I kemi parë si personazhe televizivë, na kanë pëlqyer, kemi qeshur me batutat e tyre, por ndoshta duhej t’i kishim të dy në këtë intervistë, për të kuptuar se kimia mes tyre në ekran nuk është një stisje mediatike, përkundrazi, qëndron edhe pasi fiken kamerat. Programi “3jat” që ata moderojnë është ndër të preferuarit për momentin dhe kështu janë dhe djemtë, na besoni për këtë. Jeni gati të përballoni një vorbull të tërë batutash? Vazhdojmë atëherë…

 

Mia Buci: – Rudi, çfarë po bën Mateoja në këto momente?

– Është duke bërë “mësimet”. Studion koeficientët për ndeshjet…

– Mateo, po Rudi, çfarë po bën?

– Po mëson me Mailon (qenin e vet) tabelën e shumëzimit.

– E keni nisur me këmbën e djathtë këtë vit emisionin “3Jat”?

Rudi: – Aq të djathtë sa doktori duket socialist.

Mateo: – Si opozita! Ama, ndryshe nga opozita aktuale, media është opozitë e përhershme.

– Çfarë do më thonit për “3Jat”?

Rudi: – “3jat”, këtë vit është riformatuar, ka më shumë informacion, trajtojmë tema më serioze që përfshijnë fenomene politike e sociale, gjithmonë duke u munduar të shtojmë doza ironiko-komike.

Mateo: – Përveç hapjes së diapazonit të fushave dhe temave që do të trajtojmë, ne i japim ngjyrimin tonë, me shpresën e krijimit të një ekspozite si ajo e Kryeministrit; e larmishme dhe për të qeshur.

– Më thoni diçka sinqerisht: kaq mirë kuptoheni me njëri-tjetrin edhe jashtë studios, apo nga halli e keni?

Rudi: – Mendoj se jashtë studios kemi më shumë batuta sepse nuk kemi asnjë lloj censure. Sigurisht që kimia që kemi në studio, është rezultat i marrëdhënies së mirë që kemi edhe jashtë saj.

Mateo: – Për aq kohë sa nuk na bashkon hipoteka për pronat, jemi në rregull.

– Batuta që nuk ia keni kuptuar ndonjëherë njëri-tjetrit?

Rudi: – Më shumë gjasa ka të na rritet rroga sesa të mos ia kuptojmë batutën njëri-tjetrit.

Mateo:  – Nuk ka ndodh, po gjithashtu, besoj se nuk do ndodhë… E kam fjalën për rritjen e rrogës këtu, se me batutat jo e jo.

– Ju patët edhe një eksperiencë të veçantë si bashkëprezantues me Amin në spektaklin “Dancing vvith the Stars”. Çfarë pritët dhe çfarë morët prej kësaj eksperience?

Rudi: – Një spektakël shumë i bukur, me emocione gare të theksuara. Arritëm të mësoheshim me skenat e mëdha dhe të njihnim personalitete shumë interesante.

Mateo: – Një shou që zgjati 12 javë, me një shpirt gare që vazhdoi deri në momentin e fundit. Një eksperiencë me vlera të mëdha që të mëson me spektaklin.

– Programi që do të përmbushte ambicien tuaj në moderim?

Rudi: – Kjo që po bëjmë te “3jat” është pak a shumë ajo që duam të bëjmë. Formati na pëlqen, por ka shumë hapësira edhe për përmirësime.

Mateo: – Formati aktual në emisionin tonë, normalisht, me përmirësimet që thotë edhe Rudi… Harrova të them se edhe për “Njerëz të humbur” do kisha kuriozitet! (Qesh)

– Lidhja që ekziston mes jush dhe kërcimit?

Rudi: – It’s complicated (Është e ndërlikuar).

Mateo: – Nul.

– Rudi dhe Mateo në një pjesë baleti do të ishin… Apo e lëmë fare më mirë?

Rudi: – Spektator.

Mateo: – Ata që kontrollojnë biletat te dera.

– Në këto momente jeni vonë për…

Rudi: – Për t’u martuar.

Mateo: – Për të paguar dritat te OSHEE.

– Temat që kryesojnë bisedat tuaja në kafe?

Rudi: – Poezi, pikturë, teatër dhe degustim vere.

Mateo: – Ekzistencializmi, neoklasicizmi dhe bursa e Japonisë.

– Rudi, Mateo dhe… femrat?

Rudi: – A të flas për ato të Mateos?

Mateo: – Unë jam i fejum, kurse Rudi është beqar, por me vjehrrë.

– Jeni tipi i djemve që i shprehni ndjenjat apo i mbani për vete?

Rudi: – I shpreh me heshtje.

Mateo: – Monolog.

– Çfarë i keni thënë asaj së fundmi?

Rudi: – Herën e fundit i thashë: “Hera e parë që po më ndodh, për Zotin”.

Mateo: – Ngrofe ujin se erdha të laj enët.

– Thonë se dashuria e parë nuk harrohet, por se dashuria e dytë është ajo e vërteta. E besoni?

Rudi: – Për këtë të dytën nuk jam i sigurt, kështu që po kaloj disa dashuri të dyta, sa të sigurohem.

Mateo: – Pa makinë llogaritëse, s’përgjigjesh dot.

– “Good girls love bad boys”. Sa herë e keni gjetur veten përballë një shprehjeje si kjo?

Rudi: – Po kjo mund të shpjegojë faktin që një murgeshë është fiksuar pas meje.

Mateo: – Po mbledh leket të blej edhe unë X6, se varëse floriri kam.

– Nëse në këtë intervistë do të më thonit diçka që ende nuk ia keni thënë askujt, do të ishte…

Rudi: – Ku është tualeti këtu?

Mateo: – Më jep një 10 mijë lekësh borxh, t’i kthej sa të dalin kompensimet.

– E besoni shprehjen “Kurrë mos thuaj kurrë”?

Rudi: – Jo, më shumë besoj te “Kurrë mos thuaj kurë”.

Mateo: – Jo, unë besoj te “Koncension koncension, bëhet qeveria”.

– Kur ora shënon 8.00, zakonisht, ku ju gjen?

Rudi: – Afër shtëpisë.

Mateo: – Vërdallë, në shtëpi.

– Po në orët pas mesnate?

Rudi: – Larg shtëpisë.

Mateo: – Në shtëpi.

– Deri në ç’pikë arrin kujdesi juaj për veten?

Rudi: – I pres thonjtë shpesh.

Mateo: – Bëj analizat e gjakut çdo 6 vjet.

– Cili është lloji i femrës së cilës nuk do t’ia hidhnit kurrë sytë?

Rudi: – Asaj që nuk ia vlen ta dëgjosh.

Mateo: – Asaj që nuk është në fushëpamje.

– Më mirë: një vajzë që di të gatuajë mirë apo një që di të flasë mirë?

Rudi: – Një që di të flasë mirë për gatimin.

Mateo: – Një që flet mirë duke gatuar.

– Agjëron ndonjëri prej jush?

Rudi: – Po, çdo natë, pak a shumë nga ora 2 e natës derisa zgjohem në 11 dhe ka raste, edhe në fund muaji.

Mateo: – Jo.

– Cili është rregulli nr 1 për të jetuar një jetë të suksesshme?

Rudi: – Rregulli i parë.

Mateo: – Të jena mirë me shnet iher.

– Rudi, pas reklamës së Moltos, ç’produkt iteresant do të doje të reklamoje?

Rudi:  – Do të doja të isha pjesë e reklamave që bëhen në fushata elektorale.

– Do të ishte më çlodhës një udhëtim me tren apo me varkë në mes të detit?

Rudi: – Të siguroj që më çlodhës është me tren në mes të detit.

Mateo: – Me varkë, te shinat e trenit.

– Femra shqiptare më seksi?

Rudi: – Jo vëllezërit korçarë, Sonila Meço.

Mateo: – Xhesika Alba…  (ka dalë me origjinë nga Kuçova).

– Çfarë e bën të bukur jetën tuaj?

Rudi: – Paraja.

Mateo: – Lekët.

– Libri më i bukur që keni lexuar?

Rudi: – “Titaniku”. Apo nuk është libër ai?!

Mateo: – “Panorama sport”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *