Thonë se koha i shëron plagët e dashurisë dhe ndoshta është e vërtetë, por edhe atëherë kur mendon se je shëruar komplet, mjafton një shkëndijë e vogël që zjarri të ndizet më shumë se në fillim. Një gjë e tillë ndodhi me mua dhe kjo bëri që sot të jem pjesë e gazetës tuaj me historinë time.
Jam Ramadani dhe origjinën e kam nga një fshat i jugut të Shqipërisë, pikërisht aty ku filloi historia ime. Sot jam pesëdhjetë e pesë vjeç dhe fati më bëri të ndihem edhe njëherë si njëzet e pesë vjeçar. Asnjëherë nuk kam qenë i apasionuar mbas rrjeteve sociale, por mbas një aksidenti me makinë, m’u desh të rrija për muaj të tërë në shtëpi, si pasojë e shembjes që pata në njërën këmbë dhe këshilla e mjekut ishte që të mos lëvizja. Djali i madh, duke patur parasysh që unë do të mërzitesha gjithë ditën në shtëpi, më hapi një adresë në Facebook, në mënyrë që unë të argëtohesha duke folur me shokët e punës dhe me shoqërinë time të fëmijërisë, apo edhe të ushtrisë. Kisha shumë njerëz të mitë, shokë dhe miq, me të cilët i kisha humbur lidhjet prej kohësh, pasi ata kishin emigruar dhe i kishim humbur kontaktet. Djali më mësoi si ta përdorja Facebook-un, si të gjeja njerëzit me të cilët kisha patur lidhje, më mësoi se si të shkruaja, apo të komentoja për gjërat që më interesonin. Në pak kohë, si të thuash, unë u futa në botën virtuale që të ofrojnë rrjetet sociale. Ishte një gjë që filloi të më tërhiqte jashtë mase dhe ashtu pa e kuptuar e gjeja veten para kompjuterit duke folur për orë të tëra me njerëzit e mi, me të njohur e të panjohur.
Por historia ime filloi një ditë kur si pa dashje, lexova emrin dhe mbiemrin e një njeriu të njohur aty në fshatin ku unë u rrita dhe kalova fëmijërinë. Mbiemri i tij më trazoi aq shumë saqë në një sekondë më erdhi në mendje e gjithë historia e dashurisë që më kishte ndodhur në rininë time të hershme. Një e dridhur më kaloi në të gjithë trupin, zemra e ndieja se po më rrihte fort, sikur donte të më dilte nga kraharori. Ai mbiemër fliste shumë dhe më zgjoi kujtime që kisha kohë që i kisha harruar. Rrija i shtangur para kompjuterit dhe fillova të mendoja. Ai person për të cilin po ju flas ishte vëllai i vajzës që unë e dashurova kur isha i ri. Ajo ishte dashuria e parë dhe e vetme e jetës sime. Besoj se të gjithë ju që do ta lexoni këtë histori, do të qeshni me këtë frazë që përdora, sepse burrat nuk bien kollaj në dashuri, por ja që me mua kështu ndodhi dhe ajo femër ngeli fiksimi i jetës sime. Edhe pse unë u martova dhe u bëra me fëmijë, nuk munda ta harroja. Në fakt, nuk më kishte shkuar në mendje që ta kërkoja atë në Facebook, ndoshta sepse ajo kishte ndryshuar mbiemrin, kishte ndryshuar paraqitjen, sepse tashmë ishin bërë gati 30 vjet që nuk e kisha takuar, por ja, personi që ju tregova më lart është vëllai i saj dhe më risolli në mendje shumë kujtime. Ashtu i hutuar, duke m’u dridhur duart, fillova të shikoja miqtë që ai kishte, me shpresën se do të gjeja motrën e tij. Dhe ja, ashtu siç e kisha menduar, ajo u shfaq para meje me emrin e saj A., por me mbiemrin e bashkëshortit. Menjëherë fillova të shikoja fotot e saj dhe zemra sa nuk po më plaste. Ajo kishte mbetur po aq e bukur sa para tridhjetë vjetësh…
