Të gjatë, të shkurtër, me onde apo të drejtë. Flokët për gratë nuk janë thjesht një tufë fibrash, por një shprehje e stilit dhe e personalitetit të tyre, ndaj humbja e flokëve i tremb realisht ato…

– Grave dhe burrave u bien flokët në mënyra të ndryshme?
– Grave u bien flokët njësoj si burrave, pavarësisht nëse janë të gjatë, apo të shkurtër. Ato mund të rrallohen gjithandej, ose vetëm në kurorën e kokës. Ju mund të keni edhe një vend bosh në këtë zonë. Ajo që grave u ndodh rrallë është që vija e flokëve të shtyhet gjithnjë e më poshtë, ashtu siç u ndodh burrave.
– Si rriten flokët?
– Në lëkurën e kokës ndodhen afro 100 mijë flokë. Çdo fije ka ciklin e vet të jetës. Një rrënjë prodhon vetëm një fije floku që rritet me një ritëm prej 1.3 centimetrash në muaj. Ai rritet për 2-6 vjet dhe pastaj, e ndalon rritjen për një muaj. Kur fillon cikli tjetër, ai bie. Në një moment të caktuar, shumica e flokëve tuaj janë në fazën e rritjes.
– Deri në sa flokë në ditë duhet të bien që kjo të quhet normale?
– Shumicës së njerëzve u bien 50-100 fije floku çdo ditë. Mos u shqetësoni nëse gjeni disa në furçën e flokëve, ose në rroba. Por, nëse ato fillojnë të bien me tufa, ose shihni që rrallohen me kalimin e kohës, atëherë duhet të shkoni te doktori.
– Cilat janë arsyet e rënies së flokëve?
– Nuk ka një arsye të vetme. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, që nga sëmundjet (afro 30 lloje të ndryshme e shkaktojnë këtë) e deri te stresi dhe stili i jetesës, për shembull, nga ajo që hani. Rol luajnë edhe gjenet. Nganjëherë mjekët nuk gjejnë një arsye specifike. Si fillim, ata do t’ju sugjerojnë të bëni analizat e tiroideve dhe çrregullimeve hormonale. Shpesh, pasi gjendet shkaku dhe luftohet ai, flokët rriten përsëri.
– A mund të matet rënia e flokëve?
– Po, doktorët përdorin për këtë, të ashtuquajturën shkallë të Savinit. Shkalla fillon nga një densitet normal i flokëve, deri te një kurorë tullace (gjë që ndodh rrallë). Kjo shkallë ndihmon për të përcaktuar rënien e flokëve te gratë, një sindromë që doktorët mund ta quajnë alopecia androgjenike. Ju mund të mendoni se tullacllëku është një “ekskluzivitet” i burrave, por jo; kjo diagnozë prek 30 milionë gra vetëm në SHBA. Ekspertët mendojnë se këtu luajnë rol gjenet dhe mosha, së bashku me ndryshimet hormonale të menopauzës. Flokët tuaj mund të rrallohen gjithandej, me një rënie më të madhe në qendër të kokës.
– Si ndikon tiroidja në rënien e flokëve?
– Kjo gjëndër në formë fluture në gushë prodhon hormone të rëndësishme për trupin. Nëse ajo prodhon shumë apo pak hormone, atëherë kjo ndikon një ciklin e rritjes së flokëve. Por rrallimi i flokëve nuk është e vetmja shenjë e problemeve të tiroides. Të tjera janë rënia ose shtimi në peshë, të qenit të ndjeshëm ndaj të ftohtit apo të nxehtit, ose ndryshimet në rrahjen e zemrës.
– Ndonjë sëmundje tjetër që ndikon në rënien e flokëve…
– Nëse ju keni sindromën e vezoreve policistike, keni një çrregullim hormonal në trup: trupi juaj prodhon më shumë hormone mashkullore (androgjene) sesa duhet. Kjo mund të shkaktojë dalje të qimeve në fytyrë e trup dhe rrallim të flokëve në kokë. Kjo sindromë gjithashtu mund të shkaktojë probleme me ovulimin, akne dhe shtim në peshë, por nganjëherë, rrallimi i flokëve është e vetmja shenjë e dukshme.
– Çfarë është alopecia areata?
– Njerëzit me alopecia areata kanë humbje flokësh në formë ngastre. Fajtor në këtë rast është vetë sistemi imunitar i njeriut, që sulmon gabimisht rrënjët e shëndetshme të flokëve. Në shumicën e rasteve, dëmtimi nuk është i përhershëm. Flokët e rënë duhet të rriten përsëri brenda 6 muajve-1 viti. Disa njerëz humbasin gjithë flokët në kokë dhe qimet e trupit, por kjo ndodh rrallë.
– Cilat janë shkaqet e tjera që shkaktojnë rënie të flokëve?
a. Ai që në gjuhën shkencore quhet myku i tenjës, ndërsa në atë popullore, qere. Kur ky myk prek lëkurën e kokës, ai shkakton një rënie flokësh në formë ngastre, që duket qartë dhe që shoqërohet me kruarje. Lëkura mund të duket si me luspa dhe e kuqe. Doktori e trajton këtë me ilaçe kundër mykut. Kjo mund të ngjitet lehtë edhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, kështu që kontrolloni edhe pjesëtarët e tjerë të familjes se mos e kanë.
b. Një arsye tjetër e rënies së flokëve është lindja e fëmijëve. Ju mund të keni vënë re se i keni flokët më të dendura gjatë shtatzanisë, por, pasi lind fëmija, flokët i rikthehen normalitetit dhe fillojnë të bien. Ju mund të humbisni shumë flokë përnjëherësh dhe mund të nevojiten deri në 2 vjet që ato të rikthehen në gjendjen normale.
