Polici dhe kulaku
Kur zbrisje malin e Trebeshinës për të shkuar në Memaliaj, duhet të kaloje patjetër lumin e Vjosës që ishte i rrëmbyeshëm, por aty ishte një lundër që i kalonte njerëzit nga njëra anë në tjetrën. Kur shkova aty afër, pashë se ishte edhe një polic i cili sapo kishte filluar punën. Donte të kalonte lumin, por s’po ia mbante ta bënte vetë, ndaj iu drejtua njërit që po qëndronte pranë lundrës:
Polici: – Ti punon te kjo lundra?
Kulaku: – Po.
Polici: – Më ço në anën tjetër.
Kulaku: – Nuk punon lundra…
Polici: – Nuk e sheh që jam polic?! Të më çosh tani menjëherë se të futa hekurat!
Kulaku: – Dakord, po të marr në krahë atëhere…
Polici hipi në një gur dhe i hipi kaliqafë kulakut. Kështu, ky i fundit, me policin në qafë, u fut në ujë duke ecur ngadalë.
“Si e ke emrin? Nga je? Çfarë pune ke bërë?”, nisi ta pyeste polici kulakun gjatë rrugës.
Kulaku: – Nuk kam punuar se jam kulak e nuk më fusin në punë.
Polici: – Ti je kulak?!
Kulaku: – Po…
Policit iu kujtua që s’duhet të rrinte me armiqtë e klasës dhe nga frika se mos e hiqnin nga puna, i kërkoi ta lëshonte menjëherë.
Kulaku: – Prit, se edhe pak e të nxora në anën tjetër!
– Lëshomë more kulaku i m…t! – ia priti polici dhe filloi të rrotullohej sa majtas-djathtas aq fort, sa kulaku s’mundi ta mbante më ekuilibrin, sidomos në një lumë të rrëmbyeshëm e me gurë që kur i shkelje, rrëshqisje, kështu që ra në lumë bashkë me policin.
Në atë kohë, unë isha zhveshur dhe e kalova lumin me këpucët në dorë. Në anën tjetër, takova policin dhe e pyeta se pse u rrëzuan.
– Nuk u rrëzuam more… – më tha, – po unë sa e mora vesh që ishte kulak, u hodha vetë!
Më vonë, polici, nga frika se mos e merrte vesh kryetari i degës Tepelenë, shkoi dhe ia tregoi vetë atë që i ndodhi, por kryetari e hoqi menjëherë nga puna. Megjithatë, lutje mbas lutjesh, policin e rimorën në punë.
Mbas nja një muaji, kur po kaloja në Martalloz të Tepelenës, më doli përpara kulaku dhe e pyeta nëse kishte ndonjë mensë ku të haja bukë. Kulaku më tha:
– Këtu s’ka, po urdhëro në shtëpi!
Ashtu bëra. Kulaku më skuqi një pulë, një tas me kos, gjizë e hudhra të njoma e një dopio raki dhe, të them të drejtën, ajo drekë më shijoi, ndaj e falënderova kulakun e ika. Pas ca ditësh më doli polici përpara e me gishtin ngritur lart, më urdhëroi:
– Ti, hajde këtu!
Me t’u afruar, më pyeti: – Ke ngrënë bukë te shtëpia e këtij kulakut këtu?
– Bukë kam ngrënë, – iu përgjigja, – po nuk e di se është kulak.
– Ore, unë të them pse ke ngrënë e ti më thua nuk e dija!
– Epo mirë, e paskam dëmtuar ekonomikisht… – i thashë, por polici nuk hiqte dorë nga sjellja e tij prej kapadaiu, duke më pyetur pse kështu e pse ashtu…
– Mirë pra, – i thashë – po e nxjerr çfarë kam ngrënë! – dhe bëra sikur po fusja gishtat për të vjellë.
– Ik ore, – më tha ai i vështirosur, – ti me nder e ke dhjerë 100 herë e tani dashke ta nxjerrësh!
Kështu, u ndava me policin.