Gaxhet (Angl. gadget): një mjet i vogël elektronik (me qark), një risi teknologjike, e krijuar për të patur një funksion të veçantë.

Çdo zot shtëpie e di që një pjesë të madhe të kohës së lirë na e merr kujdesi për shtëpinë. Po sikur shtëpia të kujdesej për ju? Kjo është ëndrra për një “shtëpi inteligjente” dhe, megjithëse ende nuk kemi arritur të krijojmë një shtëpi që mund të bëjë çdo gjë për të cilën kemi nevojë, ne po i afrohemi çdo ditë e më shumë kësaj ëndrre. Sipas një studimi të firmës Gartner në të gjithë botën, çdo ditë, lidhen me shtëpitë mesatarisht 5.5 milionë gaxhete. Me një llogaritje të thjeshtë do të ketë 6.4 miliardë nga këto “gjëra interneti” deri në fund të vitit dhe 20.8 miliardë, deri në vitin 2020. Nëse doni të filloni nga zeroja, ja disa gaxhete që mund t’i blini që tani…

1. Për një gjumë më të mirë
Ka plot gaxhete që janë konceptuar për të monitoruar gjumin tuaj dhe për t’ju ndihmuar ta përmirësoni atë. Tregu i këtyre gaxheteve pritet të kapë shifrën 125 milionë $ në vitin 2017. Për shembull, Sense është një lloj globi që vihet në dhomën e gjumit dhe monitoron zhurmën, ndriçimin, temperaturën, lagështinë dhe pjesëzat që ndodhen në ajër dhe mund t’ju zgjojë në momentin ideal të ciklit tuaj të gjumit. Një karficë e vogël vihet në jastëkun tuaj për të regjistruar lëvizjet që bëni. Në mëngjes, ajo mund t’ju tregojë, nëpërmjet një aplikimi të Apple-it, se sa gjumë keni fjetur dhe nëse ka diçka rreth e rrotull jush që ju shqetëson në gjumë. Disa monitorë të ngjashëm janë Beddit (149 $), që regjistron edhe ritmin e zemrës e frymëmarrjen dhe SleepRate (100 $), që ka një aplikim të mbushur me informacione të nevojshme, si edhe një sensor të rrahjeve të zemrës. Withings Aura (189.95 $) është një tjetër gaxhet, që, jo vetëm monitoron gjumin, por, nëpërmjet programeve për ndriçimin dhe për zhurmat, përpiqet të përmirësojë gjumin tuaj. Këto produkte funksionojnë edhe vetëm, por një sensor i shpikur nga Samsungu, që quhet SleepSense, do të lidhet me qendrën e Samsungut për objektet inteligjente. Kur SleepSense do të dallojë se ju ka zënë gjumi, do të fikë dritat, televizorin dhe kondicionerin, ndërsa kur të zgjoheni, do të ndezë makinën e kafesë.

2. Një ide plot dritë
Sa herë keni ardhur në shtëpi më vonë nga ç’e prisnit? Është errësirë jashtë dhe sigurisht, ju nuk i keni lënë dritat ndezur në shtëpi. Përpiqeni të fusni çelësin në derë dhe, kur e hapni, kërkoni me dorë në mur një prizë për të ndezur dritat. Pastaj ndizni dritat në të gjithë shtëpinë, dhomë pas dhome. Nuk do të ishte më e lehtë të shtypnit një aplikim në telefon kur jeni ende në makinë dhe të ndizni gjithë dritat njëherësh? Kjo është bërë e mundur aktualisht. Tani, prodhuesit e llambave elektrike shesin llamba që mund të jenë të lidhura me njëra-tjetrën në të gjithë shtëpinë. Për shembull, me dritat LED të Philips’Hue dhe aparatin Philips Hue Bridge (60$), ju mund të ndizni dhe fikni me telekomandë dhjetëra llamba elektrike që keni nëpër shtëpi. Këto llamba edhe e pakësojnë ndriçimin e tyre, që të keni dritë më të butë natën, ose ato mund t’ju zgjojnë ngadalë duke u ndezur në mëngjës. Le të themi, për shembull, se ju doni të shihni një film në internet; atëherë llambat tuaja Philipps mund të programohen dhe të pakësojnë ndriçimin, për një shikim optimal. Bile, ju mund të sinkronizoni llambat me dëgjimin e muzikës, apo shikimin e filmave. Bonus: “Hej, Siri, fik dritat”. Ju mund t’i lidhni llambat me një aplikim të Apple-it. Kështu, ju mund të përdorni Sirin, asistentin e Apple-it, që aktivizohet nga zëri juaj, për t’i ndezur apo për t’i fikur dritat me komandën e zërit tuaj.

