Ish-i dashuri më persekuton

– Shoh shumë shpesh ëndrra me ish-të dashurin. Kam dy vite e gjysëm që jam ndarë dhe kam një lidhje tjetër prej 1 viti e gjysëm. Theksoj se e dua tmerrësisht të dashurin tim, por në ëndërr shoh ish-të dashurin që shfaqet shumë i mërzitur, më lutet të kthehemi dhe thotë se më do më shumë se çdo gjë tjetër. Në ëndrrën e fundit më dërgoi një ish-shoqen tonë të përbashkët për të më thënë që donte të më takonte se do të më sqaronte diçka. Shkova. Ai e dinte që tani jam e lidhur dhe thoshte: “Të paktën vetëm të flasim, të shkëmbejmë numrat e telefonit, se nuk rri dot pa të folur”. Unë i thashë se do të flisja një herë me të dashurin dhe do t’i ktheja përgjigje. Jam e shqetësuar se dua të çlirohem nga këto ëndrra. Pres shpjegimin tuaj.

E dashur lexuese, diçka ju ka ngelur peng nga ish-i dashuri, nga ajo lidhje që keni patur. Fakti që e shihni kaq shpesh tregon se ka diçka që nuk shkon në lidhjen aktuale, pavarësisht se ju thoni që e dashuroni të dashurin aktual. Ose ju ka ngelur peng ish-i dashuri dhe nuk ndiheni e plotësuar me këtë që keni, ose në ditët në vazhdim do të keni një haber nga ai, por që do të ndodhë rastësisht, pasi ai nuk ushqen të njëjtat ndjenja për ju. Që të shpëtoni nga kjo ëndërr, duhet ta lini pas të kaluarën dhe të mos e mendoni fare, ndryshe jepini pak kohë vetes të qëndroni vetëm që të reflektoni mbi lidhjen që keni. Përgjithësisht, ndodh që kur dikush nuk ndihet i/e plotësuar në lidhjen që ka, sheh ish-të dashurin/rën si një mënyrë për t’u ndjerë të plotësuar të paktën në ëndërr. E keni vetë në dorë që të shpëtoni nga një ëndërr e tillë, bëjini analizë lidhjes që keni dhe asaj çfarë kërkoni në të vërtetë. Do t’ju thoja gjithashtu që nëse lidhja juaj është e bukur, mos e çoni dëm duke rikujtuar të kaluarën; mos e zgjoni atë, por vazhdoni përpara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *