Ndonjëherë përditshmëria të kthehet në përrallë, ndonjëherë në makth, por e rëndësishme është që je pjesë e një procesi jetësore që merr dhe jep nga realiteti i një fushe të gjelbër me 22 futbollistë që vërtiten pas një sfere. Futbolli është pasion, dashuri, sakrificë… madje dhe ekzistencë. Pero Pejiç është një ndër lojtarët e huaj më të mirë që ka luajtur në Shqipëri dhe ka mbetur në kujtesën e shumë njerëzve. Kroati ka kaluar vite të mrekullueshme në Shqipëri duke lënë gjurmë të rëndësishme në vendin tonë, edhe si golashënues. Shtatlarti ka luajtur për ekipe si Skënderbeu, Kukësi, Tirana, Dianmo dhe Flamurtari, duke fituar edhe tituj kampion. Tashmë, Peroja ndihet si i shqiptarizuar edhe pse nuk ndodhet në vendin tonë dhe luan në kampionatin iranian. Gazeta “Intervista” mundohet që t’u paraqesë lexuesve sa më shumë personazhe të famshme që kanë lënë gjurmë në atë që kanë bërë dhe Pejiçi është një prej atyre që kanë kontribuar për futbollin shqiptar… Sa keq që nuk është shqiptar, pasi mbase mund të kishte ndihmuar edhe në Evropian, pavarësisht moshës së madhe. Në këtë rrëfim ekskluziv Pejiçi tregon edhe se ka dëshirë të rikthehet… S’i dihet, ndoshta “gjahtari” i golave do të jetë përsëri pjesë e kampionatit tonë.

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Pero. Nuk dukeni në humor të mirë…
Pero Pejiç: – Është e vërtetë. Rezultatet e fundit të skuadrës nuk kanë qenë më të mirat dhe normalisht, ndikojnë edhe te humori im. Mos harroni se ne lojtarët jetojmë 24 orë në 24 me problemet e skuadrës dhe mendojmë se si t’i zgjidhim.
– Por ju morët një barazim mjaft të vlefshëm…
– Nuk më intereson se kujt ia morëm barazimin apo emri i ekipit kundërshtar. Ne nuk fituam 3 pikë, por 1 dhe në garën për mbijetesë dhe pozitat që mbajmë, na duhet të grumbullojmë sa më shumë, përndryshe do ta shohim veten një kategori më poshtë.
– Besoni te titulli kampion?
– Besoj shumë. Jam pjesë e një ekipi të cilit nuk i mungojnë cilësitë dhe jam i bindur se bashkëlojtarët kanë cilësi. Ua kanë treguar të gjithëve. Për mendimin tim, ky ekip nuk i meriton këto pozita në të cilat ndodhet tani. Jemi në vendin e tretë, por duhet të ishim në të parin.
– Nëse është kështu si thoni ju, pse ndodheni në të tilla kushte?
– Mendoj se nuk është vetëm për faj të skuadrës dhe të asaj që ka bërë në fushën e lojës. Të mos harrojmë se jemi dëmtuar jo pak edhe nga gjyqtarët.
– Në fund, llogaritë nuk bëhen me kartona, por me pikë…
– Keni të drejtë. Jemi 3 pikë prapa vendit të parë dhe një, larg vendit të dytë. Gjithçka është e hapur.
– Mendoni se mund t’i rikuperoni?
– Kemi katër “finale” për të luajtur deri në përfundim të sezonit dhe na duhen medoemos pikët për të shpëtuar. Besojmë se do t’ia dalim. Të mos harrojmë se jemi edhe në finale të Kupës së Iranit dhe mund të fitojmë edhe këtë trofe.
– Të rikthehemi aty ku na intereson më shumë. E kujtoni Shqipërinë?
– Po, sigurisht. Kam kaluar vite të mrekullueshme në vendin tuaj dhe timin bashkë, pasi ndihem edhe unë shqiptar.
– Si është të punosh në Shqipëri?
– Nuk është e vështirë, pasi ne jemi pak a shumë të ngjashëm. Jemi vëllezër dhe kemi të njëjtin mentalitet ballkanas. Kemi të njëjtat zakone dhe tradita. Merrem vesh mjaft mirë me shqiptarët dhe më kanë ndihmuar e më kanë përkrahur jo pak në punën time. Mendoj se të gjithë meritojnë falënderime. Kroatët dhe shqiptarët janë vëllezër.
– Domethënë, gjithçka ka shkuar vaj në Shqipëri?
– Jo, jo, nuk thashë këtë, pasi si në çdo vend pune, edhe këtu do të ketë probleme, ashtu si dhe lojtarët në Spanjë apo në Itali e kudo tjetër. Por, janë probleme pune. Unë kam vetëm kujtime të mira në vendin tuaj.
– Sa vite keni kaluar në Shqipëri?
– Kam luajtur 5 vite dhe gjithçka ka qenë perfekte.
– Si janë njerëzit këtu, parë në këndvështrimin e një të huaji?
– Janë njerëz të mirë dhe i respektoj shumë; më kanë mbështetur dhe respektuar. Nuk jam ndjerë si i huaj këtu.
– E keni të vështirë komunikimin?
– Jo, aspak. Flas me të gjithë. Tani, të shkruaj jo edhe aq mirë, pasi ju po e shihni vetë, por besoj se do të m’i rregulloni pak përgjigjet. (Qesh)
– Më thoni diçka të keqe për ne shqiptarët…
– Jo, jo, për shqiptarët vetëm të mira, asgjë të keqe… (Qesh)
– Jo, Pero, jo, s’të lejoj… Më gjej diçka…
– Humbni shumë kohë në kafe. (Qesh)
– Cilat janë ushqimet tuaja të preferuara në vendin tonë?
– Mishi i qengjit është i preferuari, por edhe trileçja.
– Ku ndryshon Kroacia nga Shqipëria?
– Nuk ndryshon shumë, por kroatët kanë më shumë kulturë në sport. Nuk ka skandale si këtu, ku goditet gjyqtari apo ka sherre masive ndërmjet lojtarëve.
– Sa ka ndryshuar Shqipëria?
– Nga viti 2007, që unë kam ardhur për herë të parë, Shqipëria vetëm po shkon përpara.
– E mendoni rikthimin?
– Pse jo? Nëse kam ndonjë ofertë nga ndonjë ekip në Shqipëri do të vij. Jam profesionist, bëj një jetë të shëndetshme e nuk jam i dëmtuar. Kjo më rrit kreditet për të qenë përsëri në kampionatin shqiptar.
– Qyteti që ju pëlqen më shumë?
– Tirana.
– Shihemi së shpejti, Pero…
– Të shohim, mik!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *