– Kam një pyetje për mjekun neurolog. Unë jam 25 vjeçe dhe kam dhimbje koke çdo ditë, por vetëm mbrapa kokës, askund tjetër. As nuk guxoj ta ul kokën poshtë se më dhemb shumë. Kam qenë te neurologu, i cili më ka dhënë dy lloje barnash: 1. Dexomen, 2. Stugeron, që i kam përdorur, por pa sukses, as 1 për qind nuk më është ndalur dhimbja. Pastaj jam konsultuar edhe me psikiatrin, i cili më ka thënë se e kam nga stresi dhe nervoziteti. Tani, prindërit më kanë sjellë një çaj bimor për dhimbje koke. Ai ma ndalon dhimbjen, por më fillon përsëri të nesërmen. Ju lutem, më thoni, si ta pushoj këtë dhimbje. Faleminderit.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Sipas të dhënave jo të plota që na jepni, unë mendoj se ju vuani nga një shqetësim nervor që ne mjekët specialistë e quajmë “neurozë”, ose lodhje të Sistemit Nervor Qendror (S.N.Q.). Kjo ndodh në subjekte me sistem nervor të ndjeshëm dhe si pasojë e një situate të vështirë (stresi), ose çrregullimeve hormonale, apo goditjeve apo infeksioneve të ndryshme ose prishjes së raportit punë-pushim, apo përdorimit të duhanit ose kafeve të shumta etj. Zakonisht, këto sëmundje shfaqen me dhimbje koke të karakterit rëndues, kryesisht në pjesën e pasme, çrregullime të gjumit, mospërqendrim, ose ndryshime (apo prishje) të punës në organe të tilla, si zemër, tru, mushkëri etj. Në këto raste, në konsultim me ne mjekët neuropsikiatër, do të zbulohet shkaku, që ai të shmanget në të ardhmen duke zbatuar njëkohësisht edhe disa këshilla, siç janë aktivitetet fizike (shëtitjet në ajër të pastër), gjimnastika në kushtet e shtëpisë, ose mospërdorimi i disa pijeve nxitëse të SNQ (si për shembull kafeja, çaji i malit, Red-Bulli, B52 etj.). Vetëm atëhere këto këshilla duhen kombinuar edhe me barna siç janë Stugeroni 25 mgr. 3 x 1 kokërr, Laroxyli 10 mgr. 2 x ½ kokërr mëngjes e mbasdite, si dhe Titusi 1 mgr., 1 kokërr në darkë i kombinuar edhe me komplekse vitaminike si për shembull: Tonotil, Energ, ose vitamina të grupit B). Kjo do t’ju kthejë gradualisht në normalitet. Së fundi, ju uroj shërim të shpejtë.