Ahmed Jonuzi është një ndër futbollistët shqiptarë që ka sakrifikuar për profesionin e tij. Kosovari që ka provuar edhe fanelën e Kombëtares shqiptare, ka luajtur në Ukrainë për ekipin e Vorskla Poltavës. Sulmuesi ka përjetuar suksese, gëzime, por edhe tmerr, pasi ka përjetuar dhe luftën e Ukrainës me Rusinë, si një ndër momentet më të këqija të karrierës së tij. Kjo ka bërë që të marrë edhe vendimin për t’u larguar nga Ukraina dhe për momentin, ai është lojtar i lirë, në pritje të një ekipi. 27-vjeçari tregon me emocione, por edhe me frikë momentet e luftës, flet për karrierën e tij në Ukrainë, të ardhmen dhe mundësinë e afrimit me Kombëtaren Shqiptare. Për momentin, kjo duket si diçka e pamundur duke shikuar sulmin dhe vështirësitë që po kalon kosovari, por për të nuk ka asgjë të pamundur… Jonuzi është ndër të rrallët futbollistë që ka luajtur në Ukrainë dhe që e ka përjetuar futbollin nën kërcënimin e pushkëve…

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Jonuzi. Ku ndodhesh për momentin? T’u desh kohë të më përgjigjeshe…

Ahmed Jonuzi: – Përshëndetje të gjithëve. Më fal, po për të qenë i sinqertë, po haja bukë. (Qesh) Jam në shtëpinë time në Ukrainë.

– Shumë larg nga ne! Si është koha në Ukrainë?

– Keni të drejtë, është shumë larg nga Shqipëria. Koha është shumë e ftohtë, acar, por edhe borë vende-vende.

– Larg jemi, por lajmi që jeni larguar nga ekipi i Vorsklas ka ardhur deri këtu…

– Është e vërtëtë jam larguar nga ekipi i Vorsklas së Poltavës, pas një periudhe 8-vjeçare. Një largim i vështirë dhe me emocione të forta për mua, por ishte momenti për të kërkuar diçka të re dhe një stimul tjetër.

– Pse u larguat?

– Kishte ardhur koha për t’i shkëputur marrëdhëniet me klubin. Nuk po gjeja shumë hapësira dhe mendova se ishte më e mira për mua të largohesha, duke e biseduar edhe me anëtarët e tjerë të klubit.

– Ndjeni keqardhje?

– Ishte një ndarje shumë e vështirë dhe emocionale, pasi 8 vjet nuk janë pak. Pjesa më e madhe e karrierës sime futbollistike ka kaluar në Ukrainë, te ky klub. Por, kështu janë kushtet dhe duhet ta pranosh edhe ndarjen. Më e mira qëndron në pjesën që e kuptova kur ishte momenti i duhur për t’u larguar.

– U këshillove me Armendin për këtë vendim?

– Armend Dallku ka qenë një person shumë i afërt për mua. Përpara se të jetë një futbollist i madh, ai është një njeri me zemër të madhe, një lider në fushën e lojës dhe kam pasur nderin të stërvitem me të. E zgjata paksa me fjalët e mira, por nuk kam thënë as gjysmën. Sigurisht që jam këshilluar me të dhe i të njëjtit mendim ishte edhe ai.

– Ju keni luajtur për shumë sezone në Ukrainë. E keni përjetuar periudhën e luftës?

– Ishte një situatë shumë e vështirë… Kanë qenë momente që i kemi diskutuar edhe me Dallkun dhe kemi menduar që edhe të lërgohemi sepse para jetës, asgjë nuk ka rëndësi. Kishim frikë të luanim dhe për një periudhë, u ndërpre edhe kampionati. Megjithatë, gjithçka u mbyll!

– Kishit kërcënime ju si futbollistë?

– Ishte i kërcënuar i gjithë populli, jo persona të veçantë apo grupe të ndryshme njerëzish. Nuk mund të them se nuk kisha frikë, pasi stadiumi është një vend që grumbullon shumë njerëz dhe rreziku për ndonjë sulm është konstant.

– Çfarë ju bënte me dije presidenti i ekipit?

– Ai na ka qëndruar afër dhe e falënderoj. Na jepte sigurinë, të cilën nuk e kishte as për vete!

– Po të kishe mundësinë të ktheheshe pas në kohë, do qëndroje më?

– Një pyetje që nuk ma kanë bërë kurrë, por mendoj se një ndër arsyet pse po largohem mund të jetë edhe lufta që na ka rrezikuar dhe mund të shpërthejë përsëri, pasi asnjëherë nuk i dihet.

– Shqiptarët pak dinë për Ukrainën. Si është ky vend?

– Shumë ndryshe! Njerëzit janë më të ftohtë dhe jo aq të afërt sa në Shqipëri. Kanë një kulturë tjetër dhe bën shumë ftohtë. Megjithatë, është një vend që më pëlqen dhe ku jam përshtatur mirë, pasi kam kaluar një pjesë të mirë të jetës në Ukrainë.

– Do të bëje një tjetër aventurë në Ukrainë?

– Nuk e di, të presim dhe të shohim se çfarë rezervon merkatoja. Mund të qëndroj, por kam dëshirë të largohem nga Ukraina.

– E mendoni një rikthim në Shqipëri?

– Futbolli në vendin tonë është rritur, pse jo? Kam pasur kontakte me disa klube, por nuk mund të them diçka me siguri.

– Ju keni qenë edhe pjesë e Kombëtares. Çfarë mund të thoni për të?

– Ëndrra më e madhe e çdo lojtari është të përfaqësojë kombin e tij. Shpresoj dhe kam besim se mund ta arrij përsëri.

– “Euro 2016”?

– Besoj se çunat do të bëjnë surprizën pasi janë një grup i mirë. Kam besim dhe me shumë mundësi do t’i ndjek nga Parisi.

– Atëherë, shihemi në Francë, ose në Shqipëri…

– Po, po. (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *