Zotin Ristani e gjeta teksa po dilte nga një lokal, pranë selisë së PD-së. Iu afrova dhe e ftova të uleshim të dy së bashku. Kamerieri erdhi brenda sekondës, siç vijnë përherë. Porosita dy makiato dhe filluam bisedën e mëposhtme:

Arben Ristani: – Që je djalë legen, je! Mirë që më fton, po porosit edhe makiato pale! Përse nuk ma shtrove tavolinën? E di atë ti?
Kaso Kosa: – Cilën?
– Atë që, kush vjen pa ftuar, e gjen pa shtruar.
– Po, e di…
– Ti, a më ftove?
– Po, ju ftova…
– Atëherë, përderisa më ke ftuar, përse nuk ma ke shtruar? Ëëë?! Burrash, të mos e përsërisësh më këtë gabim. Lashë takimin me Lul Bashën, vetëm e vetëm që të vija në tavolinë me ty.
– Po lini pa takuar zotin Basha, për mua?!
– Sigurisht! Eeeeeuuuu sa herë e lë të më presë mua ai. Kam angazhime të tjera më të rëndësishme se ato partiake. Unë jam kokë në parti. E meqë përmende kokën. A porosisim ndonjë kokë të pjekur?
– Zoti Ristani?! Unë s’jua përmenda fare kokën. Ishit ju që e përmendët. Leqë nuk e honeps fare, se ka dhjamë…
– Epo, gazetar që s’ha kokë të pjekur, vetëm ty kam parë. Për kokë të kokës së pjekur, sikur të haje kokë të pjekur, do t’ia kalonim mirë bashkë.
– Në fakt, unë ju ftova që të bisedonim rreth çështjes së kërcënimit që i bëtë një gazetari. Konkretisht, zotit Çika. Nuk më thoni: Përse e kërcënuat? Ai është edhe i djathtë…
– Meqë më kujtove djathin, Kaso, a marrim një djathë tepelene dhe e hamë? Apo nuk shkon me rakinë ai! E bëjnë mirë ata të zonës, me thënë të vërtetën. E qajnë fare, e qajnë.
– Zoti Ristani, flasim njëherë për çështjet e brendshme që na interesojnë…
– Meqë më kujtove të brendshmet: Na porosit ca të brendshme qengji!
– Çfarë të brendshmesh thoni, zoti Ristani? Ky lokal është vetëm për të pirë. Leqë mua bëjnë keq të skuqurat…
– Epo, njeri që s’ha të brendshme vetëm ty kam parë.
– E di, e di! Në politikë i preferoni të brendshmet, se hani brenda llojit. Nejse, i lëmë të brendshmet, por më thoni, ju lutem: Përse e kërcënuat gazetarin? Të kërcënonit ndonjë tjetër, hajde de, por ai është edhe i djathtë denbabadem.
– Pikërisht ndaj e kërcënova, se është i djathtë.
– Nuk ju kuptoj. Ju lutem, jini më konkret!
– E mirë, marrim konjak, meqë thua ti, Kaso. Konjak dhe ca kikirikë me kripë. Del një kombinim që të lëpish gishtat. Konjakun dhe kikirikët paguaji ti, kripën e vë unë. Që ta dish ti: Unë dal përherë me kripë me vete. E mbaj në xhep. Gjithë dynjaja mbajnë sheqer në xhep që t’u eci mbarë, unë mbaj kripë. Ka lezetin e vet me konjakun, ajo e shkretë kripë…
– Thashë kon-kret, jo kon-jak.
– Paska pije të quajtur “konkret” dhe nuk e ditkam?! Ky është një turp për mua, Kaso. Kur paska dalë kjo pije me këtë emër? Unë jam edhe Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. E di ti përse më kanë vënë sekretar?
– Jo, zoti Ristani, nuk e di. Në fakt, e di: Ju kanë vënë se i dhatë fitoren në zgjedhjet vendore zotit Basha.
– Po Kaso, po, gjithë dynjaja kështu e di, por unë po ta them vetëm ty. Sekretar, që ta dish ti, më caktoi vetë zoti Berisha.
– Atë e di unë, se kush cakton, po përse iu caktoi juve dhe jo ndonjë tjetër?
– Më ftoi Saliu mua në zyrë dhe më tha: “Ty, Beni, kam vendosur të të bëj Sekretar të Përgjithshëm të Partisë. Kam besimin dhe bindjen që ti e bën më mirë se të tjerët”. “Faleminderit zoti Berisha, i thashë unë. Po përse menduat për mua?”.
– Pikërisht këtë pyetje do të bëja edhe unë tani. Përse juve?
– Po duro, o Kaso shtataniku, duro! Shiko ç’më tha zoti Berisha: “Partia jonë është katandisur në atë fazë që i merren këmbët, më tha. Dukemi si parti që ka pirë. Kështu, ty Beni, meqë i njeh mirë si fenomene sekretet e përgjithshme të pijes, do të të bëj “Sekret-ar të Përgjithshëm”.
– Uuuueeee, tani e kuptova unë. Domethënë, meqë fjala “sekretar”, vjen nga fjala “sekret”, zoti Berisha ju bëri juve, Sekretar. Është i madh zoti Berisha, për Zotin!
– I madh është posi, ndaj ka zgjedhur një njeri të madh si unë.
– Zoti Ristani! Më mbeti pa marrë përgjigje për pyetjen: Përse e kërcënuat gazetarin e njohur Çika? Ai është sagllam i djathtë, siç edhe thashë qëparë.
– Po ndaj e kërcënova, Kaso. Po më shikonte në tavolinë. Më dukej sikur më thoshte: “Mbete lokaleve duke ngrënë e pirë. Ik bëj ndonjë punë partie!”. Aty unë u nxeha shumë. U çova dhe i thashë: Unë të grij, dëgjon apo jo?! Në të djathët jetojmë për qejfe dhe jo për ideal, si të majtët. Po s’e mbushëm stomakun dëng, ç’të djathtë leshi jemi?!
– Kështu i thatë?
– Ore, meqë ra llafi te “thatë”. Po ma lë bisedën thatë ti mua. Nuk ka lezet kështu…
– Jua jap ditë tjetër zoti Ristani, ju premtoj.
– Herën tjetër atëherë do më japësh 11 birra.
– Përse 11?
– Më ka mbetur zakon. Përherë gjërave u shtoj dhjetë… Dhe ja ku po ta them, Kaso; Nëse kjo qeveri do bjerë një ditë, pas 11 vjetësh, atë nuk do ta hedhë opozita që s’mban dot ushkuret e veta. Do ta hedhin dy personazhet e “Portokallisë”: Ajo e gjora nënë qe shet majdanoz dhe ajo drejtoresha që do “mitraloz”…

Bisedoi me shaka Kaso Kosa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *