Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– E kam takuar vetëm për pak, aty te zyrat e mikut tim Safet Gjici dhe është zgjedhja e tij për ta emëruar (vendosur) trajner. Kuptohet, bëhet fjalë për Klodian Duron. E kam takuar, para shumë vitesh me gazetaren F. Alimehmeti. Dhe ja… prapë tani. Jo më lojtar, po trajner i një ekipi kaq të rëndësishëm si Kukësi. Po ai njeri fjalëpakë e punëshumë. Ke sfida përpara, po ato janë aq të bukura! Pas Safetit, që e dua si vëlla, ti je një arsye e dytë që të shkruaj për Kukësin. Të uroj fort, (oh sa fort), suksese në këtë kampionat, që nuk e di si do vejë. Të përqafoj!

– I dashur miku im, deputeti Besnik Tare! Të pashë me 1.02.2016, në një televizion ku fole për maratoriumin e pyjeve. Po ta kesh lexuar “Intervisten”, i kam dërguar disa urime L. Kokes. Tani po të uroj nga zemra edhe ty. Pyjet e Shqipërisë, në një kuptim, janë jeta e saj, se kur bie shi i rrëmbyer, një dru mesatar thith… 600 (gjashtëqind) litra ujë! Kështu që të uroj të mbetesh në këtë linjë, që është kaq bazike, kaq jetike! Të përqafoj!

– Tani, Federata Shqiptare e Volejbollit, ka në krye djalin e profesorit tim aq të dashur Servet Pëllumbi, me të cilin takohemi thuajse çdo ditë nga liqeni. Po unë pashë në intervistë kryetarin e Federatës (Eliron, më duket quhet) dhe u ndjeva mirë për sfiden që ka marrë mbi vete, ky ish-lojtar i “Studentit” dhe i Kombëtares. O Zot, sa fort të uroj t’ia dalësh mbanë, të mbushen edhe një herë pallatet e sporteve kudo në Shqipëri, për të parë ndeshje të bukura! Urime!

– Ti, i dashur miku im Farudin Gruda, (profesor doktor) nuk e di sa më kënaq kur më shtjellon se përse natyrës gjithë bota i thërret “Nëna Natyrë”. Më kënaq me konceptin e pafundësisë dhe pafuqinë e njeriut për të ndryshuar klimën. Natyra i bindet ligjeve të veta dhe ti (unë), vogëlushi njeri bën mirë vetëm ta duash, siç duam nënën! Se nuk ka si dashuria e Nënës. Eh, mor xhan, më kënaq, vërtetë më kënaq, ti shkodran i përkryer. Gëzuar 14 shkurtin, dhe… uroj ta festosh në Natyrë!

– Nuk e kam më fuqinë e parë, po një Zot e di, sa ma do zemra të vij në Shkodër ku kam aq miq! Takoj plot edhe këtu, disa përditë, po ndryshe është kur janë atje në qytetin aq të dashur të shqiptarëve, në qytetin e dashurisë, të humorit, të mirësisë. Të uroj fort ty, miku im Paulin Radovan, prefekt, që ky 14 shkurt të të gjejë plot lumturi në familje, edhe si një gjysh i mrekullueshëm. Të përqafoj fort, Paulin!

– I dashur Bujar Leskaj! Në analizën vjetore që bëri KLSH-ja para pak ditësh, të gjithë i panë përgëzimet e sinqerta institucionale, si nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë etj. etj. Unë jam një nga ata që e di “sekretin” në thonjëza. Aty punojnë njerëz absolutisht shumë të ndershëm. Aty punojnë profesionistë të vërtetë. Uroj që brenda mandatit tënd, KLSH-ja t’i forcojë këto tipare, miku im aq i vyer, Bujar Leskaj. Gëzuar të gjithëve festën e Shën Valentinit!

– Të pashë, ulur buzë liqenit, duke dhënë intervistë për emisionin “Adam”, i dashur miku im Fatos Kongoli. Po ajo dashuri për natyrën, që ne e përcjellim pothuajse çdo mëngjes, përmes batutave të ngrohta dhe komenteve po të tilla, kur takohemi në lëvizjen tonë. Të uroj fort Tosi, ty simbol i thjeshtësisë, po me një penë që na ka nderuar të gjithëve si shqiptarë. Mirupafshim te Liqeni ynë!

– “Si je Flamur?!”… Zëri ishte njëlloj i ngrohtë dhe i freskët, si afro 30 vjet më parë, kur ti quheshe Lindita Basha, kur si sekretare rinie e shkollës së mesme teknologjike, përcillje aq nur, freski, mirësi… Ne të gjithë të shihnim me cep të syrit ty, se plaste ai që rri indiferent para një harmonie të tillë vlerash, siç Zoti, familja, vullneti të kanë falur. Mirëpo i ra biseda kryeministrit që të ta ndërronte mbiemrin në Rama, aferim. Ama, më kish marrë kaq malli. Më ngrohe që brenda teje mirësia kish mbetur puro, e paprekur. Të uroj kaq shumë lumturi Linda, dhe… mos u ndal vetëm me Zaon. Të përqafoj fort! Gëzuar Shën Valentinin.

– …E po, Mirdita kapedanë ka qit gjithmonë… Kështu më the, i dashur mik Fisnik Dod Lala, kur unë të pyeta për futbollistin e shquar të Kombëtares sonë të futbollit, Altinin, domethënë, djalin tënd. Madje me sa di, ka qenë kryetar edhe në një ekip gjerman. Mua më vjen kaq mirë që të komplimenton edhe një shoku im begs dhe atlet, si Besnik Satka. Por, për atë Zot, më fisnik je ti, ish-arsimtari Dod dhe miku im kaq i vyer. Të përqafoj dhe gëzuar “San Valentinon”. Urime.

– Me ty, i dashur Adash, Flamur Hoxha, president i fabrikës së këmishëve “Kler”, jemi takuar në orë dhe vende të ndryshme. Herë pas here unë të kam parë edhe në TV. Andej nga Liqeni, marr rregullisht porosinë për të të bërë të fala, nga dy pleq kuksianë. Por, për atë Zot, pamja kur ti ishe në makinë dhe bashkë me ty, edhe tre fëmijët e tu, më është skalitur në tru. Aq bukur, aq pafajësi në sytë e tyre! Ata fëmijë që janë “prodhim” i dashurisë së pastër. Të uroj nga zemra, ty njeri fisnik Shën Valentinin. Të ka bekuar Zoti me një familje të mrekullueshme. Të fala zonjës, puthi fort fëmijët!

– E dashur Zhaneta! Urimi që i bëj vetes në këtë 14 shkurt, është që edhe ti të mbetesh në rrethin e miqve dhe mikeshave fisnike, që e zbukurojnë hijshëm jetën time. Këmbëngul në këtë dëshirë sepse t’i njoh disa vlera. Gjithësesi, në ditën e dashurisë njerëzore, të uroj kaq lumturi, ty dhe punëtorëve të fabrikës. Puthe fort Noemin!

– “Pema” e dashurisë njerëzore është plot me fruta në këtë 14 shkurt, i dashur Xhep Tabaku. Dhe të tjera, janë rrugës… Po, për atë Zot, dobësia ime mbetet nipi yt i parë (Xhepi i vogël). Ju uroj të gjithëve si familje, shumë mirësi! Të përqafoj kaq fort!

– I nderuar zoti Shefit Kastrati! Në radhë të parë të uroj shëndet. Gëzuar, ti, familja e gjithë kolektivi i “Kastratit”, Shën Valentinin. Urime edhe për pjesët cilësore të Benzit. Përpara, gjithmonë përpara Shefit, dhe… mos e harro një mik të thjeshtë, Flamur Bërdëllima quhet!

– Helga, quhet e njohura ime aty te posta. S’ka pak që ka sjellë në jetë fëmijen e tretë, që e paska emrin Dilan. Si këngëtari! Dhe për atë Zot, Helga, shkëlqen. Është me të vërtetë nuri, bukuria që buron nga Mirësia. Dhe kjo tiranase, i vë vulën: “Muli, do bëj edhe një të katërt!”. Dhe po e tha, nuk ka Parlament t’ia kthejë. Për nder, je njeri i rrallë Helga. Puthe Dilanin dhe dy të tjerët. Gëzuar Shën Valentinin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *