Nga: Arlis ALIKAJ

Prej 2 muajsh impianti i përpunimit të mbetjeve (incinerator) i Elbasanit ka filluar djegjen e mbetjeve për energji. Ky incinerator pritet të pasohet nga të tjerë nëpër Shqipëri, përfshirë në Tiranë, Fier etj.

Mënyra se si do të menaxhohen mbetjet në Elbasan do të shërbejë si shembull edhe për Tiranën, Fierin, e qytetet e tjera ku do të ndërtohen incineratorë së afërmi.

Por çfarë ndodh sot në Elbasan? Ricikluesit, të cilët duan të mbeten anonym, shprehen se kompania menaxhuese e inineratorit i djeg të gjitha mbetejet, edhe ato që janë të riciklueshme. Më parë ricikluesve u ishte dhënë garancia nga Bashkia Elbasan se nuk do prekeshin interesat e tyre pas vënies në punë të inineratorit, pasi vendi ka nevojë për riciklim dhe jo gjithçka do digjej, duke ulur në këtë mënyrë ndotjen. Ricikluesi i intervisutar nga ne thotë se situata është gati të degradojë në konflikt midis palëve të përfshira.

Ekspertë mjedisi të zonës dhe ambientalistë thonë se mjedisi përreth ka ndotje të lartë. Nga analizat e bëra nga DSHP-ja e zonës, cilësia e ajrit por dhe zona e kontaminuar përreth kalon nivelet e ndotjes të lejuara me ligj. Në këtë nivel të lartë ndotjeje do të kontribuojë djegja në masë e mbetjeve, përfshirë dhe ato të riciklueshme. Një re e madhe tymi mbi Elbasan mund ta konstatohet lehtë me sy të lire.

Sipas juristes Rita Strakosha, të Qendrës Kombëtare për Shërbime Komunitare, VKM-ja nr. 178, viti 2012, “Për incinerimin e mbetjeve”, përcakton se leja mjedisore jepet pasi incineratori ka garantuar se do të riciklojë mbetjet aty ku është e mundur (me riciklim nuk kuptohet djegja e mbetjeve, qoftë dhe për prodhim energjie).

Sipas VKM-së nr. 177, viti 2012, “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”, operatorët ekonomikë (ku përfshihen dhe incineratorët) marrin masat e nevojshme për parandalimin e gjenerimit të mbetjeve të ambalazheve (si psh. shishe plastike).

Gjithashtu në vlerësimin paraprak mjedisor të incineratorit në Elbasan, propozohet që incineratori të bashkëpunojë me bashkinë për projekte riciklimi.

Në kontratën e konçesionit konçesionarit i kërkohet ti trajtojë mbetjet urbane në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat e mira industriale. Nëse i shkel detyrimet për më shumë se 6 muaj, kontrata e konçesionit mund të zgjidhet.

Këto detyrime ligjore incineratori i Elbasanit duket se nuk po i zbaton, sepse nuk po i riciklon mbetjet plastike të riciklueshme (kryesisht shishet plastike).

Në qytetet europiane ku ka incineratorë, në djegje përfundojnë vetëm mbetjet e pariciklueshme, në terma profesionalë “mbetjet teprica” (residual ëaste). Në Komunikimin e Komisionit Europian për prodhimin e energjisë nga mbetjet, nxjerrë në 1 Janar 2017, theksohet se incinerimi realizohet vetëm për mbetjet e pariciklueshme dhe se ndërtimi i incineratorëve duhet gjithmonë të respektojë hierarkinë e preferencave, ku pakësimi i mbetjeve dhe riciklimi janë të parat në radhë. Qeveritë e respektojnë këtë hierarku kur planifikojnë sasinë e mbetjeve për djegje,  kapacitetet e incineratorëve dhe kur japing konçesionet për incineratorë.

Të gjitha mbetjet urbane të Elbasanit, si të riciklueshmet, edhe të pariciklueshmet, përfundojnë sot në incinerator. Bashkia e ka të ndaluar të çojë mbetjet e riciklueshme në operator tjetër përveç incineratorit.

Është detyra e incineratorit që mbetjet e riciklueshme ti ndajë dhe ti çojë për riciklim, kurse ato të pariciklueshmet ti djegë për prodhim energjie.

Në rast se incineratori i Elbasanit vazhdon të mos riciklojë mbetjet e riciklueshme, qeveria mund të marrë në konsideratë edhe ndryshimin e kontratës së konçesionit, ku mbetjet e riciklueshme të përjashtohen nga kontrata.

Një kontratë e tillë do të respektonte epërsinë e riciklimit ndaj djegjes, të vendosur në ligjin shqiptar për menaxhimin e integruar të mbetjeve si dhe në legjislacionin europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *