– Përshëndetje, i nderuar avokat! Jam Dritani, 41 vjeç, nga Durrësi. A mund të marr përmbajtjen e mesazheve të një personi të familjes sime që ka komunikuar me një person tjetër nga një kompani celulare në Shqipëri? Kam ndërkohë faturën elektronike të këtij numri për muajin Gusht. Nëse mundem t’i marr, cila është rruga që duhet të ndjek?
Av. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlavv.com, Tel. ++35544532512: Përshëndetje zoti Dritan! Ju falënderoj shumë që kontaktuat me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”. Ka shumë qytetarë që janë të interesuar si ju lidhur me tekstet e sms-ve, por për të marrë sms-të, thirrjet hyrëse e dalëse, vendndodhjen e qelizave telefonike, ju duhet të veproni konform legjislacionit në fuqi.
Në vendin tonë është bërë e zakonshme që familjarët, bashkëshortët, i dashuri ose e dashura të kërkojnë informacione, madje edhe përmbajtje të bisedave për arsye nga më të ndryshmet, ku arsyeja më kryesore është tradhtia. Kompanitë e telefonisë celulare kanë rregulla strikte bazuar në Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin nr. 48/2012, ndryshuar me ligjin nr. 120/2014 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, por edhe nga rregulloret e brendshme të cilat janë të përshtatura me ato të kompanive analoge në vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk i japin këto informacione. Sigurisht, ashtu si në çdo vend të Evropës dhe botës, mund të ketë individë të veçantë të cilët punojnë në këto kompani dhe abuzojnë me detyrën duke iu “shitur” informacione personave të interesuar. Ka patur raste në Itali kur persona të cilëve u janë “shitur” të dhënat, kanë fituar procese gjyqësore me dëmshpërblime të mëdha ekonomike.
Përfundimisht, lidhur me pyetjen tuaj, nëse mund të merrni përmbajtjet e teksteve të një familjari nga kompani celulare në Shqipëri, ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale” e ndalon në mënyrë taksative dhënien e informacioneve personale ose private personave të interesuar përveçse prokurorisë dhe gjykatës. Pra, ligjërisht, ju e keni të pamundur të merrni një informacion të tillë.
Jeni i mirëpritur për çdo problem tjetër juridik pranë Studio Ligjore “Duraj”!