Si ta kuptosh më mirë atë që ke në krah…
Në shumë aspekte, të dyja sekset kanë ardhur duke ngjarë me kalimin e kohës. Gratë merren me peshëngritje, burrat zgjedhin serviset e pjatave, ato bëjnë palestër, ata shkojnë në qendrat e estetikës… Sipas shkencëtarëve, edhe truri i të dyja palëve është i njëllojtë në masën 99%, por është ky 1% që përbën ndryshimin. Disa ndryshime janë burime të zënkave të vogla, por të tjera shkaktojnë probleme të mëdha.
Gratë dhe burrat kanë mënyra të ndryshme për të komunikuar dhe për të shprehur dashurinë. Nëse arrijmë të pranojmë ndryshimet tona dhe përpiqemi të flasim gjuhën e tjetrit, mund të merremi vesh dhe ta mbajmë gjallë pasionin.
Gratë: Kanë një nuhatje të hollë
Burrat: Nuk i perceptojnë shumë aromat
Mbase gratë nuk janë aq të forta fizikisht sa burrat, por nuhatja e tyre është më e hollë se ajo e burrave, sidomos ajo që është e lidhur me emocionet dhe kujtesën (zona në të cilat gratë janë më të zhvilluara se burrat). Hunda dhe qarqet cerebrale femërore janë veçanërisht të ndjeshme para ovulimit, si ndaj aromave të përditshme, ashtu edhe ndaj feromoneve mashkullore. Kjo bën që në kohën kur ka më shumë mundësi për të mbetur shtatzënë, te gruaja shtohet dëshira për seks. Sipas Alan Piz, autor i librit “Pse burrat nuk dëgjojnë dhe gratë nuk dinë të lexojnë hartat”, edhe këtu hyn në punë antropologjia. “Aromat dikur i ndihmonin gratë të mbijetonin, duke u treguar rreziqet e mundshme, si edhe kur frutat ishin të pjekura dhe gati për t’u vjelur”.
Gratë: Kujtojnë çdo detaj të një ngjarjeje romantike
Burrat: …jo edhe aq
Mendo për herën e parë kur takove partnerin tënd. Ka mundësi të mbash mend edhe verën që keni pirë dhe për çfarë folët para se të putheshit për herë të parë. Po partneri yt? Do të jesh me fat nëse do të mbajë mend se çfarë muaji qe, por kjo nuk do të thotë se ajo natë ka qenë e parëndësishme për të. Gjatë një eksperience me rëndësi të madhe sentimentale, mendja e grave seleksionon detajet që do të arkivohen për një afat të gjatë në qendër të kujtesës. Kjo ndodh edhe te djemtë, por në mënyrë më pak intensive.
Megjithatë, këtu ka edhe një paradoks. Burrat e kanë shumë të vështirë të mbajnë mend përvjetorët dhe emrat e miqve të tu, po mund të thonë me lehtësi numrin e golave që shënoi Ronaldinjo gjatë sezonit të kaluar. Mendja e djemve është e fortë në shifra dhe gara. Ti më mirë shih anën pozitive të kësaj: Nëse ai nuk arrin të kujtojë disa gjëra, do të mbajë edhe më pak inate.
Gratë: Mendojnë për seksin shpesh
Burrat: Mendojnë për seksin në çdo moment
Kur një djalë të sheh gjoksin në vend të syve, nuk është se po tregohet i paedukatë. Është instikti i tij natyral që po dominon. Sipas një studimi, 85% e burrave nga 20-30 vjeç mendojnë për seksin çdo dy orë, ndërsa te gratë kjo ndodh mesatarisht një herë në ditë. Specialistët thonë se burrat i dedikojnë më shumë mendime seksit për shkak të testosteronit, hormonit që ushqen motorrin seksual të trurit, i cili te djemtë është në një nivel 10-100 herë më të lartë se te femrat.
Gratë: Tradhtojnë sepse kërkojnë lidhje
Burrat: Tradhtojnë sepse është diçka emocionale
Asnjeri nga të dy sekset nuk është më i moralshëm se tjetri dhe te të dyja palët hyn në punë sistemi limbik i trurit, që është motorri seksual dhe emocional i trurit, që ndodhet në pjesën ballore të tij. Faktori që ndryshon është sasia më e madhe e testosteroneve që kanë burrat dhe që i bën ata më impulsivë. Një element tjetër: Mendjet e burrave janë më pak aktive (ndërsa gratë mendojnë vazhdimisht), kështu që ata kërkojnë më shpesh eksitimin fizik. Gratë tradhtojnë kur ndjejnë se lidhja emocionale është shkëputur (kanë më shumë oskitocinë, hormoni i lidhjes emocionale). Për këtë arsye, specialistët thonë se ato preferojnë lidhjet afatgjata.
Gratë: E vënë re menjëherë kur tjetri ndjehet keq
Burrat: Nuk e kuptojnë menjëherë trishtimin e tjetrit
Burrat i pyesin gratë: “Ka ndonjë gjë që s’shkon, e dashur?” po aq shpesh sa “Ke prerë gjë flokët?”, pra, pothuajse asnjëherë. Kjo jo sepse ti nuk ke rëndësi për ta, por sepse jo gjithmonë janë të aftë të kuptojnë gjendjen emocionale të tjetrit. Gratë janë më të afta për të lexuar shprehjet e fytyrës dhe gjuhën e trupit. Kjo, sepse zona e trurit, përgjegjëse për ndjenjat instiktive, është më e madhe dhe aktive te femrat, nga rrjedh edhe intuita femërore.
Edhe diçka: Sado dramatike të tingëllojë, nëse do që partneri ta kuptojë se ke kaluar një ditë të vështirë, mjafton të derdhësh dy pika lot. Sipas shkencëtarëve, e qara është sinjali i vetëm që tërheq vëmendjen e mashkullit.
Gratë: Janë në gjendje të dallojnë problemet që kanë në çift
Burrat: Nuk i dallojnë simptomat shumë shpejt
E njëjta pjesë e trurit që na tregon kur dikush është i trishtuar, na lëshon sinjale edhe kur lidhja shkon keq. Sa herë që partneri nuk të sheh në sy ose përdor një ton të ashpër në të folur, në trurin tënd ndizet drita e kuqe e alarmit që aktivizon një reaksion hormonal negativ. Sipas specialistëve, vjen një moment kur pjesa më e madhe e grave nuk duron më këtë situatë. Mbase prandaj 75% të procesit të divorceve në botë e fillojnë gratë.
Edhe kur burrat e kuptojnë që diçka nuk shkon mirë, ata mundohen t’i zgjidhin problemet pa bërë revolucione të mëdha. Gratë, përkundrazi, kanë më shumë lidhje midis anës së djathtë të trurit (asaj emocionale) dhe asaj të majtë (analitike) dhe mbase kjo i bën ato më pragmatike dhe realiste. Ekspertët thonë gjithashtu se gratë shqetësohen më shumë, ndërsa burrat, që përdorin më shpesh anën e majtë të trurit, janë më optimistë.
Gratë: Gjejnë probleme edhe aty ku nuk ka
Burrat: Janë më analitikë
Centrali i alarmit në trurin e grave është më i madh dhe aktivizohet më shpejt. Gratë janë të përgatitura në mënyrë të natyrshme për të parandjerë dhe identifikuar rrezikun. Megjithatë, krahas kësaj, gratë kanë zakon edhe t’i interpetojnë ngjarjet në mënyrë negative. Një grua mund të bëhet histerike nëse i dashuri nuk e ka marrë në telefon për 24 orë rresht. Nëse e di që mendja jote të shkakton frikëra të tilla të kota ose shqetësime shumë të mëdha, mundohu të bindësh veten që është një çështje truri.
Gratë: E kuptojnë menjëherë kur kanë humbur
Burrat: E kuptojnë me vonesë se nuk e dinë se ku ndodhen
Ndodh që burrat të humbasin rrugën kur janë me makinë, sepse nuk duan të pyesin të tjerët. Meqë burrat e përdorin më pak hemisferën e djathtë të trurit (atë emocionale), që të lejon ta shohësh situatën në përgjithësi, e kanë më të vështirë të mendojnë “po ku jemi?”. Dëshira e tyre për të zgjidhur problemet është e tillë sa nuk arrijnë të bëjnë një hap prapa dhe të pranojnë se kanë humbur. Megjithatë, është e vërtetë edhe që burrat kanë një sens orientimi më të mirë se gratë dhe i përdorin më mirë hartat.
Gratë: Pas një ndarjeje i shprehin ndjenjat e tyre
Burrat: Veprojnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë
Pas një ndarjeje, shumica e grave vuajnë shumë dhe nuk e fshehin këtë, ndërsa burrat vazhdojnë jetën e tyre, sado të lënduar të jenë. Gratë e lënë veten në prenë e trishtimit, sepse kështu çlirojnë më shumë oskitocinë. Në këto raste ato kanë tendencë të akuzojnë më shumë partnerin. Edhe burrat janë të trishtuar kur mbaron një lidhje, por jo aq sa gratë. Përveç kësaj, meqë e përdorin më pak pjesën emocionale të trurit, ata bëhen më racionalë.
3 ide për ta bërë një burrë të të dëgjojë
– Përdor më pak fjalë
– Mos i trego emocionet e tua
– Dil menjëherë në thelbin e çështjes
Truri i dy sekseve, kur partnerët janë në shtrat
Edhe në momentin e arritjes së orgazmës, truri mashkullor dhe ai femëror funksionojnë si nata me ditën.
– Zona aktive të trurit
– Zona inaktive të trurit
Për të arritur një orgazmë, gruaja duhet të aktivizojë vetëm trurin e vogël, që kontrollon kontraksionet muskulare (zona me të kuqe), ndërsa burri aktivizon gjithë trurin e tij.