– Doktoreshë Albana, kam lëkurë shumë të ndjeshme dhe delikate. Çfarë më këshilloni për një lëkurë të tillë, që të mos më acarohet, sidomos në këtë periudhë që merren njollat shumë lehtë?
Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: – Së pari, duhet të përcaktohet saktë tipi i lëkurës që keni, në mënyrë që edhe trajtimi të jetë i personalizuar. Jo çdo lëkurë ka procedurë të njëjtë me një tjetër përsa i përket trajtimit dhe mbrojtjes nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. Për një lëkurë të tillë delikate dhe të ndjeshme, duhet të përdorni produkte pikërisht të kësaj natyre, si locion pastrues pa shpëlarje ose spërkatës me ujëra termale, kremra hidratantë të lehtë. Thajeni mirë fytyrën duke e tamponuar me një shami letre dhe jo me pambuk. Në ambientet e punës me ajër të kondicionuar, ose në ambiente të nxehta, rekomandohet përdorimi i kremrave hidratante disa herë në ditë. Në qoftë se përdorimi i një produkti shkakton skuqje ose pickim, ndërpriteni menjëherë. Për të patur një lëkurë të shëndetshme, duhet të mbroheni nga ndryshimet e temperaturave, nga era dhe nga dielli.
– Kremrat kundër diellit rekomandohet të përdoren gjatë gjithë vitit, por në periudhën mars deri në fund të shtatorit, duhen përdorur kremra me filtër mbrojtës të lartë 30 ose 50 SPF 30 minuta para ekspozimit në diell dhe të përsëritet përdorimi i kremit çdo tre orë. Kufizoni në maksimum përdorimin e alkoolit dhe të duhanit. Pini të paktën tetë gota me ujë çdo ditë dhe hidratojeni vazhdimisht lëkurën. Përsa u përket kremrave, duhet të keni shumë kujdes, sepse tregu kozmetik është mbushur me mjaft produkte të firmave ose markave të ndryshme që me paketimin e tyre elegant ose me reklamat që i ndeshim kudo në TV, internet, revista dhe gazeta, na joshin për blerjen e tyre. Prandaj, në vend që të provoni këto produkte pa ndonjë rezultat të dukshëm, është më mirë të kërkoni këshillën e një dermatologu i cili do t’ju orientojë për të marrë atë produkt për të cilin ka nevojë lëkura juaj. Përpara përzgjedhjes së produktit, mjeku dermatolog duhet të bëjë testimin e plotë të lëkurës. Pas kryerjes së testimit të lëkurës, mjeku dermatolog ju jep informacion të detajuar për gjendjen e lëkurës, kryesisht për shkallën e hidratimit, të yndyrës, ph, elasticitetin, por edhe për produktet e nevojshme për lëkurën tuaj.
Advertisement