3. Çelës inteligjent për shtëpinë tuaj inteligjente
Nëse ju keni një makinë të lidhur me internetin, mbase e ndizni atë në distancë, ose hapni dyert e makinës, pa e prekur fare me dorë çelësin. Po vjen duke u shtuar numri i makinave të pajisura me teknologjinë e lidhur me internetin, kështu që ju mund t’i hapni dyert, kur i keni duart të zëna me çantat e pazarit. I njëjti koncept mund të funksionojë edhe në shtëpi. Për shembull, ju mund t’i mbyllni dhe t’i hapni dyert në distancë. Çelësat inteligjentë, si ai i firmës Kwikset, që quhet Kevo (160 $) janë të lidhur me Bluetooth. Me Kevon dhe aplikimin e tij për smartphone-in, ju mund të programoni çelësat e shtëpisë, në mënyrë që ajo të hapet vetëm nga pjesëtarët e familjes suaj. Ju mund të regjistroni kohën e ditës kur ata mund të hapin dyert dhe mund t’u lejoni edhe miqve një hyrje të përkohshme në shtëpinë tuaj, e gjitha kjo pa përdorur çelësa! Kur familjarët, miqtë dhe ju të keni shkarkuar aplikimin Kevo në smartphone-in tuaj, nuk ka nevojë të nxirrni çelësat nga xhepi apo çanta për të hapur dyert, vetëm prekeni kyçin me gishtin tuaj dhe ai do të hapet.

4. T’i mbash ushqimet të freskëta
Nëse ju duket çudi ideja e përdorimit të aplikimeve inteligjente për një frigorifer inteligjent, kjo është e kuptueshme. Pse duhet ta keni frigoriferin të lidhur me internetin? Megjithatë, ekzistojnë disa arsye të mira për ta bërë këtë. Firma LG, për shembull, ka SmartDiagnosis (Diagnostikimin inteligjent). Nëse frigoriferi juaj inteligjent LG ka një aplikim të tillë dhe prishet, ai mund t’ju lidhë me departamentin e shërbimit të klientëve të LG-së me telefon, ose me një aplikim smartphone. Tekniku i riparimit mund t’ju thotë se çfarë nuk shkon me frigoriferin dhe ju ndihmon ta riparoni shpejt. Gjithashtu, aplikimet mund t’ju ndihmojnë edhe për ruajtjen e ushqimeve. Juve mund t’ju bjerë alarmi kur fusni përsëri në frigorifer një ushqim, ose kur një ushqim është duke skaduar. Samsungu po prodhon një frigorifer që ka kamera brenda, kështu që ju mund të kontrolloni çfarë ka në raftet e tij kur të jeni jashtë duke bërë pazarin.

5. Një shtëpi që pastrohet vetë
Nëse po fshini me fshesë me korent dhe do të donit të kishit një robot për ta bërë këtë në vendin tuaj, tani mund ta bëni realitet dëshirën tuaj. Firma Roomba është bërë e njohur për fshesat me korent robotike, që e mbajnë shtëpinë tuaj të pastër, ndërkohë që ju nuk lëvizni asnjë gisht. Megjithatë, modeli i saj i fundit është edhe më inteligjent. Roomba 980 (899 $) është i lidhur me wi-fi, kështu që mund të lidhet me rrjetin tuaj. Kjo ju lejon ta kontrolloni atë me një smartphone, kudo që të ndodheni. Gjithashtu, te Roomba 980 janë riparuar edhe gabimet e modeleve të mëparshme. Nëse keni patur rastin të përdorni më parë një fshesë me korent robotike Roomba, ju e keni parë se si e pastronte shtëpinë, por linte vazhdimisht ndonjë vend pa fshirë. Kjo është e bezdisshme, por tani ky defekt është rregulluar. Tani Roomba krijon një hartë të dhomës që pastron, duke përdorur kamerat dhe sensorët, kështu që “e di” kur nuk i ka fshirë të gjitha vendet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *