Duket shumë e thjeshtë t’i japësh përgjigje pyetjes së mësipërme. E cila nënë nuk e di se si ta veshë fëmijën e saj? Në fakt, nuk është aq e lehtë sa duket, pasi për të ditur se si duhet ta bëjmë këtë, duhet të dimë para së gjithash se si “menaxhohet” ngrohtësia nga organizmi i fëmijëve… Në radhë të parë, duhet patur parasysh se nëse te një i rritur, kurba e përshtatjes me ngrohtësinë ka oshilacione të vogla, fëmijët kanë një mekanizëm krejt tjetër termorregullimi. Shumë pak të rritur e dinë se për fëmijët deri në moshën shtatë-vjeçare, ende nuk mund të flitet për një perceptim të ekuilibruar të temperaturave, ndaj ndodh që nëna duhet ta prekë fëmijën me dorë, për të kuptuar nëse ai është djersitur, apo jo… Megjithatë, ne, në bashkëpunim me pediatër të kualifikuar, kemi përgatitur për ju këtë shkrim që shpresojmë t’ju vijë në ndihmë…
– Si ta kuptosh se fëmija është veshur në përshtatje me temperaturën e ambientit ku ndodhet?
– Për ta kuptuar këtë, mund të prekni drejtpërdrejt trupin e fëmijës. Nëse është i vakët, atëhere jemi në rregull, por… kini parasysh se treguesi i vërtetë nuk janë duart dhe këmbët, të cilat kanë tendencë të qëndrojnë të ftohta, sepse ngrohtësia, në të vërtetë, përqendrohet në organet e brendshme. Për ta kuptuar, duhet prekur balli dhe qafa e fëmijës.
Në vija të përgjithshme, duhet thënë se, nëse një fëmijë është i gjallë dhe ha gjithmonë me oreks, ai nuk ka nevojë për një veshje shumë të rëndë. Pastaj, kujdesuni të mos e teproni me veshje, gjë kjo është po aq e rëndësishme sa edhe e kundërta. Teprimi me veshje do të çrregullojë ekuilibrin e vetërregullimit të temperaturës nga organizmi i fëmijës suaj. Nëse, në të kundërtën, fëmija ekspozohet shumë në temperatura të ftohta, mund t’i shkaktoni atij sëmundje të ndryshme, që kanë lidhje, kryesisht, me mykun.
– Me kaq sa thatë, dukjet sikur veshja e fëmijës në mënyrën e duhur, është një mision i pamundur…
– Jo, nuk është një mision i pamundur, duhet thjesht të gjeni mënyrën e duhur për ta kryer këtë “mision”. Këshilla më e mirë është që fëmija të vishet me metodën e qepës, pra, t’i vishni sa më shumë rroba me hapje përpara që të mund t’i hiqen apo t’i vishen lehtësisht, sipas nevojave.
– Nëse e mbuloni shumë fëmijën, nuk e lejoni lëkurën e tij të ajroset në mënyrën e duhur, kufizoni lirinë e tij për të lëvizur dhe, këta fëmijë, duke u mësuar me temperaturat e nxehta, rrezikojnë të bëhet mërdhacakë.
– Kur hyni në lokale, edhe nëse ë bëni këtë për pak minuta, është mirë t’i hiqni fëmijës veshjet më të rënda, që të mos djersijë. E njëjta gjë vlen edhe nëse keni dalë me makinë.
– Cili është fenomeni atmosferik më i rrezikshëm për shëndetin e fëmijës?
– Era, pasi ajo favorizon ftohjen e sipërfaqes së trupit. Kështu, është e lehtë të irritohen lëkurë e sy dhe të dobësohen rrugët e frymëmarrjes, duke favorizuar hyrjen e viruseve dhe të bakterieve. Çfarë duhet bërë? Mos harroni kurrë t’i mbroni duart e fëmijës suaj me doreza, kokën me kapuç dhe këmbët me këpucë të përshtatshme për t’i mbrojtur nga i ftohti.
– Nëse fëmija ka qenë i sëmurë, nuk duhet ta ekspozojmë fare në ambiente te ftohta?
– Çdo fëmijë sëmuret, ndaj, mos u alarmoni. Duhet patur parasysh se gripi, nëse vjen një herë, nuk rikthehet më. Ai për të cilën duhet të kujdeseni është inflamacioni i rrugëve të frymëmarrjes. Nëse fëmija juaj është me grip, dijeni se laringiti dhe sinusiti janë pas dere. Duhet të prisni disa ditë para se të dilni me fëmijët shëtitje, sidoqoftë, duke qenë të bindur se, nëse merrni masat e duhura, i ftohti nuk do të mund t’i dëmtojë dot kurrë ata.
Pastaj, mos harroni se në Shqipëri nuk bën kaq shumë ftohtë. Nëse ne trembemi kaq shumë, si ia bëjnë në vendet nordike që kanë temperatura shumë herë më të ulëta se tonat? Sigurisht që njerëzit nuk mbyllen brenda, për shkak të të ftohtit. Në Norvegji, ku fryn shumë erë, fëmijët, jo vetëm që dalin jashtë, por edhe flenë atje, pasi ajri i freskët i ndihmon të marrin frymë më mirë. Pra, arrijmë në përfundimin se e rëndësishme është t’i veshim fëmijët në mënyrën e duhur dhe jo të evitojmë ambientet e ftohta.
– Çfarë duhen veshur, konkretisht, në stinën e ftohtë?
– Të domosdoshme janë të brendshmet e ngrohta (mundësisht, trupore, të mbërthyera poshtë), tutat e pambukta apo të leshta, një ose dy palë çorape po të leshta, një kapuç që ia mbështjell mirë kokën, por, mos harroni: Me sy, hundë dhe gojë të pambuluar. Nëse i fusni edhe në një batanije në formë thesi, me push, të mbushur me pupla apo, mundësisht, me lesh deleje, fëmijët tuaj janë të gatshëm edhe të flenë jashtë!
– Çfarë është rregulla e tre shtresave?
– Kjo është mënyra që e rekomandojnë pediatrët për veshjen e fëmijës gjatë periudhës më të ftohtë të vitit. Veshja ndahet në tre shtresa, që janë: Shtresa në kontakt me lëkurën-Ideale do të ishte që në kontakt me lëkurën të përdorni rroba të leshta, pasi të leshtat, në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën, e ruajnë ngrohtësinë. Shtresa e mesme-Të leshtat dhe rrobat me push janë alternativat më të mira. Shtresa e jashtme-Rrobat e jashtme duhet të jenë të përshtatshme për kohë me shi (të mos e lejojnë ujin të futet brenda) dhe për kohë me erë.
Sugjerime të domosdoshme për veshjen dimërore
Si t’i veshim fëmijët me rroba të ngrohta për të përballuar dimra të ashpër, por që të jenë, njëkohësisht, të rehatshme dhe të përshtatshme për të luajtur?
– Veshja duhet të jetë e përshtatshme për shiun dhe të ftohtin.
– Mbajini gjithmonë rroba rezervë nëse ai bëhet pis.
– Blijini fëmijës një komplet tutash të pambukta, pjesa e poshtme e të cilave ka llastiqe që vendosen nën këmbë.
– Këpucët apo çizmet, kujdesuni që t’i blini me takë, në mënyrë të tillë që llastiku i tutave të mos konsumohet.
– Sigurohuni që fëmija i ka këpucët në numrin e këmbës së tij (këpucët e vogla, janë një ndër shkaktarët kryesorë të problemeve me këmbët).
– Veshja për jashtë duhet të jetë kundër erës, pavarësisht stinës.
– Kapelja duhet t’i mbulojë veshët (70% e ngrohtësisë trupore, humbet nëpërmjet kokës).
– Këshillohet një veshje me sa më pak kopsa, pasi, nëse hiqen, fëmija mund t’i gëlltisë (kjo është arsyeja se pse, veshjet e fëmijëve të vegjël, mbyllen kryesisht me zinxhirë).
– Nëse veshjet kanë kopsa, kujdesuni që të mos jenë me përbërës nikeli, për të evituar problemet alergjike.
– Sigurohuni që veshja nuk ka në përbërje të saj substanca kimike helmuese.