– Në një nga rubrikat që bën sqarimet për bashkimet familjare, kërkojmë mendimin e një specialisti nëse mundeni. Jemi dy pensionistë famlijarë nga fshati, kemi 2 fëmijë të rritur të martuar. Djali jeton e banon në Gjermani (së fundi me pasaportë gjermane dhe një vajzë që e kemi të martuar me familje). Ne kemi mbetur të vetëm larg tyre. A mund të aplikojmë për bashkimin familjar me djalin dhe çfarë procedure të ndjekim? Me respekt nga dy pensionistët.
– Të nderuar pensionistë, përsa i përket pyetjes suaj, më duhet t’ju them që duhet të kontaktoni me zyrat e konsullatës gjermane në Tiranë. Gjithçka bëhet nëpërmjet internetit. Përpara se të paraqiteni në Ambasadë, duhet të rezervoni një datë, orar paraqitjeje të përshtatshme për ju, pa qenë nevoja më pas të prisni në radhë të gjata në Ambasadë. Rezervimin e takimit mund ta realizoni personalisht në mënyrë të thjeshtë e të shpejtë në internet. Caktimi i takimit është falas. Duhet të rezervoni takimin vetëm në kategorinë tuaj përkatëse, pasi në të kundërt do t’ju kthejnë mbrapsht. Në rastin konkret, ju do të aplikoni në linkun: Viza për qëndrime afatgjata (më shumë se 90 ditë) për bashkim familjar. Rezervoni vetëm një takim (jo disa) për ju personalisht dhe vetëm nëse do të paraqiteni. Çdo aplikues duhet të ketë një datë/orë paraqitjeje të mëvetësishme.
– Për rezervimin e takimit duhet të keni parasysh këto pika: Të gjitha të dhënat duhet t’i hidhni me gërma latine në përputhje me të dhënat e pasaportës. Adresa e-mail që duhet regjistruar, duhet të jetë e vlefshme, pasi në këtë adresë do të merrni një e-mail me konfirmimin e rezervimit tuaj. Kur të paraqiteni në zyrën e vizave, duhet të sillni me vete një variant të printuar të tij, në të kundërt, takimi nuk mund të realizohet. Në tabelën e orareve mund të zgjidhni një datë/orë të lirë sipas dëshirës suaj (më të afërtin apo, nëse dëshironi, një të mëvonshëm). Do të zgjidhni një ditë dhe një dritare kohore (për shembull nga ora 09.00 deri në orën 09.30) dhe për të shmangur kohë të gjata pritjeje duhet të paraqiteni përpikmërisht në Ambasadë, në fillimin e kësaj dritareje kohore (kështu në rast të rezervimit të takimeve për orën 09.00 deri në 09.30, duhet të paraqiteni në orën 09.00) dhe njoftoni për ardhjen tuaj në hyrje të zyrës së vizave. Gjithsesi, për të qenë më të qartë, përpara rezervimit të datës/orës së paraqitjes, lexoni me kujdes informacionet rreth procedurave të aplikimit për vizë. Këto informacione dhe gjithë procedurën që ju dhamë më sipër të cilën, e gjeni në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane në Tiranë vvvvvv.tirana.diplo.de. Uroj t’ju kemi ndihmuar sadopak, megjithatë, do të ishte më e lehtë për ju që këtë procedurë të regjistrimit në internet ta bënte djali juaj që ndodhet në Gjermani.