– Kam parë në ëndërr djallin, ndaj më thoni ç’do të thotë. Isha në një shtëpi, të cilën nuk e mbaj mend se e kujt ishte, por m’u shfaq një fëmijë që menjëherë u shndërrua në djall. U tmerrova dhe nisa të ecja, por më doli përpara një grua me të njëjtën fytyrë. Aq e tmerruar isha sa më doli gjumi dhe isha e djersitur. Më dukej shumë reale gjitha ç’kisha parë në ëndërr. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Djalli në një pjesë të mirë të ëndrrave paraqet anën tuaj të errët. Kjo nuk duhet t’ju trembë, sepse çdonjëri prej nesh ka anën e errët dhe të mirë brenda vetes. Nuk po themi që ju jeni si djalli, por ëndrra paraqet disa ndjesi të cilat futen te pjesa e errët e shpirtit të personit. Mund të jenë ndjenja faji për diçka që ju keni bërë. Nga ana tjetër, djalli simbolizon edhe shkathtësinë e dinakërinë. Nëse ju luftoni me të, do të fitoni, ndaj kjo do të thotë se ju do të mposhtni çdo pengesë. Ëndrra tregon se do të dilni e fituar, sepse në çdo lloj situate, me zgjuarsinë që keni, do të arrini të kuptoni se çfarë është e keqe dhe çfarë është pozitive. Nëse ëndrra nuk përfaqëson ndjenja faji, atëherë do të thotë që ju jeni e zgjuar dhe arrini të dalloni personat negativë në jetën tuaj.