c. Edhe hormonet që pengojnë ovulimin mund të shkaktojnë rrallimin e flokëve. Kjo ka më shumë gjasë nëse keni një trashëgimi në familje. Ilaçe të tjera që shkaktojnë rënie flokësh janë ato për hollimin e gjakut dhe ilaçet që trajtojnë presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, artritin dhe depresionin.
d. Dieta. Kur bëni një dietë të fortë, ju mund të humbisni jo vetëm peshën. Nëse ju bini 8 kg ose më shumë, mund të humbisni edhe disa flokë. Mos u shqetësoni shumë, sepse gjendja do të normalizohet kur të rifilloni një dietë të shëndetshme. Flokët mund të bien edhe nëse merr shumë vitaminë A, ose jo aq sa duhet proteina.
e. Modelet e shtrënguara të flokëve. Ky nuk është mit. Nëse i mbani flokët me gërsheta të vegjël, të shtrënguar pas kokës, ose bisht të lidhur fort, kjo mund të irritojë lëkurën e kokës dhe të shkaktojë rënien e flokëve. E njëjta gjë ndodh nëse vini bigudina të shtrënguara. Lërini flokët të lëshuara dhe ato do të rriten normalisht. Kini parasysh se nëse i përdorni për një kohë të gjatë këto stile flokësh, mund të dëmtoni lëkurën e kokës dhe t’i humbisni flokët përgjithmonë.
f. Trajtimi kundër kancerit. Terapia me rreze dhe kimioterapia, të cilat përdoren gjerësisht për të luftuar kancerin, ndikojnë edhe në rënien e flokëve. Këto dy terapi kanë për qëllim vrasjen e qelizave kanceroze, por mund të dëmtojnë rrënjën e flokut dhe të shkaktojnë një rënie në masë të tyre. Por, dëmtimi është pothuajse gjithmonë i përkohshëm. Kur trajtimi mbaron, flokët zakonisht rriten përsëri.
g. Stres i madh. Stresi i madh, fizik apo emocional mund të shkaktojë një rënie të madhe flokësh. Shembuj të këtij stresi janë: Një sëmundje serioze, ose ndërhyrje e rëndësishme kirurgjikale, trauma, që përfshin edhe hemorragji, dhimbje e madhe emocionale.
– Si bëhet trajtimi i rënies së flokëve?
– Edhe trajtimi është në varësi të shkakut të rënies. Trajtimet ndahen në:
a. Ilaçe. Minoksidili është aprovuar në rastin e rënies së flokëve te gratë. Ai mund të ngadalësojë, ose të ndalojë rënien e flokëve te shumica e grave dhe mund të ndihmojë daljen e flokëve të reja. Por të mirat e tij marrin fund kur ndalohet përdorimi i tij. Ilaçet me kortizon-steroide mund t’i ndihmojnë gratë me alopecia areata. Nëse shkaku është një problem shëndetësor, ose kequshqyerja, trajtimi i këtyre mund të ndihmojë në riparimin e problemit.
b. Lazeri. Aparaturat që lëshojnë dritë lazeri me energji të ulët mund të ndihmojnë në daljen e flokëve të reja. Ato përdoren në disa klinika, por edhe në shtëpi. Disa janë aprovuar edhe për gratë, edhe për burrat dhe studimet kanë treguar se funksionojnë, por mund të duhen 2-4 muaj derisa të shohësh rezultate. Kini parasysh se për këto aparate nuk bëhen testime kaq rigoroze sa për ilaçet. Efeket dhe siguria e tyre afatgjatë ende nuk njihen.
c. Transplanti. Kjo procedurë përfshin marrjen e tufave të flokëve nga vendet ku janë më të dendura dhe transplantimin e tyre në vendet me më pak flokë. Megjithatë, shpeshherë gratë kanë rrallim të flokëve në të gjithë kokën, kështu që është e vështirë të bëhet transplanti. Kjo funksionon më mirë te gratë që humbasin flokë vetëm në kurorën e kokës.
d. Produktet dhe aparatet e ndryshme. Nëse do të kërkoni në internet, do të gjeni dhjetëra produkte për ndalimin e rënies së flokëve, ose për daljen e flokëve të rinj. Për fat të keq, është e vështirë të dallosh nëse fotot “para” dhe “pas”, janë të vërteta. Për të gjetur nëse një trajtim funksionon realisht, duhet të flisni më parë me një dermatolog të besuar.
– Çfarë stilesh flokësh mund të përdorin gratë me rënie të flokëve?
– Për këtë duhet të flisni me një stilist. Ai mund t’ju sugjerojë një model flokësh të shkurtër, ose një ondulim të lehtë të flokëve. Përdorni produkte stilimi për flokët e rrallë, që të fshihni vendet bosh të lëkurës. Aplikojini ato në rrënjën e flokut dhe pastaj thajeni flokun që të keni më shumë volum. Lërini flokët të thahen vetë për njëfarë kohe, para se të përdorni tharësen. Produkte speciale kozmetike mund të fshehin pjesë të lëkurës që duken. Ka produkte me keratinë të cilat mund t’i aplikoni në vendin me pak flokë. Ngarkesa e tyre statike i bën flokët të duken më të dendur.
– Si veprohet në rastin kur rënia e flokëve është e madhe?
– Kjo mund të jetë një sfidë më vete. Nëse zonat e rralluara bien në sy, atëherë përdorni një aksesor, një shall, një kapelë. Tani në treg kanë dalë edhe paruka të cilësisë së lartë të cilat rrinë gjithmonë mirë. Nëse rënia e flokëve ndikon në punën apo në jetën tuaj shoqërore dhe ju pengon të dilni nga shtëpia, atëherë flisni me një psikolog.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *