Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një grua në mesomoshë. Ndoshta disa do të më paragjykojnë që e quaj veten kështu, por unë jam me teorinë se çdo njeri ka mendimin e vet. Tani jam 50 vjeçe, jam e martuar e kam katër fëmijë, dy djem e dy vajza. Unë si moshë jam dy vjet më e madhe se burri im, pra, ai është 48 vjeç tani.

Kur ishim të rinj, unë 25 e ai 23, u njohëm në punë. U dashuruam, edhe pse unë isha më e madhe. Në atë kohë më mbanin si femër shumë e bukur dhe mbi të gjitha, rridhja nga një familje e pasur. Arsyet e vërteta se pse burri im u martua me mua, as nuk i di dhe as nuk jam kurioze t’i di, por në atë kohë, ne ishim çifti më i bukur i qytetit. Nuk dukej se isha më e madhe pasi unë jam trupvogël dhe ai ka një fizik prej atleti. Është i gjatë, edhe sot që ka mbushur të 48-tat. Mes nesh gjithmonë ka patur mirëkuptim dhe nga ana ime, një dashuri të pafundme, që besoj se do të vazhdojë deri në përjetësi. Nga kjo dashuri e madhe lindën rresht njëri pas tjetrit katër fëmijët tanë. Kjo ishte gjëja më e bukur në botë dhe njëkohësisht, ajo që do të bënte që mes nesh ndryshimi i moshës të dukej e madje kohë pas kohe, të binte shumë në sy.

Meqenëse e dashuroja shumë dhe sigurisht, fëmijët që kisha me të ishin pasuria më e madhe për mua, ua kushtova jetën fëmijëve. E di se të gjitha nënat kështu bëjnë, por unë po e them në kuptimin se e harrova veten fare. Harrova se duhej t’i kushtoja rëndësi bukurisë së jashtme. Nga ana ekonomike ishim shumë mirë. Prindërit e mi na mbajtën afër gjithmonë e na ndihmonin me çdo gjë, kështu që për ne, rritja e fëmijëve në bollëk ishte e lehtë. Mirëpo nga ky bollëk “e pësova dhe unë”, që do të thotë, edhe pse lodhesha shumë, kisha shumë oreks dhe u shëndosha shumë kilogramë mbi peshën normale, ndërsa burri im nuk kishte ndryshuar aspak. Madje, koha kalonte e ai zbukurohej. Fëmijët u rritën dhe morën drejtime të ndryshme. I madhi është 24 vjeç dhe jeton në Francë, ku ka mbaruar shkollën e punon në një institucion. I dyti është 22 vjeç,  jeton në Itali e është rregulluar për bukuri. Njërën nga vajzat e kam të martuar e tani ka një djalë të vogël, kurse e vogla, vazhdon universitetin.

Pra, gjithë halli im është në një drejtim tjetër. Nëse shumica e grave shqiptare nuk dinë me se t’i rrisin fëmijët, unë mendoj se si të ndryshoj diferencën mes meje e bashkëshortit. Tamam, historia ime fillon kur i gjeta një mesazh në telefon. Ishte një pasdite e qetë e po rrinim të dy bashkë. Ai u ngrit për të bërë një dush dhe harroi telefonin në tavolinë. I erdhi një mesazh. E hapa pa të keq që ta lexoja.

“Po të pres te vendi. Eja shpejt se nuk kam shumë kohë”. Nuk kishte shkruar as emrin dhe mesazhi ishte me një numër me kontratë, por nuk ishte ruajtur në telefon me ndonjë emër. Nuk e dija në ishte femër apo ndoshta ndonjë shok, kështu që nuk u nxitova. Në fakt, thuhet për ne të shëndoshat se i marrim punët me terezi, ama për këtë, unë doja të sigurohesha. E mora numrin shënim dhe mendova se po veproja gabim, por ky mendim u këput në mes nga prania e burrit.

– Uh, si e harroj dhe unë vend e pa vend këtë telefon! Më mori njeri?

– Nuk e di! Sa u ula edhe unë se isha në dhomën e gjumit – e gënjeva për herë të parë në jetën time.

E hapi telefonin dhe sa pa mesazhin, tha se i duhej të dilte se po e kërkonte një shok.

– Po ne sikur do të kalonim pasditen bashkë. – i thashë.

– Eh, ku të lënë shokët! Po ja, se nuk vonohem zemër. – Ai më fliste gjithmonë me fjalë të ëmbla e më trajtonte si një princeshë. Asnjëherë në jetën e tij nuk më kishte përmendur kilet e tepërta dhe nuk më kishte ofenduar. Edhe kur njerëzit flisnin për mbipeshën, ai gjithmonë mbante anën e të shëndoshëve.

– Jo po të jesh kockë e lëkurë si skelet – thoshte gjithmonë – Ja, zemra ime si është si shpirt, ke qejf të rrish me të. E qetë, pa stres. Ata që mbajnë dietë janë gjithmonë të stresuar, ndërsa zemra ime është gjithmonë në humor.

Me këto gjëra më bënte të harroja se si isha. Më bënte të harroja se ndoshta ai më tradhtonte dhe madje nuk më shkonte në mendje se do të kishte sy për ndonjë tjetër.

E kisha numrin, po nuk mund t’i telefonoja. Më dukej se po të ishte me të vërtetë ndonjë shok, do të isha unë ajo që po bëja gabim e nuk po e besoja. Nejse, kurioziteti ishte më i fortë se unë. Nuk e mora atë ditë, por nja dy ditë më pas dhe ashtu siç mund ta kuptoni, në telefon më doli një femër. Ajo, sa e mora, u përgjigj. E mbylla telefonin pa folur dhe menjëherë para meje u shemb ajo lumturi shumëvjeçare. Tani nuk e dija në duhej t’i thoja apo jo tim shoqi për çfarë kisha zbuluar. Vendosa të zbuloja se cila ishte ajo femër e më pas të ndërmerrja ndonjë veprim.

Pas shumë mendimeve, thura një “plan”. E mora në telefon dhe i thashë:

– Alo, mirëdita!

– Mirëdita! Kush jeni ju?

– Oh, më fal i paskam rënë gabim. Ju, kush jeni?

Për çudi, ajo më tha emrin. Ndoshta nuk do ta mendonte kurrë kush isha dhe për këtë u tregua shumë naive. Nga ky emër zbulova se kush ishte. Ishte një vajzë që punonte si parukiere.

Ditën e parë kur e mora vesh, nuk bëra asgjë. Të nesërmen, vendosa të shkoja ta shihja se si ishte. U futa në parukeri dhe kërkova të bëja një krehje. Ndonjëherë mendoja se ajo do të më njihte, por jo, ajo as që ia kishte idenë se kush isha. Ishte një vajzë shumë e bukur dhe e re, e shumta 25 vjeçe. Kishte çdo gjë që unë nuk e kisha. Kishte një trup të përsosur dhe për më tepër, ishte shumë e bukur. Kur shikoja ndryshimin tonë në pasqyrën e parukerisë, më zihej fryma.

– Qenkeni shumë e bukur! – i thashë.

– Faleminderit! Edhe ju jeni shumë e bukur! – e dija se këtë ma tha kot.

– Eh, sa e mirë mund të jem me gjithë këtë tul?! – më doli padashur.

– Oh jo, ti je e mrekullueshme. Asnjë rrudhë në fytyrë. Kjo është një gjë shumë e madhe për moshën që ke.

Që nga ajo ditë unë shkoj shumë shpesh në atë parukeri. Nuk i thashë burrit asgjë. Një ditë shkova pak më herët dhe ende nuk ishte hapur parukeria. Ajo po priste jashtë se ende nuk kishte ardhur pronarja. Unë, si gjithmonë, duke ndjekur nga pas atë. Bëra sikur më duhej një krehje.

– Ua qenka mbylllur! – i thashë.

– Është vonuar pronarja në trafik. Po ju, do të prisni?

– Po, kam një takim të rëndësishëm. – gënjeva. – Mezi po rri në këmbë, po futem te ky lokali këtu. Do të vish dhe ti?

– Faleminderit!

U ulëm të dyja në një tavolinë dhe brenda kisha frikën se mund të më shihte im shoq. Edhe ju mund të habiteni se si nuk mendoj asnjëherë se jam unë ajo që po i bëhet një gjë e gabuar pas krahëve, por megjithatë mendoj për burrin. Prandaj që në fillim ju thashë se shumica e njerëzve do të më paragjykojnë. Në fakt, unë nuk e kisha problem se para meje në tavolinë ishte femra me të cilën burri im më tradhtonte. Duke biseduar, po e pyesnim njëra-tjetrën për familjen.

– Sa fëmijë ke? – më pyeti.

– Kam katër fëmijë – i thashë, por ndryshova vitet e tyre që të mos e kuptonte, sepse mendoja se e dinte moshën e fëmijëve tanë.

– Po ti, a je e fejuar? – it thashë.

– Jo, jam e dashuruar, por ai nuk do të fejohet. Është pak më i madh se unë në moshë.

– Pak? – pyeta unë.

– Edhe pak nuk është, po nuk ngjan për moshën që ka. – ajo po fliste për burrin tim dhe shikoja në sytë e saj një dashuri siç e kam unë për të.

– Po ai nuk ka qenë asnjëherë i martuar, meqë qenka kaq i madh? – bëja unë rolin e zbulueses.

– Ka qenë më përpara, por tani jeton me prindërit dhe nuk po vendos të martohet me mua. Po unë edhe kështu jam mirë. Nga dashuria që kam për të, mund të pranoj gjithçka.

Çdo fjalë e saj ishte si shigjetë për mua. E si mund të durojë një femër që t’i thotë e dashura e burrit këto fjalë? Ja që unë e durova.

– Ti mbahesh shumë. – më tha. – je një nga klientët që vijnë më shpesh. Kushedi sa krenar duhet të jetë yt shoq që ka një grua që mbahet kaq shumë.

– Po, është e vërtetë që më do shumë. Edhe pse jam e shëndoshë, ai asnjëherë nuk ma thotë këtë.

– Ti vetëm shëndetin ke, se në fytyrë je shumë mirë. Me pak palestër mund të jesh shumë në formë. Po deshe, eja atje ku shkoj unë.

– Mirë thua. Po a do të mund të dobësohem?

– Sigurisht! Kam parë më të shëndosha se ti që janë bërë elegante.

E kështu, unë vendosa të shkoja në palestër. Tani shkojmë bashkë dhe e pimë edhe kafen bashkë. Në fakt, nuk ndjehem aspak keq. Nuk e di pse, por ndoshta ngaqë ajo është një vajzë shumë e dashur e shumë e sinqertë.

Pas palestrës, trupi im është më në formë, por ende do shumë punë. Tani unë kam edhe hallin se po më pa im shoq me të do të më keqkuptojë, por nejse, ai do të mendojë se jemi njohur rastësisht në parukeri. Nganjëherë mendoj që të mos shkoj më te parukeria e saj dhe as në atë palestër, por seç më tërheq, as unë nuk e di. Tani për tani, jam në këtë pikë dhe nuk e di për më tej…04

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *