Mërgim Mavraj shihet si lideri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, kur Lorik Canaj të largohet. Mbrojtësi ka sakrifikuar shumë për kombëtaren dhe nuk harrohet paraqitja e tij me Armeninë, ku u aktivizua menjëherë pas një dëmtimi, duke rrezikuar edhe karrierën. Në atë takim, Mavraj realizoi gol dhe i dha një shtysë të madhe Shqipërisë për t’u kualifikuar në Evropian, por të flasim për të kaluarën është paradoksale kur të gjithë mendojnë për paraqitjen që do të kemi në Francë. Dhe, aktualisht, Mërgimi po vuan! Pas dëmtimit që e mbajti për një kohë shumë të gjatë jashtë fushave nuk po gjen hapësirë te Këlni dhe e rrezikon seriozisht vendin e tij për Francë, gjë që është deklaruar edhe nga vetë trajneri, Xhani De Biazi. Merkatoja e janarit mund dhe duhet të sjellë ndryshime për Mërgimin që e pranon se ka kontakte me disa klube dhe mund ta zgjidhë shumë shpejt të ardhmen e tij, e cila mund të jetë edhe larg Gjermanisë. Në një rrëfim për gazetën “Intervista”, shtatlarti shpjegon pozicionin e tij dhe është i sigurt se me ndihmën e Zotit do të bëjë më të mirën në “Euro 2016”, bashkë me të gjithë ekipin… Mavraj është unik!

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Mërgim!

Mërgim Mavraj: – Përshëndetje miku im, më vjen mirë që dëgjohemi përsëri.

– Vështirësi e madhe të të marrësh një intervistë…

– Ju kërkoj falje për vonesën, por kam qenë shumë i zënë… Është një periudhë e ngarkuar për mua.

– Me këtë, nënkuptoni që jeni në merkato?

– Çdo lojtar është në merkato. Të gjithë e kanë njërin sy te merkatoja dhe është e vërtetë që po shoh edhe mundësinë për t’u larguar.

– Çfarë ka ndodhur me ju, pasi nuk keni gjetur hapësira te Këlni?

– Nuk gjeta hapësira dhe nuk kam luajtur shumë minuta, pasi u riktheva nga dëmtimi që më mbajti gjatë larg fushave dhe normalisht, është e vështirë ta kapësh ritmin menjëherë. Megjithatë, jam stërvitur në maksimumin tim dhe dua të fitoj më shumë minuta loje.

– Do të gjeni hapësira te Këlni apo në ndonjë ekip tjetër?

– Nuk e di. Jam lojtar i Këlnit dhe do të shoh pozicionin tim, pasi dua të jem gati për “Euro 2016” me Shqipërinë.

– Keni ndonjë të re konkrete për momentin?

– Doni të vërtetën apo t’ju them ndonjë gënjeshtër për të bërë bujë. (Qesh)

– Duam të shesim gazetën…

– Më kërkon Reali i Madridit! (Qesh)

– Për t’iu rikthyer seriozitetit… Ka ndonjë pistë konkrete për ju?

– Kam disa oferta, por nuk dua t’i bëj publike, pasi akoma nuk kam vendosur gjë.

– Domethënë, Mavraj do të transferohet në një ekip të ri?

– Jo, nuk është e thënë. Nuk e kam vendosur, sinqerisht jua them këtë.

– De Biazi ka thënë se ju jeni një ndër lojtarët që rrezikoni të mos luani në Francë me Kombëtaren…

– Trajneri ka të drejtë, pasi nuk kam luajtur si titullar te Këlni dhe në Europian duhen futbollistë që i kanë minutat e plota për të dalë faqebardhë. Me besimin në Zot dhe ndihmën e tij do të kem vendin tim në “Euro 2016”, pasi do të bëj maksimumin kudo që të jem për të merituar grumbullimin dhe për të sakrifikuar përsëri për Shqipërinë.

– Si mendoni se do të shkojë “Euro 2016”?

– Jam i sigurt se do të shkojë shumë mirë, pasi i kemi të gjitha mundësitë për t’ia dalë mbanë. Nuk kemi yje në ekip, por kemi grupin dhe shpirtin e sakrificës, atë që na kualifikoi në “Euro 2016”. Shqipëria nuk do të shkojë si turiste, por do të thotë fjalën e saj në këtë kompeticion. Është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë.

– Duhet të ketë edhe prurje te rëja në Kombëtare përveç lojtarëve që kanë përballuar eliminatoret?

– Kësaj pyetjeje nuk di t’i përgjigjem; e di trajneri më mirë.

– Është hapur debati për qëndrimin apo jo të De Biazit. Çfarë mendimi keni ju?

– Kam shumë respekt për trajnerin dhe punën që ka bërë ai në Kombëtare. E kam shumë mik dhe më është gjendur pranë në momentet e mia më të vështira. Nuk dua të prononcohem në këtë pyetje, pasi nuk më takon mua të flas për një vendim të tillë.

– A prisni të keni mbështetje të madhe nga tifozeria në Francë?

– Nuk na ka munguar asnjëherë dhe kështu do të jetë edhe këtë radhë. Kemi tifozët më të mirë në botë dhe në saje të mbështetjes së tyre, kemi arritur këtu ku jemi.

– Si i shihni kundërshtarët e grupit?

– Jemi përballur edhe herë të tjera me ta, por do të jetë një histori krejtësisht ndryshe këtë radhë. Franca është favorite për të marrë trofeun dhe Zvicra ka një ekip me yje ku ka edhe lojtarë me origjinë shqiptare. Rumania është një ekip i ngjashëm me tonin, pa yje, por me një grup të mirë lojtarësh.

– Do ta kalojmë grupin?

– Do ta tentojmë me të gjitha mënyrat…

– Me largimin e mundshëm të Canës, do të jetë Mavraj kapiteni i ri?

– Ne kemi një kapiten dhe ai është Lorik Cana. Nuk e mendoj fare, të them të drejtën…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *