Ju keni kohë që jeni bashkë dhe mendoni se miqtë tuaj beqarë kanë një jetë më eksituese për shkak të Tinderit? Sigurisht, por rutina dashurore është një fat i vërtetë! Lexoni më poshtë arsyet që e vërtetojnë diçka të tillë.
- Një higjienë më e mirë jete
Studiuesit e universitetit të Minesotës pohojnë se të qenit në çift të shtyn të hash më shumë fruta e perime dhe të bësh më shumë aktivitet fizik… ama vetëm nëse edhe partneri/ja ka një higjienë të mirë jete. Nëse ai/ajo e kalon jetën ulur në kolltuk, rrezikoni edhe ju të bëheni kështu. Fakti që ai/ajo nuk lëviz nga vendi, ju jep edhe juve një justifikim për të mos lëvizur sepse, në fund të fundit, faji është i tjetrit!
- Ke më pak stres
Sipas studiuesve të universitetit të Çikagos, njerëzit në çift prodhojnë më pak kortizol (hormoni i stresit) sesa beqarët. “Mbështetja shoqërore e ofruar nga çifti të lejon të luftosh në mënyrë efikase kundër stresit”, thonë ata. Është e vërtetë se lehtësoshesh kur i hapesh dikujt në shtëpi pas një dite të vështirë në punë (përveçse nëse edhe tjetri ka vendosur t’i shkarkojë tensionet e tij të njëjtën mbrëmje).
- Ke zemër më të fortë
Sipas një studimi të publikuar në Gazetën e Shëndetit dhe të Sjelljes Shoqërore, personat në çift kanë tri herë më shumë mundësi për të mbijetuar pas një operacioni zemre dhe rrezikohen më pak nga infarktet. Duhet thënë se dashuria jetëgjatë është e mirë për zemrën, me përjashtim, sigurisht, të rastit kur tjetri thotë se ka vendosur t’ju lërë. I vetmi ilaç i mundshëm në këto raste mbetet ai që ju ofron shoqëria e ngushtë.
- Antitrupa më të fortë
Shkencëtarët e universitetit të Ajovas kanë zbuluar se pacientët me “një ndjesi lidhjeje të fortë dhe marrëdhënie të kënaqshme” kishin rruaza të bardha më të fuqishme në rastin e luftës kundër kancerit, ose edhe në luftën ndaj kolesterolit. Megjithatë, beqarët nuk duhet të nxitohen për t’u martuar sa më shpejt, sepse edhe të kesh miq të besueshëm, është po aq mirë…
- Jetë më të gjatë
Sipas kërkuesve të universitetit të Miçiganit, çiftet e martuara kanë një jetëgjatësi më të madhe se beqarët, bile edhe çiftet që jetonin një lidhje të lirë. Mbase kjo vjen ngaqë të qenit i/e ve të lejon të marrësh pensionin e burrit në rast se ai vdes dhe për pasojë, të kesh kushte më të mira jetese dhe të shkosh më shpesh te mjeku? Ja, disa argumente shumë “romantike” që mund t’i parashtroni tjetrit nëse keni ndërmend të martoheni me të…
- Më shumë vetëvlerësim
Kësaj radhe është universiteti i Pitsburgut ai që pohon të mirat e të fjeturit në të njëjtin krevat. Sipas studiuesit, të fjeturit në të njëjtin krevat stimulon prodhimin e oksitocinës, këtij neurotransmetuesi që na ndihmon të ndihemi më mirë. Kontakti me lëkurën e tjetrit është edhe më i mirë për të pasur më shumë vlerësim për veten. Atëherë, hidhni tutje pizhamet e trasha dhe përfitoni nga ky “jorgan njerëzor” që vepron si antidepresiv.
- Me humor të mirë
Në një studim të publikuar në Gazetën Mjekësore Britanike, thuhet se një lidhje afatgjatë shkakton një shëndet mendor më të mirë te gruaja dhe një formë më të mirë fizike te burri. Këto efekte pozitive bile shtohen me kalimin e kohës. Mjafton të shohësh ato çiftet e vjetra që grinden gjithë ditën që prej 40 vjetësh, pa u shkuar ndërmend të ndahen nga njëri-tjetri. Grindjet e tyre nuk i lejojnë të mërziten kurrë.
- Më të lumtur
Sipas studiuesve të universitetit të Miçiganit, burrat e martuar janë më të lumtur sesa beqarët. Ja, një argument me peshë që ta bëni tjetrin t’ju ofrojë një unazë fejese. Dhe, nëse nuk keni ndërmend ta zyrtarizoni lidhjen tuaj, kemi përsëri diçka pozitive: Sipas universitetit të Kornellit, çiftet me lidhje të lirë janë edhe më të lumtur sesa të martuarit. Por, sido që të jetë, të martuar, beqarë, apo të divorcuar, jemi më të lumtur kur bëjmë jetën që kemi zgjedhur vetë…