Një aplikacion i ri, i krijuar nga shkencëtarët amerikanë, mund ta kthejë smartphone-in tuaj në një sensor tërmetesh dhe të shpëtojë jetë njerëzish.

Studiues nga universiteti i Berkleit, Kaliforni dhe Deutsche Telekom AG (telekomi gjerman) kanë krijuar një aplikacion që përdor sensorin e lëvizjes së telefonit të mençur për të ndier tërmetet. Aplikacioni, i quajtur MyShake, regjistron kohën dhe amplitudën e dridhjeve dhe i dërgon të dhënat e vendndodhjen e telefonit për analiza në laboratorin sizmologjik të Berkleit. Sa më shumë njerëz ta përdorin aplikacionin, aq më mirë do të funksionojë sistemi. Qëllimi është të krijohet një rrjet global sizmik që do të paralajmërojë përdoruesit në kohë për lëkundjet që mund të vijnë nga tërmete që janë larg. “Për shumë vende sizmike si Nepali, apo Peruja, MyShake mund të paralajmërojë personat që do të preken prej tyre disa sekonda të vlefshme përpara dhe, në rastin më të mirë, të shpëtojë jetë”, tha Deutsche Telekom në një deklaratë të saj. “Këto vende aktualisht kanë vetëm një rrjet të rrallë sizmologjik, ose një sistem paralajmërimi të hershëm, ose edhe nuk kanë fare, ama kanë me miliona përdorues të telefonave të mençur”.

Megjithëse sensori i lëvizjeve të një celulari, akselerometri, është më pak i ndjeshëm se një sensor i vendosur në tokë, ai gjithsesi mund të regjistrojë lëkundje tërmeti me një magnitudë 5 shkallë, që ndodhin në një rreze prej 10 kilometrash. Gjithashtu, numri i madh i përdoruesve të telefonit e kompenson mungesën e ndjeshmërisë së tij, pasi vetëm në Kaliforni ka 16 milionë përdorues dhe në gjithë botën, afro 1 miliard. MyShake mund të shkarkohet falas nga Google Play Store. Zëdhënësit e Deutsche Telekom thanë se është planifikuar të krijohet një aplikacion i tillë edhe për përdoruesit e iPhone-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *