EDI RAMA
Ju bëri përshtypje diçka këtë javë, të dashur lexues?! Në fillim të javës, kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë televizive se nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Por, pa kaluar as tetë orë nga kjo deklaratë, ai vendosi që Shkëlqim Cani të ikë nga posti i Ministrit të Financave dhe në vend të tij të shkojë Arben Ahmetaj. Ndërsa në vend të Ahmetajt, do të emërohej zonja Milva Ekonomi, zëndësministre e shëndetësisë. Si i ndryshon kaq shpejt mendja zotit Rama për një gjë jo pak të rëndësishme si ministri i Financave, do të pyesni ju? Këtë nuk e dimë, ndaj deshëm ta intervistonim zotin Rama këto ditë. “E kishte vendosur se do ta ndryshonte ministrin dhe gënjeu në emisionin televiziv, apo vendosi aty për aty, të nesërmen?”, deshëm ta pyesnim atë. Është ky parimi i punës së kryeministrit, që vendos kështu tak-fak, edhe për gjëra të tilla të rëndësishme për një vendi si i yni, siç është ministri i financave dhe i ekonomisë? E quan këtë aftësi ai, apo…
XHON KERRI
Pa dyshim, ngjarja më e rëndësishme politike këtë javë ishte vizita e Sekretarit Amerikan të shtetit, të cilin ne, fatkeqësisht, nuk e takuam dot për t’i marrë një intervistë. Po të na lejonte, do të donim ta pyesnim vetëm për problemin e muxhahedinëve, Pse na e bëri këtë peshqesh zoti Kerri? Ka dëgjuar për fjalën e urtë shqiptare “Ai që të do, ta fut”, apo, amerikanët kanë ndonjë shprehje tjetër më të saktë për këtë punë? Pse nuk i merr në SHBA-ja muxhahedinët, zoti Kerri? Pse nuk i pranon asnjë shtet në Evropë e në botë ata?! Pse na kërkohet mbajtja e tyre vetëm neve? Pse përdoret Shqipëria gjithnjë si “kosh plehrash”? Apo na i japin ata për të mbushur boshllëqet që kanë lënë e do të lënë shqiptarët që marrin rrugët e Evropës?! Ja, gjithë këto pyetje do deshëm t’ia bënim zotit Kerri, por nuk mundëm…
BUJAR NISHANI
Deshëm të takonim këtë javë edhe zotin Nishani, por nuk mundëm. Atë deshëm ta pyesnim se pse po vonon dekretimin e zotit Arben Ahmetaj e zonjës Milva Ikonomi. Thjesht për “kapriçio presidenciale”, apo ka ndonjë gjë me emrin e zotit Ahmetaj?
Po deshëm ta pyesnim edhe për enigmën e madhe të pritjes së zotit Kerri në aeroport. Është e vërete se zoti Kerri i kërkoi ta priste, apo ai nguli këmbë të takonte dhe zoti Kerri i tha që nuk mundej e, pas lutjeve, i la si alternativë vetëm pritjen te dera e avionit?! A është nromale që një president të presë një sekretar shteti, domethënë, një ministër të jashtëm të një vendi tjetër në këmbë te porta e avionit dhe më pas ai “t’i lërë pendët”?! Di zoti Nishani ndonjë shembull të tillë nga përvoja diplomatike botërore?
ERION VELIAJ
Me zotin Erion Veliaj, kryetarin e Bashkiseë së Tiranës këtë javë deshëm të bisedonim në lidhje me parkun e ri për fëmijë, që ai do të ndërtojë te Liqeni Artificial, park që ngjalli shumë diskutime e protesta këtë javë, sidomos, për shkak të pemëve që do të priten. Me gjithë protestat, Veliaj nuk hoqi dorë e do ta ndërtojë aty parkun, edhe pse i duhet të presë disa pemë që ai i quan “të sëmura”. A e di zoti Veliaj se pemët nuk janë të tijat?! A e zoti Veliaj se as parku nuk është i tij, por i qytetarëve të Tiranës?! Si merr guximin dhe urdhëron prerjen e pemëve që janë mbjellë kur ai nuk kishte lindur akoma?! Si guxon ai e ndërton ai aty diçka pa pyetur as qytetarët e as përfaqësuesit e tyre në këshillin bashkiak?! A nuk ka parë ai se jashtë zhvendosin edhe rrugët, edhe ndërtesat për një pemë?! A e di ai se në çdo vend të botës “ta masin kokën me pe” po preve një pemë?! Pastaj, pak vende pa pemë ka te Liqeni? Pse nuk e ndërton aty parkun për fëmijët ai?! Bosh është vendi në krah të lapidarit të Debatikut, siç është bosh edhe fusha përballë digës ku flitet se do të ndërtohen qiellgërvishtëset, për të cilat ai, kur qe në opozitë, nuk ishte dakord. Dhe në fund do të donim t’i bënim edhe një pyetje: A është e vërtetë se administrator i kompanisë fituese që do të ndërtojë lojnat e fëmijëve është burri i një drejtoreshe ne bashki? E di ai këtë? Është rastësi? Apo është më mirë kur punët bëhen “brenda familjes”?!
SALI BERISHA
Nuk takuam këtë javë as zotin Sali Berisha. Atë deshëm ta pyesnim për një fakt të bërë publik këtë javë nga shtypi në lidhje me sulmin që ai bëri ndaj biznesmenit Besnik Sulaj. A është e vërtetë se ky biznesmen ka pasur për 8 vite, sa ka qenë ai kryeministër, konsulente Argita Berishën, vajzën e tij dhe i paguante asaj jo pak, por 3 mijë euro në muaj?! Mos ka lidhje sulmi që ai bën ndaj tij me faktin se ai ka ndërprerë bashkëpunmin me Argitën?! “Po për akuzën që ju bëri Taulant Balla në parlament dhe që është bërë më parë publike në shtyp për disa valixhe hekuri të nxjerra jashtë shtetit nga djali juaj, Shkëlzeni, keni gjë për të thënë?!”, deshëm ta pyesnim zotin Berisha. Se ai flet për çdo akuzë që i bëhet, ndërsa për këtë ka heshtur…
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)