Artan Kristo: -Urime për botimin e librit, Arta. Në Shqipëri nuk është edhe aq e vështirë të botosh një libër kohët e fundit. Këtu në Francë nuk besoj te jetë kështu, apo jo?

Arta Shapllo Seiti: Këtu është e vështirë të botosh, sepse ka një konkurencë shumë të madhe, sidomos në periudhën e fillimit te sezonit  letrar kur  doli dhe libri im.

-Pasi lexon librin tënd vëren se nuk mund të japësh një përkufizim të saktë për gjininë e tij. është diçka mes romanit, autobiografisë, esesë. Si do ta quaje ti?

– Libri është diçka mes rrëfimit dhe esesë. Më shumë do e quaja një ese letrare

– Si lindi ky libër?

– Libri eshte   rezultat  i  studimeve  te  mia ne shumë disiplina dhe leximeve  pafund. Unë jam studiuese në marrëdhënie ndërkombëtare dhe eksperte e gjeopolitikës për Ballkanin, por jam mbrujtur në një familje e ambjent  letrar. Babai im, Dalan Shapllo, ka qenë kritik letrar, autor e perkthyes e mamaja është përkthyese e shumë veprave letarre ruse. Letërsia ka qënë gjithnjë brenda meje. Edhe diplomën time, në Tiranë,  ia kam kushtuar poezisë franceze dhe formës se saj. Pra, kam patur gjithmonë një pjesë timen letrare që flinte  brënda meje dhe që u zgjua një ditë…

-Libri, në më të shumtën e tij, duket si një rrëfim në gjëndje “as gjumë – as zgjuar”, si në një ëndërr…

– Po, ishte një imagjinatë, një frymëzim që më mori me vete, më përfshiu në një gjendje mendore të cilën e konceptova, mes gjumit dhe zgjimit ku dhe  forma e  te shkruarit i përshtatet idesë.

-Ndodhesh shpesh në të tillë gjendje?

– Në rradhë të parë, puna ime si studiuese, më kërkon të jem racionale, me llogjikë e arsye të ftohtë. Aq më tepër që, për të bërë një analizë gjeopolitike, unë duhet të jem pranë ngjarjeve dhe informacionit dhe kjo më kerkon  saktësi.

– Zakonisht librat shqiptarë që janë botuar në Francë janë botuar në fillim në Shqipëri e më pas janë botuar këtu. Me ty ka ndodhur ndryshe. Pse?

– Sepse unë këtë libër e mendova në frëngjisht dhe e shkruajta në frëngjisht…

-Do ta përkthesh librin në shqip?

– Me kënaqësi nëse rasti paraqitet dhe do bëhej një përkthim që do i përshtatej stilit dhe frymes poetike, Patjetër, do deshiroja që lexuesi shqiptar të njihet me të.

– Pse libri quhet “Nimbes” ?

–  Nimbes është një   rreze  drite që pershkon  disa  aspekte  të botës dhe si rrjedhojë botën time  të brendshme.  Kopertina paraqet   një tablo të një piktori simbolist të shekullit të  19-të, Odilon Redon, e  cila pasqyron nje muzë hipur mbi  Pegas. Eshtë një vështrim poetik, midis kujtimesh me ngjyra dhe ëndrrash krijuese, do të thoja, Një subjektivitet që   zhvendoset dhe tejkalon kufijtë mendore, hapësinore dhe intelektuale, ku simboli i zjarrit dhe i dritës  zenë  vendin kryesor. Eshtë një distance drejt shoqërive ballkanase e perëndimore.

– Libri në fakt është si nje meditim i gjatë për jetën tënde, nga fëmijëria deri tani… Çfarë të bën të biesh në mendime?

-Çdo gjë : Një gjë që më lidh me vendin tim, Shqipërine, një e veçantë që ndodh në botë, një poezi, një tekst me një stil të hollë, një ngjyrë, apo tablo e bukur; çdo gjë që lidhet me krijimin estetik, me anën estetike më ve në mendime. Edhe dimensioni humanist më vë në mendime. Më tërheq shumë thellësia e mendimit… Nuk i dua  mediokritetin dhe  gjendjet e vakëta.

-Të shkon mendja shpesh te jeta në Shqipëri, te ajo ç’ke lënë pas?

– Pa dyshim. Aty kam kaluar një pjesë te jetës sime, aty kam të afërmit e mi. Veç kësaj edhe puna që bëj, si specialiste e Ballkanit, bën që ta ndjek sistematikisht jetën aty. Në libër unë pershkruaj, në pjesen e pare, disa ngjarje të jetes sime, që më kanë lënë më shumë mbresë. Me anën e tyre kam dashur të tregoj që, megjithë çensurën ideologjike të kohës, me gjithë dritëhijet e asaj kohe, ka  pasur frymë krijuese.

– Çfare kujton me nostalgji nga Shqipëria?

– Me nostalgji kujtoj raportet njerëzore që ishin të vërteta dhe solidaritetin e njerezve.

– Çfarë ndjenje të sjellin kujtimet nga Shqipëria? Dëshpërim, mërzitje, kënaqësi?

– Nuk mund të them që i shoh gjërat me dëshpërim. Unë mendoj se ne, shqiptarët, siç kam dashur të tregoj edhe në libër, duhet të largohemi nga çdo vizion traumatik i së kaluarës. Përqëndrimi te një traumë sjell pasivitetin dhe stanjacionin moral të një populli. Dhe jo vetëm kaq, por sjell edhe ndarje politike. Nëpërmjet “Nimbes” kam dashur të jap mesazhin që bota nuk është asnjëherë e prerë dhe e ndarë. Midis mjegullave ka patur e ka gjithnjë një rreze dielli që  të çon  drejt  një rrugëkalimi.