Historia jonë filloi kur unë sapo kisha ardhur nga ushtria. Kisha gati tre vjet larguar nga fshati, edhe pse vija me leje në familje. Atë vit prindërit e mi po bënin një dhomë shtesë me mendimin se më kishte ardhur koha për t’u martuar dhe të kisha dhomën time. Nga ndërtimet që po bënim më duhej të mbushja shumë ujë, por çezmën e kishim pak larg, thuajse në qendër dhe pikërisht aty vinin për të mbushur ujë pothuajse gjysma e fshatit. E mbaj mend si sot ditën e parë kur e takova A.-në. Unë kisha dy bidona njëzet kilësh dhe, duke qenë se çezma kishte shumë pak ujë, enët donin shumë kohë për t’u mbushur. Atëherë erdhi A.-ja dhe më përshëndeti. Edhe unë gjithashtu dhe e lejova që ajo të mbushte ujë e para, pasi po të më priste mua do të vonohej shumë. Ajo nuk pranoi dhe gjatë kohës që ajo po priste, unë përfitova që ta pyesja se kush ishte dhe ajo më përgjigjej në mënyrë shumë të sjellshme. Takimi me të më la shije shumë të këndshme, aq sa fillova ta mendoja gjatë gjithë ditës dhe natës. Dëshira për ta takuar atë vajzë kishte bërë që unë të shkoja më shpesh për të mbushur ujë ditën e natën, aq sa personat që më shikonin më thoshin me shaka: “na e thave çezmën!”. Eee, sikur ta dinin ata hallin tim!…
Mbas disa ditësh u ndeshëm përsëri në çezmën e fshatit, por ajo këtë herë kishte ardhur me të ëmën dhe nuk munda të komunikoja me të, të paktën jo ashtu siç doja unë. Më tepër fola me mamanë e saj duke e pyetur se sa fëmijë kishte dhe se ku punonin. Përfitova nga rasti dhe i thashë se isha duke bërë një dhomë të re dhe gati gjithë ditën e kaloja duke mbushur ujë aty. Këtë ia thashë me qëllimin që ta dëgjonte A.-ja e të vinte më shpesh te çezma e fshatit. Dhe ashtu ndodhi! Fakti që po takohesha me të më shpesh, më bëri të kuptoja se dhe ajo më donte. Takoheshim dhe shiheshim shpeshherë aty, por nuk na kishte qëlluar që të ishim vetëm, pasi vinin edhe njerëz të tjerë. Të vetmen herë që pata mundësi të qëndroja vetëm pak minuta me të, i thashë: “Duhet të takohem patjetër me ty, pasi kam një bisedë shumë serioze për të bërë”. Nga përgjigjja e saj kuptova se dhe ajo kishte filluar të ndiente për mua. Në fshat ishte e vështirë për t’u takuar sepse ajo ruhej shumë nga llafet e njerëzve, kështu që ajo më propozoi të takoheshim një ditë kur ajo do shkonte në qytetin që ne kishim afër fshatit, pikërisht aty ku ajo kishte martuar edhe motrën.
Atë ditë udhëtuam me të njëjtin autobus, po sigurisht larg njëri-tjetrit, për të mos rënë në sy të njerëzve. U takuam në lulishten e qytetit dhe aty folëm shumë gjatë. Të dy të ulur në një stol filluam të bisedonim. Unë, herë mundohesha të flisja, herë sodisja flokët e saj të gjata ngjyrë gështenjë e herë më shkonin sytë të gjoksi i saj, i cili dukej pak nga fustani me jakë në formë v-je. Kisha filluar ta doja aq shumë atë vajzë saqë në ato momente doja vetëm ta përqafoja dhe ta bëja timen që në atë çast, por e dija se kjo ishte e pamundur. Unë ngrita dorën dhe fillova t’i përkëdhelja flokët lehtë. Ajo dukej si një mace e vogël që i pëlqejnë përkëdheljet, ndërsa unë vazhdoja të flisja dhe njëkohësisht, lozja me flokët e saj. Në një moment, ajo ndaloi, me kapi dorën dhe më tha:
– Të lutem, ta kalojmë natën bashkë në një hotel sot!
Unë shtanga në vend sepse nuk po i besoja asaj që dëgjova. Ajo vazhdoi përsëri duke më thënë: “Të lutem ma plotëso këtë dëshirë!”. Kërkesa e saj më shumë më dëshpëroi sesa më kënaqi; nuk e kisha menduar që gruaja e jetës time do të më kërkonte një gjë të tillë që në takimin e parë, sidomos në atë kohë kur të tilla gjëra ishin tabu. Ajo vazhdonte të këmbëngulte dhe unë mendova se e kishte një arsye të fortë që po ma kërkonte një gjë të tillë. E pyeta se pse e kërkonte këtë gjë dhe ajo nuk më kthente përgjigje, vetëm më lutej: “Të lutem, më bëj tënden sonte!”. Më shkonte mendja se mos ndoshta ishte ndonjë kurth që po më ngrinte, pastaj e kuptova se ajo nuk ishte vajzë për mua. Mendova se ajo ishte ndonjë femër e përdalë, e cila shkonte me çdo mashkull që i dilte përpara. U dëshpërova shumë, sepse kisha filluar ta doja dhe pastaj vendosa që t’ia plotësoja dëshirën. Në fund të fundit, unë nuk do të humbisja asgjë, përkundrazi, do kënaqesha e pastaj ajo do të vazhdonte jetën e saj dhe unë timen. Kështu bëmë. Prenotuam një dhomë hoteli. Mendova se ajo do të më hidhej në kokë nga dëshira e zjarrtë që kishte për të kaluar mbrëmjen me mua, por nuk ndodhi kështu. Ajo u ul në krevat dhe rrinte e trishtuar. Atëherë fillova të mendoja: “Po kjo, ç’më bën si e ndershme? Pret që i shkoj unë i pari?”. Atëherë fillova të hiqja rrobat e mia dhe me një lloj inati, i thashë: “Pse nuk zhvishesh?”. Ajo filloi t’i hiqte rrobat një e nga një, derisa u zhvesh e gjitha. Kishte një trup te mrekullueshëm, por unë fillova ta urreja që ajo nuk do të ishte femra e jetës sime, por thjesht një kalimtare e rastit. Atëherë në nerva e sipër u hodha mbi të dhe fillova ta përkëdhelja e ta puthja në të gjithë trupin. Në ato momente më vinte në mendje ideja se unë isha kushedi i sati burrë që ajo po fuste në shtrat dhe sa më shumë e mendoja këtë gjë, aq më dhunshëm sillesha me të dhe mendoja se kjo gjë në njëfarë mënyre, asaj i pëlqente. Kur ngrita kokën lart, pashë A.-në që qante pa zë. Atëherë pata frikë, u tërhoqa dhe e pyes se përse qante.
– Të lutem bëj kujdes, ti je burri i parë që kam takuar në jetën time… – më tha ajo.
Aty shtanga sepse nuk po kuptoja më asnjë gjë. U ngrita, i fshiva lotët dhe e pyeta: – Pse po e bën këtë gjë me mua?
Ajo m’u përgjigj: – Sepse ti je i vetmi që kam dashur dhe do të dua për gjithë jetën time.
Ju nuk e keni idenë sa shumë më lumturuan fjalët e saj! I thashë: “Vishu tani, ti do të jesh nusja ime dhe nga ky moment, do të vish në shtëpinë time”. Pa e mbaruar fjalën, ajo ma mbylli gojën duke më puthur dhe unë nuk mundesha t’i rezistoja… Vazhdova duke e puthur dhe përkëdhelur, por këtë herë me shumë ëmbëlsi dhe dashuri. Nga ajo natë kuptova se unë isha vërtet i pari burrë në jetën e saj dhe kjo gjë më lumturoi pa masë. Ata natë fjetëm të përqafuar pranë njëri-tjetrit, por lumturia ime nuk zgjati më shumë se një natë. Në të gdhirë, ajo ishte larguar nga dhoma duke më lënë një letër ku më sqaronte se për herë të parë ajo kishte rënë në dashuri me mua, por sipas asaj, dashuria midis nesh nuk mund të ishte më shumë se ai çast që kaluam, pasi ajo ishte me përbërje të keqe politike dhe se nga ky fakt, ne nuk kishim të ardhme. Letra ishte e shkruar gjatë, dukej që e kishte përgatitur që në shtëpi, po ç’rëndësi ka, me pak fjalë ky ishte thelbi. E si mund të ishte njeriu më i zhgënjyer se kaq?! U desh shumë kohë që unë ta harroja atë vajzë. Edhe pse shpeshherë rrija me orë të tëra në vendin e takimit tonë, ajo përsëri nuk u bë e gjallë. Më vonë mora vesh se kishte qenë e fejuar me një person që kishte patur probleme me drejtësinë dhe në kohën kur ajo më dashuroi mua, ai ishte në burg. Vetëm atëherë e kuptova pse ajo e shikonte dashurinë tonë si të pamundur. Më pas, ajo u martua e gjithashtu edhe unë dhe secili nga ne mori drejtimin e tij. Sa herë shkoja në fshat pyesja për të dhe më kishin thënë se kishte katër fëmijë dhe bënin një jetë të qetë. Kjo pra ishte historia ime, e cila më ktheu në një kohë të shkuar…
I gjendur përballë fotove të saj, e shikoja dhe mendoja se si do të ishte jeta ime me të. Nuk munda ta pengoja dot tundimin që pata në ata moment për të folur me atë dhe thashë me vete: “Të dalë ku të dalë, unë do t’i shkruaj”. Dhe ashtu bëra. I shkrova vetëm “përshëndetje!” dhe prita se si do të reagonte ajo. Në fakt, ajo m’u përgjigj të nesërmen. Më kishte njohur nga fotoja dhe sigurisht, edhe ajo ishte emocionuar nga kjo bisedë rastësore në Facebook. E pyeta dhe më pyeti për shumë gjëra, madje më kërkoi edhe të falur për mënyrën se si u largua prej meje atë natë në hotel. Ajo më shkruante gjithmonë kur nuk e kishte bashkëshortin në shtëpi, ndërsa unë i mirëprisja mesazhet e saj në çdo kohë sepse bashkëshortja ime, as që e merrte mundimin të hynte ndonjëherë në kompjuter. Komunikimi me të filloi të bëhej shumë tërheqës, më dukej sikur isha përsëri njëzet vjeç, filluam t’i flisnim shumë fjalë të ëmbla njëri-tjetrit, që në atë kohë nuk patëm mundësi që t’i shprehnim. Më dukej vetja tjetër njeri, më mjaftonte vetëm një mesazh i saj dhe më dukej sikur po rilindja. I kisha kërkuar edhe që ta takoja, por këtë herë ajo ishte shumë e vendosur.
