtëpi, për të marrë vendime të ndryshme, për t’u nisur me pushime, ose thjesht për të shkuar në një hotel, është më mirë të jesh dyshe. “Në një botë ku gjithçka është konceptuar për çiftet, është e vështirë të jesh vetëm, thotë specialisti. Shumë njerëz janë të bindur, besoj me të drejtë, se aventura e madhe e një jete është një histori dashurie, gjë që është më ekzaltuese”.    

Vetëm dhe i lumtur

Ne i themi vetes se në çift ke mundësi të ndash të mirat dhe të këqijat me tjetrin. «Ditën që u martova, u ndjeva e lehtësuar, tregon një grua. Nuk e imagjinoja të isha e lumtur ndryshe». Për specialistin, «kjo aspiratë e çiftit vjen nga fëmijëria. Nëse prindërit kanë qenë të lumtur bashkë, ëndërrojmë të bëjmë si ata. Nëse jo, duam të kemi një kompensim në moshë të rritur. Megjithëse ne pra kalojmë periudha beqarie, ideali ynë është të gjesh dikë me të cilin të ndërtosh një jetë të përbashkët, të ecësh përpara…

«Diktati i çiftit nuk ekziston më, thotë specialisti. Çifti është një nga mënyrat e ndërtimit të identitetit. Sot, çdo individ autorizohet të jetë vetvetja, pa qenë nevoja të përshtatet me dikë tjetër. Për shumë kohë, gratë e shihnin ekzistencën e tyre të lidhur me atë të burrit, por sot, kjo ka marrë fund. Te gjithnjë e më shumë persona gjejmë një kërkesë thelbësore: Të jesh vetvetja, të përcaktosh shijet e tua, të bësh zgjedhjet e tua, domethënë, vetë, jo në funksion të dikujt tjetër». Po sikur të jetosh beqarinë, këtë rast të privilegjuar për t’u gjetur ballë për ballë me veten, të ishte mënyra më e mirë për të gjetur më pas, më lehtë, dashurinë?   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *