Përshëndetje, mund t’ju kenë ardhur edhe kërkesa të tjera si e imja, meqë po vijnë festat dhe tryeza tradicionale Vitit të Ri, nuk kishte kuptim pa një gjel deti në mes. Kam parë dhe lexuar, e madje gatuar shumë herë gjelin e detit, por do doja të dija si gatuhet gjeli i detit me perime, sepse kam dëgjuar që perimet i japin tjetër shije.
Faleminderit, suksese gazetës në 2017 dhe festa të bukura e të shijshme. Majlinda.
Përgjigjet Shef Miri i Restorant Il Tipico, 0689049531:- Majlinda, unë të falendëroj për urimet dhe uroj të njëjtën gjë edhe për ty. Gjeli i detit është symbol i tryezës shqiptare për festat e fundvitit. Pa atë, tavolina e Vitit të Ri është e varfër dhe nuk do kishte kuptim, ashtu siç the edhe ti vetë. Është një ushqim tradicional që çdo amvisë mundohet ta përgatisë në mënyrën më të mirë. Unë personalisht, ashtu si edhe kërkesa jote, do preferoja dhe sugjeroja gjelin e detit të mbushur me oriz dhe perime. Por, përpara se të shpejtoni të blini gjelin e detit, është mirë të njihni disa ‘rregulla’ të dobishme: Blijeni në dyqane dhe tregje që janë të kontrolluara për standardet e higjienës. Nëse blini gjel deti të freskët, kini kujdes mos të ketë ndryshime në lëkurë, mishi të mos jetë i nxirë ose në ngjyrë jeshile tek pjesa e barku, qafa, në pjesën e brendshme të kofshëve ose poshtë krahëve. Mos e zgjidhni nëse mishi në sipërfaqen e lëkurës dhe tek zgavrat e brendshme ka mbishtresë të ngjitshme. Nëse e zgjidhni të ngrirë, kini kujdes të jetë i paketuar pa ajër dhe të ruhet në temperaturën -18 gradë. Për më tepër, shmanguni blerjes, nëse në pjesën e brendshme të paketimit ka copa akulli ose shumë lëngje.
Për këtë gatim duhen këto përbërës:
Gjel deti 3-4 kg
Oriz 500 gr
Gjalpë 150 gr
Selino 25 gr
Karrotë 100 gr
Bizele 100 gr
Patate 100 gr
Qepë 2 kokrra
Kripë, piper, majdanoz, rozmarinë.
Në fillim pastrojmë gjelin e detit dhe në një tenxhere i japim një zierje përreth 20 minuta. E kullojmë dhe lëngun e gjelit e përdorim për lëngun e pilafit me perime. Në një tenxhere hedhim gjalpë, fillojmë të skuqim perimet e prera në forma të vogla kubike. I japim një të skuqur të lehtë bashkë me orizin dhe u shtojmë lëngun e gjelit të detit e i ziejm përreth 12 minuta. Pasi mbarojm me këtë proçedurë, gjelin e detit e mbushin me përgatitjen që bëmë dhe e lidhim me spango që mos të shpërbëhet. E mbështjellim me letër alumini dhe e pjekim me 180 gradë për 2 orë e gjysëm. Herë pas here mund ti shtojm nga pak lëng ose ujë që të mos thahet.
Ju bëftë mirë dhe Gëzuar Vitin e Ri 2017, nga “Il Tipico”. Do lexohemi në 2017 me receta të tjera