Bija ime!

Atë ditë të pashë të mërzitur, të heshtur,

edhe pse ëndrrën për pak minuta kishe prekur,

fjala, buzëqeshja, ledhatimi,

t’u neveritën më shumë se mjerimi.

Unë përsëri të putha në sy e në ballë,

kuptova që kishe më shumë se një hall,

në dhjetëra lodra e personazhe të ftohta,

mungonte lëvizja e frymës së ngrohtë.

Nuk e kuptoja ç’kisha bërë,

një engjëlli pa legjione i bëhet çasti ferr,

bija ime, s’mund të të lë në vend të huaj,

as të dëgjoj nga ty fjalët: Po vuaj!

Bujare e vërtetë me ecje elegante,

ty të magjeps lindja dhe perëndimi i diellit,

dëgjo pakëz me zë të lartë e të qartë,

si vullkani i etshëm për liri, duhet të kesh dashuri!

Isidor Koti

Ku të të gjej ty, o dashuria e parë

 

Sonte unë e qetë aspak nuk jam,

Ndonëse ëndërroj me ty, dashuri…

Sikur në Hënë fare pranë të kam,

Dhe shihemi bashkë sy më sy…

 

Lodrojmë të dy nëpër hapësirë,

Lodrojmë po për ne s’ka ndryshim,

Ti në jetë qiellore, unë në shkretëtirë,

Më shpjego të lutem, me durim:

 

Pse mbarojnë kështu ca dashuri?…

Nisin me hov të madh e shpresë

Po ndarja e papritur ndodh për çudi,

Dhe mbetet secili vetëm në kujtesë?…

 

Ah, kujtimet zemrën ta përvëlojnë…

Si ato kur nga gjumi na zgjonin agimet,

Tani gjumin ëndrrat ma shkatërrojnë,

kur ndiej se më mungojnë ledhatimet.

 

Ato që shpirtin ma ushqenin gjithmonë…

Të kërkoj në ëndërr, më ndiz një fanar,

Të kërkoj në këngë, ku notat kumbojnë,

Ku të të gjej ty, o dashuria ime e parë?! Luljeta Gj. Pashollari

 

Endërrim

 

U nisëm me këmbë që pa gdhirë

Nëpër rrugët me gurë dhe baltë

Mërzitej nata, se gjatë pati qëndruar

Priste ditën për rrugën e gjatë

 

U kthyem bashkë duke shkelur

Mbi guret e mërzitur

 

Duke shkelur muzgun e lagësht

Dritat e makinave-lulet e gëzuara

Mbi ne dhe mbi këtë natë

Binin pa pushim. Thodhori Cerro

 

Gjysma fjalësh!

 

Belbëzon kjo natë e errët

Gjysma fjalësh, zëra gjysëm

Fllad kujtimesh, vjen e ikën

Ikjen tënde, belbëzon!

 

Muzgu i fundit më kujtohet

Çast, që ndoshta s’harroj kurrë

Fytyra jote, flokësh fshehur

Lamtumirë belbëzoi!

 

E urreva lamtumirën

Lamtu-keq, Lamtu-shporru

Përse të quhet lamtumirë?

E urrej çdo muzg tani

Sepse ty s’mund të të urrej!

 

Asnjë çast nuk munda e dashur

Muzgjesh mbytem në dallgët e kujtimit tënd

Përplasem me ‘to në plagët e shpirtit

Të të urrej nuk munda…

Nuk mund

E ndoshta kurrë s’do mundem

Të të dua pak më pak! Bledi Ylli

 

Distancë e etur

 

Një distancë më mban të etur

Nuk është diell as shkretëtirë…

Një burim kujtimesh, mbetur

E unë kurrë në të s’kam pirë!

 

Një distancë më mban të etur

Në boshllëkun që le ti

Një burim prej lotësh, mbetur

Unë në të nuk mund të pi!

 

Një distancë më mban të gjallë

Më jep frymën në këtë botë

Një burim i mbushur mall

Etjen time s’shuan dot

 

Një distancë më mban pa vdekur

Largësia “unë dhe ti”

Pranë burimit rri i etur

Çfarë të pi, lotët e mi!? Bledi Ylli

 

 

…Humbur…

Hapat e mia kaluan

dhe s’u dëgjuan aspak.

Gjurmët u fshinë u harruan,

si hiri i mbetur në oxhak.

Dhe jo, sa keq, nuk ka mbetur

një copëz thëngjill e mbuluar.

Asnjë shkëndijë aty e fjetur

nuk pret për t’u rizgjuar.

Se koha e shoi atë prush.

Dhe shpresën e vrau pa mëshirë.

E nuk do t’më gjejë më askush,

aty, nën thëngji të nxirë. Angjelina Ndoj

 

Pashë

Tek binte gjethja e fundit nga dega

udhëtimin e saj për në një jetë tjetër

Ndjeva trishtim

Sot dega, lindi gjethe, në vendin e gjethes së vjetër

Pema e tërë çeli

Gjithë vendi ndjen gëzim. Henrieta Pareshi

 

Xhelozi mes muajve të vitit

Nuk e di ku të ngeli hatri

i shkurtri muaj shkurt,

që na ike dje me bubullima e stuhi?

Ti, ndoshta nuk doje të vinte pranvera,

por ajo sot erdhi

gjithsesi!

Dhe erdhi si nuse e bukur vellobardhë

me diell e aromë lulesh,

si kurrë më parë.

I shkurtri muaj shkurt,

mos na mbaj mëri që e presim marsin

me lule sipër derës!

Ai është muaji i parë i vitit,

ai është lajmëtari i pranverës! Fejzi Murati

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *