– Bashkëjetoj me një italian dhe kam fëmijë me të. Im bir tani njihet si italian në Milano, kurse unë nuk kam pasaportë italiane. A mund ta kërkoj edhe unë shtetësinë tani që kam lindur fëmijen këtu? Çfarë rruge të ndjek për këtë gjë?
– E nderuar zonjë, ligjet italiane të cilat i rishikuam në disa publikime zyrtare, nuk parashikojnë që nëna mund ta marrë nënshtetësinë prej të birit, edhe pse ky i fundit e ka babain italian. Ju mund të ndiqni dy rrugë për të përfituar nënshtetësinë italiane: Si fillim duhet të dini që nënshtetësia nuk ju jepet nëse konsideroheni e rrezikshme për sigurinë publike. Ja cilat janë dy rrugët që duhet të ndiqni për të marrë nënshtetësi italiane:
– Së pari, duhet të paraqisni një kërkesë për shtetësi për rezidencë në Itali. Për këtë, ju duhet të jeni e regjistruar në zyrat e gjendjes civile italiane prej një numri të caktuar vitesh, që ndryshon në bazë të shtetësisë që keni aktualisht (dhjetë vjet, për shqiptarët). Ju duhet të tregoni gjithashtu se keni të ardhura të rregullta për të paktën 3 vitet e fundit para paraqitjes së kërkesës për shtetësi italiane. Për këtë, në gjendjen civile ku jeni e regjistruar do të kërkoni udhëzuesin e plotë për marrjen e shtetësisë për rezidencë.
– Së dyti, rruga më e thjeshtë për të marrë nënshtetësinë italiane duke qenë se ju bashkëjetoni me një banor të atij shteti dhe për më tepër keni një fëmijë me të, është martesa. Pasi të bëni martesën, paraqisni kërkesë për shtetësinë pas një periudhe më të shkurtër vitesh rezidence (dy vjet rezidencë me bashkëshortin italian nga data e martesës ose një vit, nëse çifti ka fëmijë). Për këtë do të futeni në portalin e Ministrisë së Brendshme Italiane online dhe të plotësoni formularët që ju kërkohen për marrjen e shtetësisë nga martesa me një qytetar italian. Aty do të plotësoni formularët që ju paraqiten duke u bashkangjitur dhe dokumentacionin në format elektronik, pra, të skanuar. Ju duhet të keni këto dokumente: Aktin e lindjes të legalizuar (me vulë apostile, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje; Certifikatën e martesës të legalizuar (me vulë apostile, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje, nëse martesa është bërë në atdhe, përndryshe nëse martesa është lidhur në Itali, nuk është e nevojshme certifikata pasi kjo gjë vetëdeklarohet; Certifikatën penale nga vendlindja (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të keni jetuar më parë), të legalizuar (vulë apostile, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje; Dokumentin e identitetit italian; Lejen e qëndrimit; Pasaportën e vlefshme; Kuponin e derdhjes së kontributit prej 200 eurosh dhe Pullë-taksë prej 16,00 euro. Për më shumë hollësi hyni në portalin e Ministrisë së Brendshme Italiane dhe do të gjeni gjithë informacionin e plotë mbi mënyrat e marrjes së nënshtetësisë italiane.
Advertisement