Ç’mund të bëj më shumë?

Nga ligji të merrja atë që më takonte,
Dokumentacion i gjerë duhej përgatitur,
Në zyrat e shtetit korrupsioni gjallonte,
Jashtë sekserët na buzëqeshnin hidhur.

Kurrë kaq lehtë, profesionit të vjedhur,
shijen e kënaqësisë, s’do mund t’ia jepja
ndonjë gjë të madhe unë s’kisha humbur,
atë kurrë s’e pata, ç’duhej që ta merrja.

Tani që nuk ishte vuajtësi i vërtetë,
Madje i vetmuar ai dhimbshëm vdiq,
Ndoshta mallkimi atje kishte mbetë,
Paçka se na takonte përfitimi me ligj.

Me zërin e Zotit sikur lejen t’ma dërgonte,
S’do mundesha kurrë të ndalja tjetërsimin,
Vlera përfituese personit s’do t’i shkonte,
Mbi vete do merrja padrejtësisht dënimin.

Fjalë krejt ndryshe, kanë hedhur në leter,
Mosbesimin ndaj meje gabimisht ke ngritur,
Shpirtngrysur vrarë, mbushur plot vrer,
Mundimshëm ke mbajtur revoltën strukur.

Kur efektin s’e dhanë, as fjalët e zemrës,
Betimin bëra, për të vetmen vajzë e nip,
Përsëri s’ia hoqe stërkëmbshin gënjeshtrës,
Dyshimi absurd nga mendja s’t’u shqit.

Fishekun e fundit, tashmë e kam harxhuar,
Ç’mund të bëj më shumë, për ty motër e mirë,
Që në botën tjetër të shkojmë të qetësuar,
Me zemër të ngrohur, ndërgjegje të dlirë? Jeton Muçollari

Si munde
E mugët është drita
Që të përfytyron shkëlqyese
O Dritë!
Dhe e fshehta që mendja më gjurmon
Mister!
Atë që të solli këtu s’e rrok
Madje as emrin s’e meritoj t’i përmend
Da…
Për kë?!
Po si?
Po pse?
Si munde të shkelësh dheun si mysafir
Kur duart e tua mbrunë tokën që mban?
Dashuri…
Si munde të blesh me gjak dënimin tim?!
Dashuri
Si munde të më duash?
Hesht në terr si i çmendur, por, ah…
Jam i lumtur, i lumtur, i lumtur
Që të kam! Alban A. Arapi
Më trishton kjo heshtja jote

Dua të prehem atje ku je ti, dashuri,
Të më falësh si dikur qetësi e ngrohtësi!
Pa ty, e humbur lodroj në këtë botë,
Çdo çast më përvëlon kujtimet zjarri yt…
Kam mall, për ty, oh sa kam mall,
Të kërkoj në çdo skaj, po ku je vallë?
Se në ëndërr më vjen ti gjithmonë,
Si margaritar rrugën më ndriçon…
Kur krahët i zgjat e më pushton,
dhoma si nën rrezet e diellit avullon…
Ti në pëllëmbët e tua më përkund,
E unë në ninullat e tua e tëra humb…
Ku je tani, përse më je larguar?
Apo me dikë tjetër më ke ndërruar?
Unë jam në pritje, si kurdoherë,
Petale trëndafili pres nga ty nëpër erë…
Eja dashuri, rri gjithmonë me mua,
të lodroj e të endem në pafundësitë e tua,
Dua këtë fillim tetori bashkë ta gëzojmë,
Vjeshtën me zjarr dashurie ta mbulojmë.
Më trishton pa reshtur kjo heshtja jote,
Eja të shëtisim si zogjtë nëpër mote!
Psherëtimat e tua më kanë munguar…
Të pres të vish natë e ditë e përmalluar! Luljeta Gjosha Pashollari

Faji im, mëkati yt

Vërtet u zhduka perëndimit
Por ja, erdha për së dyti
Faji krejtësisht të jetë i imi
Por mëkati është i yti!

Por mëkati është i yti
Që më mbyte puthje-zjarr’
S’mund të duash për së dyti
Atë që quajte tradhtar

Atë që quajte tradhtar
E me zë të lartë mallkove
Rrugët more si e marrë
Xhami, kishë s’le vend e shkove…

Xhami kishë s’le vend e shkove
Me çdo kusht për t’u betuar…
U betove t’më harroje
S’është e thjeshtë për të harruar!

S’është e thjeshtë për të harruar
Kur vullnetshëm dashuron
Ajo është dëshira jote
Por është shpirti që tradhton!

Por është shpirti që tradhtoi
Dhe pasioni që na mbyti
Unë prapë fajin e pranoj
Prapë mëkati mbetet i yti! Bledi Ylli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *