Thënia “sa më i hollë, aq më i mirë” mund të vlejë për kompjuterat lap-top, telefonat celularë dhe topmodelet, por nuk është kurrë e vërtetë për flokët. Flokët e dendur janë sinonim i bukurisë dhe shumë gra do të donin t’i kishin kështu, por natyra nuk vepron gjithmonë në favorin tonë. Edhe ato që lindin me flokë të dendur, në ndonjë moment të jetës, flokët mund t’u rrallohen. Nganjëherë, ky rrallim është i përkohshëm, si për shembull gjatë shtatzanisë. Kur gratë arrijnë të 40-tat, hormonet bëjnë që diametri i fijes së flokëve të zvogëlohet dhe kështu, floku hollohet. Gjithashtu, zvogëlohet edhe numri i rrënjëve aktive të flokëve. Nëse ju shihet lëkura e kokës në disa pjesë të saj, duhet të shkoni te një dermatolog për të përcaktuar shkakun e kësaj. Për rastet më të lehta, produktet dhe teknikat e stilimit mund të ndihmojnë që flokët të duken më të dendur dhe më të trashë…
Larja
Lajini flokët tuaj me shampo që u jep vëllim, që përmban proteina. Më pas përdorni një balsam për flokë të hollë dhe aplikojeni në pjesën e pasme të kokës, nga veshët e poshtë. Pasi të dilni nga dushi, thajini flokët me peshqir.
Përgatitja
Aplikoni një spraj volumizues që përmban pantenol nëpër gjithë flokët e lagur ose shkumë, e cila u jep vëllim pas tharjes. Më pas hidhni një spraj që mbron flokët nga nxehtësia e tharëses, duke evituar rrënjët dhe krihini me një krehër me dhëmbë të rrallë, duke filluar nga fundet, deri në rrënjë.
Tharja
Vëreni tharësen në nxehtësinë mesatare, uleni kokën poshtë dhe thajini flokët duke filluar nga rrënjët. Kur t’i keni pothuajse të thara, ngrijeni kokën lart dhe mbarojeni tharjen duke përdorur një krehër-furçë, madhësia e të cilit varet nga gjatësia e flokëve tuaja.
Shtoni volumin
Duke i kapur flokët me tufa të vogla, ngrijini flokët nga lëkura, ndërkohë që e drejtoni tharësen me temperaturë të ftohtë në rrënjë. Kjo ashpërson luspat e flokëve për të dhënë vëllim. Bëjeni këtë në të gjithë flokët dhe më pas, shtrojini lehtas flokët me një furçë.
Forconi flokët
Një herë në javë bëjuni flokëve një maskë me vaj të ngrohtë. Është më i lehtë se një maskë e zakonshme dhe nuk i vajos flokët. Mund të zgjidhni një maskë me vaj xhoxhoba dhe proteina, që i mbron flokët nga këputja dhe i trash fijet. Evitoni aplikimin e maskës në rrënjë.
Kini parasysh…
Është shumë i rëndësishëm modeli që u jepni flokëve. Kërkojini parukierit tuaj t’i presë flokët me shkallë ose provoni t’i mbani balluket të gjata.
Përdorni fare pak balsam gjatë larjes, që të mos vajosen flokët.
Për të shtuar volumin, mund të përdorni bigudina plastike, nëpër të cilat mund të kaloni ajrin e ftohtë të tharëses, për 10 minuta.
Nëse keni flokë me yndyrë, lajini shpesh me shampon e përshtatshme për to.