“Nuk mund ta bëj të njëjtin gabim që bëra dikur, më tha, sepse tashme nuk jam vetëm, por do vija në lojë jetën e fëmijëve të mi”. Ajo ishte e kënaqur që ne gjetëm gjurmët e njëri-tjetrit në botën virtuale dhe kaq për të mjaftonte, por sigurisht, edhe për mua nuk ishte e lehtë që të hidhja hapa të gabuar, sepse tashmë edhe unë kisha një familje. Kështu, të dy iu nënshtruam fatit tonë dhe komunikimi virtual ishte për ne një luks për rrethanat ku ndodheshim. Tashmë, për të dy ne takimet dhe bisedat në Facebook ishin bërë si një person që është i varur nga cigarja dhe nuk mundet ta shmangë dot. Unë mezi prisja që ajo të ishte vetëm në shtëpi dhe të komunikonim. Sa hapja kompjuterin, nuk kishte ditë që të mos gjeja në mëngjes një mesazh prej saj. Lumturohesha si një adoleshent dhe kjo bisedë me të ishte gjëja më e bukur që kisha përjetuar ndonjëherë në jetën time. Pas disa muajsh, unë u shërova dhe e fillova përsëri aktivitetin tim duke shkuar në punë, gjë që nuk na pengonte të komunikonim, por lumturia e komunikimit që na kishte mbërthyer duke biseduar bashkë, si çdo gjë e bukur, edhe këtë herë, dështoi. Rastësisht djali kishte hyrë në kompjuterin tim (gjë që ai nuk e bënte asnjëherë) dhe kishte parë shumë prej mesazheve që ne kishim komunikuar me njëri-tjetrin. Ai e kishte përjetuar shumë keq këtë gjë dhe shumë i nervozuar, më kërkoi llogari. Shumë i turpëruar ndaj tij, i tregova me detaj çdo hollësi të historisë sonë, që nga njohja e deri tani. Ai më tha “nëse nuk do që t’i tregoj mamasë, atëherë ti që sot do ta ndërpresësh komunikimin me të”. Sa nuk më ra pika kur ai ma kërkoi këtë gjë, të vetmen gjë të bukur që kisha në ato momente, por nuk kisha rrugë tjetër, ai ishte shumë serioz dhe i hidhëruar për nënën e tij, sepse mendonte se kjo që po bëja ishte një lloj tradhtie dhe ai këtë nuk e pranonte. Atëherë i kërkova t’i shkruaja asaj vetëm një mesazh të fundit. Ai pranoi…
Ai ishte teksti më i gjatë që i kisha shkruar ndonjëherë. I tregova arsyet, pse do të hiqja dorë nga komunikimi me të dhe nga Facebook-u njëkohësisht, i shpjegova se e doja shumë, si ditën e parë që e takova dhe se për mua kjo ishte një dhembje e dytë, si ajo kur u ndamë atë natë në atë hotel. I shkrova se do ta kujtoja gjithmonë me shumë dashuri, edhe pse fati kishte lozur me ne duke na ndarë dy herë. Gjithashtu, i shkruaja se do t’i lutesha Zotit që të na bashkonte në botën tjetër. Pasi e dërgova këtë mesazh të fundit, djali si dënim ma mbylli Facebook-un dhe sot e kësaj dite unë nuk e di se si ka reaguar ajo kur e lexoi atë tekst. Një brengë do të më mundojë gjithë jetën, se ajo ka menduar se e gjithë kjo ka qenë një lloj loje për t’u hakmarrë duke ia kthyer në të njëjtën monedhë siç bëri ajo dikur me mua. Nëse A.-ja e lexon këtë histori, dua t’i them se nuk isha unë që doja të luaja me fatin, por fati luajti dy herë me ne dhe se ne jemi shumë të dobët për ta ndryshuar rrjedhën e jetës sonë…
Advertisement