Tan Brahimi është personazhi i “Al Pazar”-it që spikat me të qeshurën e veçantë edhe me dialektin shkodran. Ndryshe nga shumë aktorë të tjerë, Tani nuk ka mbaruar Akademinë e Arteve, por humorin e ka të lindur. Ai ishte një ndër të paktët aktorë që më kërkoi të fliste në dialekt dhe unë ia respektova dëshirën, meqenëse më premtoi që të na falte të qeshura edhe në intervistë, siç bën në skenë. Jam e bindur që kur të lexoni intervistën e tij, do të qeshni edhe ju…

 

-Tani, si shkon sezoni i Al Pazar?

Tan Brahimi: – Besoj se mirë, të paktën sipas vlerësimeve që na ka dhanë publiku.

– Janë të lodhshme provat? Sa orë në ditë të marrin ato?

– Shumë të lodhshme, u lodhme tu qesh! U lodhme tu nejt në karrige 2 orë e tu prit radhën me u çu 10 minuta në kam! (Qesh)

– Për ata që s`të njohin…

– Për ata që s’më njohin, vij prej Shkodret. Për shkollën kam shumë me fol, por do mundohem t`i bi shkurt. 8 vjeçarja ishte e vetmja shkollë që e mora me forcat e mia. Gjimnazin e vazhdova në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”. Sa fillova shkollën, fillova me dal edhe nëpër dasma… Aty u ba xheloz profesori dhe me mbeti në klasë! Shkaku ishte se edhe ai delte nëpër dasma, po un delsha si “muzikant”, kurse ai delte si kamerier. (Qesh) Atëherë e vazhdova të mesmen me korrespondencë, por aty shkëlqeva; për 1 vit, mora 3 vite shkollë. Meqë pata kaq sukses, vazhdova të naltën për Matematikë. Studiova edhe aty 3 vite në vit të parë, por nuk arrita me kalu në vit të dytë. Ishte shumë e vështirë Matematika, po un e zgjodha sepse m’i falën librat e Matematikës. Për momentin, studioj në Akademinë e Humorit “ Al Pazar”, me pedagog Agron Llakajn. E di që shkolla asht qytetrim, por për fat të mirë, un kam lind në qytet. Megjithatë, do vijë një ditë që do të më duhet patjetër një dipllomë. Do më duhet për fejesë, që t’ia jap vjehrrës e t’i marr vajzën!

– Si u pranove në “Al Pazar”?

– Shkova në audicione.

– Si qenë fillimet në skenë?

– Javën e parë kam ra 3 kile për 1 javë, vetëm nga emocionet. Në javët në vazhdim u rikuperova. Tash jam mbipeshë! (Qesh)

– U bë kohë që aktron… Ke menduar për ndonjë personazh të ri?

– Un mendoj shumë, por veproj pak!

– Personazhi që ke ëndërr të imitosh…

– Imitimin nuk e kam dhunti; batutën kam pikën teme ma të fortë. Nga humori kam kuptu që kur “tallem” me të tjerët, qeshi vetëm un e kur “tallem” me vedi, qeshin të tjerët, por Agron Llakaj më ka msu me u “tall” me vedin e me i vu vedit emrin e dikuj tjetër.

– Personazhi që s`do të mund ta imitoje dot kurrsesi?

– Cilido.

– Nëse nuk do të ishe aktor, ç’profesion do të zgjidhje?

– Kam provu shumë profesione dhe kam dështu, prandaj kam zgjedhë kyt profesion, se di vetëm me fol e me hangër bukë, por di me fol edhe kur jam tu hangër bukë.

– Si ke qenë vitin që shkoi edhe ç’ka ndryshuar këtë vit te ti?

– Viti që kaloi, shyqyr që kaloi. Për vit të ri, kam marrë telefon të ri, numër të ri dhe të dashtun të re.

– Ku e merr frymëzimin për batutat?

– Frymëzohem kur shof dikë që nuk ka humor, por don me të ba me qesh me zor.

– Të ndodh të vjedhësh batuta nga bashkëbiseduesit?

– Jo, asnjiher. Mund t’ua marr borxh… (Qesh)

– Budallallëku më i madh që ke thënë?

– Budallallëqet e mëdha nuk tregohen në gazetë, por nji, ndër ato që tregohen e që më kujtohet për momentin, asht ky: Un nuk jam Nard Ndoka me titull “Filozof”. Un jam Tan Brahimi me titull “Nard Ndoke”. (Qesh)

Thua shpesh të tilla edhe në jetën e përditshme?

– Po, në tavolinë jam ma i fort se në skenë, se mundesh me fol ma lirshëm, por edhe paguhesh ma pak. Nuk bahet humor vetëm për kafe e cigare!

– Si aktor, do preferoje të eksperimentoje ndonjë zhanër tjetër aktrimi?

– Jo, jo, kështu e s’po na del.

– Të ka ndihmuar prejardhja shkodrane me humorin?

– Shumë më ka ndihmu dhe kam vu re diçka: Kur i prezantohem dikuj si shkodran, ai menjëherë më shef me nji buzqeshje pozitive. I falënderoj paraardhësit shkodranë për kyt gja!

– A je njeri emotiv?

– Jo, nuk jam.

– Të ndodh që edhe pse të zhgënjen diçka, aktron sikur asgjë s`ka ndodhur?

– Për fat të keq, më ndodh gjithmonë e njëjta gja e gjithmonë më ndodh ditën që duhet të japim shfaqjen!

– Të ka ndodhur të shtiresh si i dashuruar?

– Atë baj gjithmonë! Domethënë, mundohem me e ba. Kur kam nji femën përballë, i tham tanë fjalët e bukura, por harroj me i than në fund “zemër”!

– Sa i lumtur je me jetën që bën?

– Dikush më thotë: “Sa rahat që je!”. Vetëm kur më thojn kështu, ndihem aktor.

– Çfarë do të ndryshoje në jetën tënde?

– Meqë nuk e kam në dorë me e ndryshu, nuk e mendoj hiç. Pse t’i fus vetes mendime të kota?!

– Statusi yt…

– Koleksionist… (Qesh)

– Vajzat të marrin seriozisht?

– Po, vetëm kur tallem.

– Po ti, i merr seriozisht lidhjet?

– Vetëm nji her kam dasht me shpirt e kisha nji “aventurë serioze”. Edhe pse sot nuk jena bashkë, ajo ishte dashnia e parë. E falënderoj që ma msoi dashnin, meqë ra fjala.

– Si e mendon të ardhmen?

– Të ardhmen e ëndërroj, por ëndrrat nuk realizohen gjithmonë.

– Të shtunën në mbrëmje, më mirë një gotë verë me pak shoqëri, apo një shishe shampanjë në diskotekë?

– Të shtunën mbrëma shof “Al Pazar”-in në shtëpi. Mbrëmjet e tjera, nji gotë verë me shoqëri. Kur del rroga, nji shishe shampanjë në diskotekë.

– Një gjë të fundit që nuk e ke thënë, por po e mendon?

– Po mendoj: Mos ia futa kot me kto përgjigjet?! (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *