Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

A mund të quhet familja e sotme një “familje ideale”?


Duke trajtuar problemet e familjes moderne, revista elektronike “Live Science”, vë në dukje se termi “familje ideale”, e përbërë zakonisht nga dy prindër dhe dy ose më shumë fëmijë të sekseve të ndryshëm, që kanë një strehë dhe një ekonomi të përbashkët, etj. është një term me koncept shumë të ngushtë dhe aspak real. Kjo, përveç të tjerave, vazhdon revista, ndodh sepse në botë ekzistojnë edhe forma të tjera të bashkimit…

Kultura të ndryshme, familje të ndryshme

Advertisement

Njerëz që jetojnë në vise të ndryshme dhe u përkasin kulturave të ndryshme, kanë edhe forma të ndryshme organizimi në jetë, të cilat nuk i ngjajnë fare familjes që përfytyrohet  si ideale.

Kështu, për shembull, një nga format më të përhapura të marrëdhënieve familjare, është ajo kur mashkulli, zakonisht i pasur ose i veshur me pushtet, ka shumë gra dhe të gjitha ato, së bashku me fëmijët e tyre, jetojnë pranë e pranë. Kjo është një formë tipike e jetës familjare. Në disa kultura të tjera e vise të tjera, ndodh e kundërta, gratë kanë disa burra ose mbajnë marrëdhënie intime njëherësh me shumë meshkuj. Po t’i hedhësh një vështrim kontinentit Jugamerikan, me lehtësi do të vësh re se fëmijët mund të kenë disa baballarë, sepse nëna e tyre, në periudhën që nga konceptimi i fëmijës e deri pas lindjes së tij, ka patur marrëdhënie seksuale me disa partnerë. Në ato vise, kjo gjë duket normale dhe e ligjshme, pasi atje, gruaja mund të shkojë me këdo që dëshiron. Kështu, fjala vjen, popullsia e quajtur Musua, që jeton në viset e Kinës juglindore, midis Sicuanjit dhe Junjanit, jeton në bashkësi të mëdha familjare, ku frenat e “pushtetit”, pra, të gjithë jetës familjare, i kanë në duart e tyre gratë. Baballarët atje nuk shënohen fare në listat familjare dhe nuk quhen pjesëtarë të familjes, megjithëse hyjnë e dalin natën nga njëra grua te tjetra, pasi ata u përkasin familjeve të nënave të tyre.

Por, ka edhe një arsye me karakter historik, që nuk të lë ta quash familjen tonë ideale. Gjer sot e kësaj dite, antropologët nuk kanë gjetur ende dëshmi të forta që të tregojnë se bërthama e familjes, ashtu sikurse e përfytyrojmë ne sot, ka ekzistuar për ndonjë periudhë të gjatë kohe. Përkundrazi, ka fakte që tregojnë se, që në periudhat më të lashta, “familja” përfaqësonte një grup motrash dhe një grup meshkujsh që u shërbenin atyre. Ishte një kooperativë ku u shërbehej fëmijëve të përbashkët dhe del se ky bashkim kujdestarësh për rritjen e fëmijëve, luante një rol ku e ku më të rëndësishëm për mbajtjen gjallë të tij, sesa ndjenja e dashurisë midis mashkullit dhe femrës, që konsiderohet sot si bazë e bashkimit familjar, si bazë e institucionit të martesës në çift.

Edhe në kulturën perëndimore, po ta shikosh hollë, familja ideale është një fenomen shumë i rrallë. Le të përmendim disa shifra:

Në SHBA, 9% e fëmijëve jetojnë vetëm me njërin nga prindërit e tyre. Më shumë se një e katërta e të gjithë amerikanëve, jetojnë vetëm. Por, sa raste ka kur në të njëjtin qytet fëmijëve u jeton edhe babai, edhe njerku?! Sa raste të tjera ka kur fëmijët marrin mbiemrin e nënave dhe jetojnë me gjyshin e me gjyshen nga nëna ose në të kundërtën?!

Kjo ndodh, sepse në tërësi, edhe atje ku institucioni i martesës dhe i familjes ekziston si formë e vetme jetese, ai nuk ndërtohet mirë që në fillim, i shtyrë vetëm nga instikti natyror për të “mos ngelur vetëm”, bazë e krijimit të familjes nuk janë vetëm ndjenja e dashurisë dhe e respektit reciprok, por ato përzihen me ndjenja dhe interesa të tjera ekonomike dhe shoqërore. Ja, pra, edhe një shkak që nuk të lë ta quash familjen moderne “një familje të përsosur dhe ideale”.

Si e përjetojnë fëmijët ndarjen e prindërve?

Fëmijët, veçanërisht ata në moshë shumë të vogël, si rregull, e vuajnë shumë ndarjen e njerëzve të tyre më të dashur e të afërt. Ata rrojnë me shpresë së mami dhe babi, së shpejti, do të bashkohen. Ka, natyrisht, edhe ndonjë rast kur, pas ndarjes, fëmijët marrin frymë lirisht dhe kjo ndodh kur grindjet dhe skandalet në familjen e tyre kanë zgjatur për një kohë të gjatë. Fëmijët, për vetë natyrën e tyre, janë shumë të ndjeshëm dhe e kuptojnë kur prindërit nuk e ndjejnë veten të lumtur së bashku, aq më tepër që ndarjet janë paraprirë nga grindjet, sqarimi i marrëdhënieve me zë të lartë dhe akuzat e ndërsjellta. Shpëtojini fëmijët tuaj të paktën prej këtyre skenave të tmerrshme për ta dhe përpiquni të mos e ulni njëri-tjetrin në sytë e tyre. Kujdes duhet të kenë sidmos gjyshi, gjyshja, xhaxhallarët, tezet apo hallat. Është e tmerrshme për një fëmijë, bie fjala, kur dëgjon nga goja e tyre të dalin sharje dhe epitete nga më të ulëtat për njeriun e tij më të afërt. Por cilat janë, sipas psikologëve, disa nga pasojat e këtyre ndarjeve te fëmijët, sipas moshave dhe çfarë duhet të bëjmë që fëmijët ta kalojnë sa më lehtë këtë traumë të jetës së tyre?

Te fëmijët nga mosha dy deri në tre vjeç, për shembull, ndarja e prindërve mund të shkaktojë ndjenjën e një frike të madhe, frikën e vetmisë. Kjo frikë mund të bëhet shkas për dizekuilibrim shpirtëror, ndryshime të shpeshta të humorit, madje mund të shkakojë edhe tronditje të mëdha që e pengojnë fëmijën në zhvillimin e tij normal fizik dhe ndjesor. Fëmijët nuk e kanë të lehtë të kuptojnë motivet nga të cilat udhëhiqen prindërit në jetën e tyre. Fëmijët nga mosha tre deri në gjashtë vjeç, zakonisht, vuajnë shumë për shkak se nuk ndikojnë dot për të përmirësuar situatën dhe për t’i prerë rrugën ndarjes. Për rrjedhojë, ata, për një kohë të gjatë, i mundon një alarm i brendshëm dhe ndjenja e pasigurisë në vetvete. Shkollarët, nga mosha gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç, e kanë zhgënjimin edhe më të madh sepse fillimisht u duket sikur kanë mundësi t’i ndihmojnë prindërit e tyre që të pajtohen dhe, kur ky pajtim nuk arrihet, u duket sikur një pjesë të madhe të fajit e patën ata vetë. Në këtë moshë, zakonisht, formohet personaliteti i njeriut dhe stresi që shkaktohet nga largimi i nënës apo babait, mund t’u lërë këtyre fëmijëve plagë të rënda jo vetëm shpirtërore, por edhe fizike. Për të evituar këto trauma, psikologët këshillojnë…

Këshilla për prindërit që nuk e evitojnë dot ndarjen

1. Përpiquni të bëni një ndarje sa “më të butë” dhe të mbeteni miq me njëri-tjetrin. Një ndarje e “qetë” e dy bashkëshorteve, i plagos më pak fëmijët. 

2. Mos e bëni fëmijën mjet shantazhi kundër njëri-tjetrit. Për fat të keq, kështu ndodh pothuajse gjithmonë, por kjo e dëmton rëndë çdo fëmijë, në çdo moshë që të jetë.

3. Mos i ndërprisni për asnjë çast (sado kritike të jetë gjendja) përkujdesjet ndaj fëmijëve. Lexojuni atyre përralla, shëtitini në park. Në rast se fëmijës, pas ndarjes, do t’i ndodhen pranë të dy prindërit, ai do t’u shpëtojë shumë pasojave të këqia që sjell ndarja e tyre.

3. Përpiquni të pushoni së bashku. Në rast se ju do të ruani me ish-bashkëshortin një qëndrim të qytetëruar, kalojini së bashku festat, ditët e pushimit, pushimet e gjata të dimrit dhe të verës. Çojini fëmijët tuaj në teatrin e kukullave ose në këndin e lojërave si edhe më parë. Kjo do t’i bindë ata se nuk kanë humbur asnjërin prej prindërve…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

5 hapa të thjeshtë për të pasur flokë më të dendur

Next Post

Rregullat e arta të një çifti të lumtur

Advertisement