Lëkura juaj mund të jetë një dritare që hedh dritë mbi shëndetin tuaj të brendshëm. Sëmundje të ndryshme të trupit, disa prej të cilave janë serioze, në fillim shfaqen si probleme lëkure.

 

  1. Skuqje në formë fluture

Quhet kështu sepse ka formën e fluturës, mbi hundë dhe në të dy mollëzat. Një skuqje (dhe luspëzim i lëkurës) në këtë zonë shpesh është një nga shenjat e para të lupusit (një sëmundje autoimunitare). Megjithatë, mos nxirrni shpejt përfundime, sepse mund të jetë edhe rosacea (një skuqje e lëkurës si pasojë e zgjerimit të enëve të gjakut), ose dermatit i shkaktuar nga prekja. Vetëm analiza të mëtejshme do të tregojnë nëse është lupus apo jo.

  1. Njolla me ngjyrë të errët

Këto njolla në qafë (si zhul) ose sqetulla mund të jenë shenjë e diabetit. Kjo gjendje, që në gjuhën shkencore quhet acanthosis nigricans, mund të jetë beninje dhe të shkaktohet nga obeziteti, por shpesh është shenjë e diabetit. Në raste të rralla, ato mund të ndodhen edhe në vende të tjera si duar e buzë dhe janë shenjë e një kanceri të brendshëm.

  1. Njolla në këmbë: Të kuqe në periferi dhe të verdha në qendër

Doktorët i quajnë ato necrobiosis lipoidica diabeticorum. Siç duken edhe nga emri, është një shenjë e dallueshme e diabetit, por është e rrallë. Në fillim shfaqet si një pllakë e ashpër, e kuqe në lëkurë, por më pas bëhet me shkëlqim me kufij të dallueshëm. Nganjëherë, lëkura e prekur çahet, fillon të kruhet dhe shkakton dhimbje.

  1. Njolla vjollcë në kyçin e dorës

Në gjuhën shkencore quhen Lichen planus. Janë njolla të kuqe në të purpurt, të sheshta, që mund të shkaktojnë shumë kruarje. Zakonisht, shfaqen në kyçin e dorës apo të këmbës, por mund të shfaqen edhe në gojë, në fund të shpinës, qafë, këmbë dhe në organet gjenitale. Shkaku i tyre është i panjohur, por nëse i keni, mbase duhet të bëni analiza për mëlçinë. Ato mund të kenë lidhje me hepatitin C.

  1. Njolla ngjyrë mishi në fund të shpinës

Këto janë njolla me ngjyrë mishi në fund të shpinës, që kanë teksturën e një lëkure portokalleje. Ato shpesh shoqërohen me shenja të tjera të lëkurës: Puçrra si të aknes, të kuqe, ose kafe në hundë dhe faqe, si edhe njolla me ngjyrë më të hapur të lëkurës, më shumë në trup që janë ovale në njërën anë dhe me kënd në anën tjetër (në formë gjetheje). Këto janë shenja të një sëmundje të rrallë gjenetike, të quajtur tuberus sclerosis, e cila shkakton tumore beninje në tru dhe në organe të tjera vitale.

  1. Pëllëmbë duarsh si plënc

Në këtë rast, lëkura e pëllëmbëve trashet, zbardhet dhe çahet si një plënc i zier. Në afro 90% të rasteve kjo është e lidhur me kancerin. Nëse kjo del vetëm në pëllëmbë, mund të jetë kancer mushkërish. Nëse është e shoqëruar me acanthosis nigricans, ka më shumë gjasa të jetë kancer stomaku.

  1. Duar dhe këmbë si të drunjta

Ky fenomen, i përshkruar për herë të parë në vitin 1997, quhet nephrogenic systemic fibrosis dhe fillon si një çngjyrosje dhe dhëmbëzim i lëkurës në gjymtyrë. Shumë shpejt, duart dhe këmbët marrin një ngjyrë druri. Nganjëherë del edhe një njollë e vogël e verdhë në sy. Studiuesit vetëm kohët e fundit kanë zbuluar se boja e përdorur në analizën e rezonancës magnetike shkakton këtë fenomen te disa njerëz me sëmundje veshkash.

  1. Skuqje dhe luspëzim i lëkurës në të pasme dhe gjuhë e kuqe

Për fat të mirë, necrolytic migratory erythema është një fenomen i rrallë. Janë njolla të kuqe, si me luspa, që hasen më shpesh te të moshuarit. Ka tendencë të fillojë në palën e të pasmeve ose pëllëmbëve të duarve, por mund të shfaqet edhe në zona të tjera të trupit. Shpesh shoqërohet me gjuhë të kuqe, që të dhemb. Kjo zakonisht shkaktohet nga tumori i pankreasit, më shpesh nga glucogonoma.

 

Jo të gjitha problemet e lëkurës janë serioze. Në shumicën e rasteve, ato janë thjesht probleme lëkure. Për shembull, grunuloma anulare është një njollë e ngritur në lëkurë, e kuqe, ose ngjyrë mishi, që krijon një rreth dhe që gjendet në duar dhe në këmbë. Zakonisht, ato largohen brenda dy vjetëve dhe nuk tregojnë probleme të brendshme. Nëse ato janë më të përhapura, atëherë mund të zgjasin më shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *