Në qytetin e vogël të Librazhdit buzë lumit Shkumbin, jeton një familje e cila ka nevojë emergjente për një banesë të re, pasi rrezikohet çdo ditë nga kushtet e këqija dhe shembja e tokës që ndodh aty shpeshherë. Si për ironi, përballë shtëpisë së kësaj nëne me njëqind halle, shtrihen lokalet e luksit që u ofrojnë dreka e darka luksoze biznesmenëve ose pushtetarëve, asnjëri prej të cilëve nuk i ka hedhur sytë nga ana tjetër e lumit… Askush nuk e ka vënë re këtë shtëpi që ditë për ditë, rrëshqet drejt lumit Shkumbin. Ndërsa bëja intervistën, një copë dërrasë ra në këmbët e mia e desh më zuri poshtë. “Të shpëtoi Zoti, o bir, si neve çdo ditë”, më tha zonja Balla. Le të shërbejë ky apel si një thirrje për t’i ndihmuar të gjallët sa janë gjallë…
Arlis Alikaj: – Zonja Tahire, sa vetë jetoni në këtë shtëpi, nëse mund ta quajmë kështu?
Tahire Balla: – Janë dy çunat e mi dhe unë vetë.
– Çfarë të ardhurash keni?
– Nuk kemi të ardhura…
– Po si jetoni?
– Po çfarë jetojmë ne? Vetëm mbahemi… me 4000 lekë të çunit të vogël, i cili ka pensionin e të atit. Me 4000 lekë çfarë të bësh?! Shpirti ma di. As për një thes miell e një bidon vaj nuk mjaftojnë; le pastaj borxhet.
– Sa borxhe keni?
– Borxhe, mos pyet o bir, mos pyet (përlotet), çika-çika kam borxhe mo, sa nuk ka ku të vejë! Ata të cilëve ua kam marrë, nuk kanë ardhur të m’i kërkojnë, ama askush nuk t’i fal. Thjesht presin se… e dinë që nuk kemi ç’të japim përveç shpirtit.
– Pashë frigoriferin tuaj bosh… Sa kohë ka kështu?
– Kështu është përditë. Me çfarë ta mbush, kur nuk kam?
– Si ia bëni për mëngjesin, drekën apo darkën?
– Çfarë të ketë, koriçkat e bukës.
– Ju ndihmojnë njerëz të afërm?
– Kush të më ndihmojë? Motrat kanë hallet e veta. Mos ta sjelltë Zoti të keqen, se asnjë nuk të do. As këto organizatat nuk kanë shkel njëherë. Burri ka 10 vjet që më ka vdekur, jam e vetme dhe nuk është vënë dorë në këtë shtëpi që atëhere. Është kalbur e po na zë poshtë.
– Ju vetë, nuk punoni?
– Edhe kam punuar, o bir… Gjithnjë kam dashur të punoj, por nuk ka punë dhe tani jam shumë e sëmurë, ndaj merrem me shtëpinë. Prapë, nëse më jepet mundësia, do të bëj çmos për të punuar… Djemtë i kam në shkollë, i vogli është në klasë të nëntë dhe është mirë me mësime. I madhi mundohet të punojë ku të mundet, si punëtor krahu.
– Po burrin, ku e keni?
– Burri më ka vdekur që para dhjetë vjetësh nga një sëmundje që e zuri për shkak të kushteve të këqija ku jetojmë. Ai punonte hamall dhe sillte ndonjë gjë të vogël në shtëpi. Që pas vdekjes së tij, e kemi ndjerë edhe më shumë mjerimin. Ndihmë sociale nuk marr… Vetëm djali i vogël, siç të thashë, përfiton 4000 mijë lekë në muaj nga i ati. Kaq të ardhura ka në familjen tonë.
– Shtëpinë tuaj e shoh që është vetëm dërrasë e kalbur dhe plastmas…
– Çfarë të bëj unë e shkreta? Siç është përjashta, është edhe brenda.
– Si jetoni në këto kushte?
– Shpirti ma di, sëmuremi shpesh. Sa herë përmbytemi, plastmasin dhe dërrasat i montojmë nga e para. Vetëm Zoti e boft mirë për ne fukaranë, se njerëzit nuk po mendojnë. Vijnë, tallen e ikin. Më ka ardhur “Fiks Fare” e të tjerë, por asgjë nuk është bërë.
– Pra, jeni e zhgënjyer?
– E si mund të jem ndryshe?! Kanë ardhur sa për ironi e asgjë s’kanë bërë për ne.
– Për fat të keq, edhe klima është shumë e keqe…
– Mos e pyet, e kemi makth… Kur bie shi, s’bëjmë gjë tjetër, po vër tepsi këtu, vë tenxhere këtej, pale kur bie borë… Llucë dynjaja bëhet! Për dysheme kemi baltën. Është viti 2016, por po jetojmë si kafshë. Me plastmas e mes të ftohtit, që shpirti ma di. Jemi përmbytur gjithë ato herë nga shirat e Shkumbini e askush nuk do t’ia dijë për ne.
– Shoh që edhe terreni është i gërryer dhe i rrëshqitshëm këtu. Nuk keni frikë mos ju ikën shtëpia ndonjë ditë?
– Frikë kam për shtëpinë, por më shumë frikë kam se mos ikim edhe ne ndonjë ditë bashkë me të.
– Po kur ka përmbytje, çfarë ndodh?
– Ndonjë shembje dhe vetëm kur të jemi atje në zall e të na dalë emri në lajme! Na hyn uji gjithë kohës brenda. Na janë prishur televizori e gjithë të tjerat.
– Po nga bashkia, ka ardhur kush?
– Hiç asgjë, nuk e kanë marrë mundimin fare.
– E dini ju që ndahen së shpejti apartamente për familjet në nevojë për t’u strehuar?
– (Gëzohet kur e dëgjon) Aman o bir, ku janë?!
– Çfarë apeli bën sot?
– Dua një shtëpi të jetoj e sigurt dhe një punë, se bukën, nga 3 herë që hahet, po e hamë një herë, por nuk dua të më vuajnë kalamajtë. Po vdesim çdo ditë nga pak. Kam reumatizëm dhe ilaçet nuk m’i japin më, se e kam mbush kupën me veresiet që marr.