Lorela përshëndetje! Të falenderoj shumë për pozitivitetin që ke dhe që i’a lehtëson stresin në një farë mënyre njerëzve me fjalët e tua plot shpresë dhe dashuri. Edhe unë jam një nënë 47 vjeçe që kam një shqetësim të cilin do doja ta ndaja me ju. Unë kam një vajzë 23 vjeçe e cila ka patur një lidhje dashurie me një djalë për rreth 3 vite por ai iku jashtë me premtimin se do kthehej prapë dhe kur iku atje tha që nuk ka mundësi të kthehet më në Shqipëri. Që nga moment që ai ka ikur vajza ime po kalon një gjendje stresi dhe as ushqehet por rri vetëm në dhomë, mundohet të buzëqeshë për të na thënë ne prindërve që nuk ka gjë por unë e kuptoj dhimbjen e saj. Nuk di çfarë të bëj me të se nuk dua që gjendja e saj të rëndohet. Ajo rri e mbyllur në dhomë me orë të tëra dhe nuk flet me asnjë. Ju lutem mund të më jepni ndonjë këshillë për këtë problem? Faleminderit dhe pres përgjigjen tuaj.

Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:-Përshëndetje e dashur! Të falënderoj sinqerisht për vlerësimin! E kuptoj këtë shqetësim tëndin. Në radhë të parë, në gjykimin tim kjo çështje nuk duhet të përbëjë shqetësim në vetvete, pra që ikja dhe moskthimi i atij djali të jetë për ty apo për anëtarët e tjerë të familjes tënde një problem, sepse në një mënyrë apo në një tjetër kjo do të reflektojë në klimën familjare dhe çfarë është më e rrezikshmja, tek vajza dhe gjendja e saj emocionale. Natyrisht që zhgënjimet prej lidhjeve dashurore janë ato të cilat lënë më shumë gjurmë dhe kërkojnë më shumë kohë të shërohen, sidomos kur në mes ka elementë të zhgënjimit, braktisjes, e kur këto ndodhin në moshë të re.  Megjithatë, për fat të mirë, natyra njerëzore është e përbërë në mënyrë të tillë, që është e aftë të gjejë burime dhe forma të shumta për të shprehur dashurinë. Duke qenë se dashuria është ndjenjë e cila ka shumë dimensione, trajta dhe destinacione, ky është momenti që vajza jote ta ndjejë më shumë se kurrë dashurinë pa kushte nga ana jote dhe e anëtarëve të tjerë të familjes. Përpiquni që t’i qëndroni afër. Nëse ka nevojë të shprehet, dëgjojeni. Nëse jo, nuk është nevoja ta nxisni të flasë. Mund t’i shpjegoni që këto ndodhi nuk duhet të shkaktojnë dëme emocionale dhe psikologjike të parikuperueshme dhe të mos jenë pika kthese apo ndryshimi drastik në mënyrën sesi vajza do të ndërtojë marrëdhëniet në të ardhmen. E them këtë, sepse shpeshherë ajo që ndodh, është se kur kemi ndonjë zhgënjim, na humbet besimi dhe optimizmi për më tej.

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *