Amir Rrahmani është pa dyshim një ndër lojtarët më të mirë të Shqipërisë. Qendërmbrojtësi i RNK Splitit është vetëm 22 vjeç, por ka ecur përpara në karrierën e tij. Shtatlarti i ka ngjitur shkallët gradualisht dhe shpreson se rrugëtimi i tij drejt suksesit të vazhdojë dhe të mos ndalojë vetëm në stacionin aktual. Karriera e tij ka filluar në Drenicë të Kosovës, për të kaluar te Partizani dhe për të vijuar në Kroaci, me një ekip mjaft prestigjioz si RNK Split. Java që lamë pas ka qenë shumë e veçantë për të, pasi gjeti golin e parë të tij për këtë sezon. Ekipi i tij u mund 1-2 nga skuadra e Balajt dhe Roshit, por Rrahmani vazhdon të shkëlqejë duke u përzgjedhur vazhdimisht në formacionin e javës në kampionatin kroat. Në një rrëfim për gazetën “Intervista”, lojtari i Kombëtares rrëfen për emocionet e golit dhe për jetën e tij në Kroaci…

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje dhe urime për golin, Amir!

Amir Rrahmani: – O shumë faleminderit. Më vjen mirë që më ndiqni. Ju përshëndes të gjithëve.

Mund të na tregoni emocionet e golit?

Jam shumë i lumtur që arrita të shënoja, pasi kjo është rrjeta e parë për mua në këtë vit. Isha në momentin e në kohën e duhur dhe e shfrytëzova që ta dërgoja topin në rrjetë. Jam i kënaqur, pasi unë jam i ri dhe dua të shënoj sa më shumë, pavarësisht se jam mbrojtës.

– Ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, nuk e përmendët ekipin në këtë përgjigje…

– Nuk e përmenda, pasi pyetja u përqendrua tek unë. (Qesh) Përtej shakasë, më vjen shumë keq që goli im nuk i shërbeu ekipit, pasi humbëm në fund me rezultatin 1-2 në fushën tonë.

Balaj dhe Roshi e fituan duelin me ju?

– Më mundën këtë herë, edhe pse nuk e meritonin. Rijeka na mposhti, po të gjitha statistikat flisnin për ne. Pastaj, gjysma e së keqes që ishin dy shqiptarq që më mundën. (Qesh) Balaj ishte edhe autori i golit të fitores dhe mu bë qejfi për të, por edhe për Roshin.

– Biseduat mbas sfidës?

– Sigurisht që biseduam dhe i urova për fitoren. Bekimin për golin dhe Odisenë, për paraqitjen. Më erdhi keq që Balaj mori të kuqe. Ishte i mërzitur për këtë gjë.

A ke marrë shumë urime për golin?

– Po, shumë dhe më vjen mirë që shumica janë shqiptarë.

– Po ndonjë urim nga Italia, ka ardhur për ty?

– De Biazi? Nuk më kanë munguar ndonjëherë urimet dhe komunikimi me të apo edhe me Tramezanin.

– Çfarë pretendimesh ka Amiri për këtë sezon?

– Individualisht apo me skuadrën? Pasi më cilësoni si egoist pastaj… (Qesh)

Në të dyja aspektet…

Shpresoj që të bëj paraqitje sa më të mira dhe të evidentohem në syrin e ekipeve të mëdha. Spliti është një ekip që më jep mundësira dhe që mund ta përdor si një trampolinë për më lart. Normalisht, dua t’i shërbej edhe skuadrës. Ne pretendojmë të kapim Kupat e Evropës.

Pothuajse çdo javë, përzgjidhesh në formacionin e javës në Kroaci. Çfarë ndjesie sjell kjo për ty?

Është diçka shumë pozitive për mua, pasi jam i ri dhe më vjen mirë që vlerësohem.

– Si është ambienti sportiv që të rrethon në Split?

Këtu ndihem shumë mirë. Janë njerëz shumë miqësorë dhe kam fituar respektin e tyre. Trajneri dhe presidenca kanë besim tek unë dhe deri tani, nuk i kam zhgënjyer. Nuk do ta bëj as në të ardhmen.

– Po marrëdhëniet me tifozët?

– Janë të shkëlqyera! U kam hyrë shpejt në zemër me paraqitjet e mia.

 

 

Rrahmani dhe Kombëtarja

 

Më bëri përshtypje që tek objektivat personale, nuk fute Kombëtaren. Do të thotë që nuk e synon?

Jo, nuk ka lidhje me këtë. Dua më shumë se çdo gjë të jem në Francë dhe shpresoj të jem.

– I druhesh konkurrencës?

Kjo mund të jetë arsyeja se pse mund të mos jem. Janë emra të mirë si Cana, Mavraj, Ajeti dhe Xhimshiti. Megjithatë, po luaj mirë dhe shpresoj të tërheq vëmendjen e De Biazit.

– Ke folur me trajnerin për grumbullimin?

– Me të jam në kontakt, më uron dhe më pyet për gjendjen time, por nuk kemi folur në lidhje me grumbullimin. Nuk kemi arsye pse ta bëjmë kur ka kohë dhe mbetet vetëm vendimi i tij. Nuk mund t’ia imponoj atë gjë.

Nëse bën një parashikim, do të jesh në listë apo jo?

– Mendoj se po, me këto paraqitje që kam dhe do Zoti, nuk marr ndonjë dëmtim.

 

 

Jeta në Kroaci

 

Je përshtatur tashmë?

– Po, tani jam përshtatur. Nuk i di të gjitha vendet, por gjërat kryesore i di.

Si është Spliti?

Një qytet i bukur dhe shumë i afërt, në kuptimin që të bën të ndihesh sikur je në vendin tënd, në Shqipëri apo në Kosovë.

– Si sillen kroatët me shqiptarët?

– Ne jemi dy popuj që shkojmë mirë dhe natyrisht, i kam marrëdhëniet shumë të mira. Nëse e kishe fjalën për racizëm, nuk ndodh diçka e tillë.

Kush janë më të bukura, femrat shqiptare apo kroate?

Në Shqipëri ka shumë femra të bukura, por nuk qahem as për kroatet. (Qesh)

A ke një marrëdhënie dashurie?

– Po, e kam një shumë të fortë…

Mund të na tregosh diçka më tepër për këtë?

– Po, dashuroj marrëzisht topin e futbollit. (Qesh) Jo, jam herët për të pasur diçka shumë serioze.

 

 

Nostalgji

Ndjen mall për Shqipërinë apo për Kosovën?

– Si vend, po…

– Si kampionate?

– Të jem i sinqertë, jo. Dua të rris nivelin tim dhe po synoj gjithmonë edhe për më lart.

Të premten ishte derbi… E ndoqe?

Po, e ndoqa…

– Të ngjalli emocione?

– Po, patjetër.

Do të doje ta luaje përsëri?

– Po, është pa dyshim ndeshja më e bukur e Shqipërisë. Më merr malli për të dhe do të doja ta luaja përsëri. Sa isha pjesë e Partizanit, nuk kam humbur asnjë ndeshje të tillë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *