– Jam një 50 vjeçar nga Tirana që prej një viti vuaj nga diabeti. Në momentin e shfaqjes kisha shifra të larta të sheqerit, por gradualisht, në saje të mjekimit që kam marrë, shifrat sa vijnë e bien, madje kam patur rënie të sheqerit. Mjeku më ka këshilluar që të reduktoj sasinë e barnave, madje në vizitën e fundit më tha që mund t’i ndërpres ato, ndaj doja t’ju pyesja: A mund t’i ndërpresë diabetiku barnat ndonjëherë dhe a mund të konsiderohet normale ecuria e diabetit tim?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar zotëri, e prita me kënaqësi pyetjen tuaj sepse keni shkruar shkurt, në mënyrë të përmbledhur dhe me mjaft informacion. Gjëja që lehtësisht bie në sy në rrëfimin tuaj është fakti se vlerat e sheqerit janë të normalizuara dhe kanë qenë të kontrolluara gjatë gjithë kohës. Sigurisht që merita i përket terapisë, por dhe ju si pacient keni pjesën tuaj të vlerësimit në respektimin e disa rregullave që kërkon diabeti, në mënyrë që të kemi përmirësim dhe normalizim të shëndetit tuaj. E konsideroj me vend rrjedhën ritmike të ndryshimit të mjekimit sepse e tillë ka qenë edhe gjendja juaj. Nënkuptova që në momentin e shfaqjes në vlera të larta, diabeti domosdoshmërisht do të kërkonte edhe mjekim më të fuqishëm.
– Diabeti i sheqerit tip 2 nga i cili vuani ju, është një sëmundje kronike që zgjat gjithë jetën, një sëmundje që e kemi shprehur shpesh dhe që le pasoja të rënda te çdo individ që prek, nëse nuk trajtohet si duhet dhe në kohën e duhur. Ju keni një vit që vuani me këtë sëmundje dhe viti i parë i diabetit është viti kyç në mbarëvajtjen dhe ecurinë e trajtimit të tij, siç thuhet në gjuhë popullore, që dielli i mirë duket që në mëngjes. Statistikat studimore tregojnë që diabetikët e mjekuar keq vitin e parë, jetojnë më pak dhe komplikohen shumë më shumë gjatë jetës së tyre. Komplikacionet më të rënda ne konsiderojmë ato që prekin zemrën, enët e gjakut, veshkat, sytë etj. Referuar nënpyetjes tuaj nëse mund t’i ndërpresë i sëmuri diabetik barnat, ju them se nuk kam një përgjigje konkrete “po” ose “jo” në këtë rast. Në praktikën time mjekësore ka ndodhur që një përqindje e caktuar pacientësh (rreth 5-10 %) pasi e kanë marrë seriozisht sëmundjen e tyre, pasi kanë ndërhyrë në stilin e tyre të jetesës, me një aktivitet fizik dhe dietë, kanë arritur që edhe t’i heqin barnat për një periudhë të caktuar. Këtu bëhet fjalë më shumë për të sëmurë që janë obezë dhe mbipeshë. Nëse një i sëmurë diabetik humbet 10 % të peshës së tij trupore, edhe nevojat për barna reduktohen ndjeshëm, për të mos thënë që edhe mund të mos jenë të nevojshme. Gjithsesi, çdo individ duhet vlerësuar nga rrethanat e tij ku merren në konsideratë pesha, aktiviteti fizik, statusi intelektual dhe kulturor dhe mbi të gjitha niveli apo ecuria e vlerave të sheqerit në gjak. Duke përfunduar, ju këshilloj të mos e ulni kurrë nivelin e përkujdesjes që keni, si dhe të mos i ndërprisni kurrë lidhjet me stafin mjekësor që ju trajton. Të shkuara.