-Ç’pasoja mendon se ka patur për brezin tënd jeta nën diktaurë? I ke ndjerë dhe ndjen keto pasoja?

-Jeta nën diktaturë  me ka  shtyrë  drejt  sfidave, më ka shkaktuar  etje për të  mësuar  e lexuar…

– Ato ngjarje që ti përshkruan në libër i kemi jetuar të gjithë, por ti tregon ne një mënyrë ndryshe, që të bën për vete që në rrjeshtat e parë. Cili është sekreti i këtij libri?

– Libri është shkruar si nje prozë e mirëfilltë poetike. Unë e kam zgjedhur këtë formë jo si qëllim në vetvete. Gjithshka ka ardhur natyrshëm, përmes një  frymëzimi të lartë.  Unë kur fillova të shkruaj, çdo gjë e  shikoja  si një  pikture dhe shkruaja  me një  frymë.

-A mund të quhet ky libër një autobiografi e jotja?

– Unë më shumë do e quaja “Nimbes” një shëtitje poetike të brëndshme timen. Aty kam krijuar poetikisht veten time…

– Na trego pak për jetën tënde në Paris. Me se merresh këtu? The më lart që merresh me gjeopolitiken…

– Jam në Paris që në vitin 1993. Kam kryer shume studime ketu të disiplinave  të  ndryshme (studime  evropiane,  antropologji sociale, etnologji) e kam një eksperiencë të gjatë në lëmin  e strategjisë dhe të analizës se perspektivës. Aktualisht jap mësim në Masterin e Marrëdhënieve Ndërkombetare për Ballkanin në Universitetin Katolik te Lilës. Jam autore e rregullt e revistës se njohur strategjike « Revue Défense  Nationale » dhe drejtoj  grupin  e studimeve ballkanike në « Institut Prospective et Sécurité en Europe ».

Një pyetje besoj se do ta bënin shumë lexues: A e ke njohur Edi Ramën në Paris?

-Edi Ramën e kam takuar në aktivitetet që janë bërë për Shqipërinë e Ballkanin. Ai ka një veçanti. Nuk i ngjan drejtuesve burokratë në Ballkan e gjetiu. Duke qënë një njeri i artit, ai ka një vizion e dimension politik më të gjërë se sa të paraardhesve të tij. Edi Rama, është vleresuar për  ngjyrat që i dha ndërtesave të Tiranës. Këto ngjyra të ndritshme, të cilat papritmas fshinë të kaluarën e dhimbshme dhe gjurmët e diktaturës, transformuan,  imazhin e një qyteti,  duke braktisur  zymtesinë. Unë e shikoj  këtë  ndërthurrje ngjyrash si shenjë  të qytetërimit mesdhetar qe pikërisht kurorëzon artin e ngjyrave.

Shkurt për profesionin tënd

  1. Çfarë është gjeopolitika?

– Gjeopolitika  përfshin politikën dhe gjeografinë.  Përmbledh rivalitetin dhe raportet e forcave të pushtetit dhe aktorët ndërkombetarë që  influencojne në këtë  raport  forcash.

  1. Cili është roli i Shqipërisë në gjeopolitikën e Ballkanit?

– Shqipëria, duke pasur një pozicion strategjik të rëndësishëm, e duke mos patur konflikte kufijsh, ka rolin e një  mediatori, jo vetëm në Ballkan, por  dhe më gjerë.

  1. Mendon se mund të ketë luftë në Ballkan siç tha para ca ditësh edhe presidenti i komisionit europian?

– Nuk mendoj se do ketë luftë. Në  Ballkan dhe kudo në bote, ndeshemi me  një pasiguri,. Kjo  situatë duhet të na shtyjë të gjejmë forma të reja bashkëpunimi e strategjie karshi rikompozimeve e aletatëve te rinj.

  1. Mendon se në Ballkan është e vështirë të shuhet nacionalizmat e të vendoset paqe?

-Do të citoja nje libër « Obsesioni identitar » të filozofit francez dhe njeriut te letrave, Ph.Forget per « politiken e lirisë », krijimin dhe « gjeniun e popujve » ; mosrenien në  « fetishizmin e së kaluarës ». Popujt, në vend që të  bëhen pre e një « nacionalizmi të verbër », duhet  të krijojne projekte të përbashkëta  të  zhvillimit dhe të  mbledhin në mënyrë inteligjente forcat e tyre prodhuese. Politika e lirisë është gjithmonë një politikë e tejkalimit të vetes, shkruan ai.

  1. Ndërkohë që në Europë ka një krizë idenditeti. Shumë europianë po shkojnë drejt nacionalizmave… Cila është e ardhmja e BE sipas teje? Do zgjerohet apo shthuret?

Në këtë krizë indenditeti europian mendoj se ka ndikuar midis  te  tjerash kriza ekonomike. Kjo ka sjellë që shumë vende të tkurren e mbyllen në vetvete në  një terren  bosh që i ka  lënë vendin ideologjive. Për mendimin tim, duhet  filluar  gjithçka nga  politikat e brendshme te cilat do çojnë drejt nje  horizonti te pavaruar strategjik.  Do të ishte e udhës, që mos të shikohej integrimi në BE si një forme asistence. Do të  duheshin gjetur forma të tjera bashkëpunimi,  një dinamikë rajonale, krahas bashkëpunimit europian. Shqipëria  është një aktor i rëndesishëm në Ballkan. Pozicioni i saj strategjik dhe bota shqiptare janë në avantazhin e vendit.

Librin « Nimbes », Fauves éditions, Paris, të Arta  Seitit mund ta gjeni në gjithë libraritë e Francës si dhe ta porosisni në të gjithë botën me Amazon

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *